Politike

12 vrasje në korrik-gusht, ministri Hoxha në Kuvend: S’jam i kënaqur me rezultatet e policisë. Ngjarja e Memaliajt, kambanë alarmi

Gjatë periudhës korrik-gusht 2024 kanë ndodhur 12 vrasje nga të cilat janë zbuluar 10 prej tyre. Të dhënat u publikuan nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha në një seancë dëgjimore në komisionin e sigurisë, të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Në fjalën e tij para deputetëve në komision ai dha detaje mbi këto vrasje dhe tha se ngjarja e Memaliajt është një kambanë alarmi për strukturat e policisë, e cila është ende e pazbardhur.

“Gjatë kësaj periudhe janë parandaluar 12 tentativa vrasjeje. Ky është numër që tregon reagimin e policisë për të parandaluar ngjarje kriminale. Është dëshmi e punës shumë të mirë e strukturave të policisë. 28 vrasje gjatë vitit 2024 nga 35 që ka patur gjatë vitit 2023. Ngjarja e Fierit më 5 korrik 2024 për motive të dobëta, autori i arrestuar. Tropojë 11 korrik, konflikt i çastit autori i arrestuar. Ngjarja e Memaliajt përçon te ne një alarm kambane për një vrasje që ndodhi në këtë qytet dhe e gjithë struktura e policisë është e angazhuar për zbulimin e kësaj ngjarjeje dhe aktualisht është ngjarje pazbardhur. Sarandë 6 gusht; motivi konflikt familjar, autor i arrestuar dhe ai ndërroi jetë në vendngjarje. Tiranë, 8 gusht 2024, në azil autori ka goditur me vdekje shtetasin shqiptar, autori u arrestua dhe gjithashtu u arrestuan dy infermierë të këtij azili”, deklaroi ministri Hoxha.

Sa i përket ngjarjes së Pogradecit që tronditi opinionin publik, ku mbeti i vrarë Egli Proga, dhe për të cilën pati akuza e kundërakuza mes policisë dhe prokurorisë, ministri Hoxha mbrojti sërish policinë e shtetit, duke theksuar se veproi konform ligjit.

“Pogradec 10 gusht 2024 -3 shtetas të arrestuar për pengimin dhe zbulimin e së vërtetës. Një debat i momenti që u kërkua që të manipulohej dhe të inskenohej për detyrat e policisë në vendngjarje. Veprimtaria e policisë është konform ligjit, të gjitha veprimet janë përputhje me procedurat standarde dhe dua të theksoj se polica e shtetit nuk klasifikon veprën penale. Këtë e bën prokuroria. Velipojë 19 gusht 2024 në një debat ët momentit krijohet një konflikt të arrestuar dy shtetas dy në kërkim. Mirditë 20 gusht 2024 është gjetur i vrarë me armë zjarri në banesë një shtetas.

Po këtu motivi është i pazbuluar ende e pazbardhur. Vijmë te ngjarja Memaliajt që për motive të dobëta krijoi një rrethanë të re. Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm; 4 shtetas të arrestuar dhe ngjarja është e zbardhur. Tiranë 20 gusht në Laprakë një shtetas ka mbytur me litar bashkëshorten dhe dy kafshë shtëpiake në pronësi të tyre. Motivi familjar nuk dihet. Autori ka vrarë veten më pas. 24 gusht 2024 në Tiranë në unazën e re, një shtetas ka goditur me mjet prerës një tjetër i cili ka ndërruar jetë. Motivi nuk dihet, i arrestuar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë