Ne rrjet

12 të liruar vetëm nga Rusia / Shkëmbimi më i madh i të burgosurve mes Lindjes dhe Perëndimit që nga Lufta e Dytë Botërore (gjithsej 26)

Në kryeqytetin turk, Ankara, sipas njoftimeve në media u shkëmbyen gjithsej 26 të burgosur, 24 të rritur dhe dy fëmijë. Mediet u referohen informacioneve të shërbimit sekret turk MIT. Ditët e fundit ishte lënë të nënkuptohej një shkëmbim të burgosurish politik.

Ndër personat e liruar janë edhe të burgosurit për spiunazh amerikani nga SHBA Evan Gershkoviç dhe Paul Whelan si dhe gjermani Rico K., i cili ishte dënuar me vdekje në Bjellorusi. Kreu i shtetit bjellorus Alexander Lukashenko në fillim të javës e shfuqizoi vendimin për dënimin me vdekje të K.

Edhe kritiku i Kremlinit dhe politikani opozitar rus Ilja Jashin dhe Vladimir Kara-Mursa janë liruar. Jashin së fundi ndodhej në koloninë e ndëshkimit Nr. 3 në rajonin Smolensk. Ai u dënua më 2022 me tetë vjet e gjysmë heqje lirie për "informacion të rremë" mbi ushtrinë ruse.

Në Rusi janë kthyer gjithsej tetë shtetas rusë. Ndër ta edhe i pandehuri si agjent i shërbimit sekret rus Vadim Krassikov. Ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm në Gjermani, sepse më 2019 ka vrarë në Berlin Tiergarten një shtetas rus.

Sipas njoftimeve të agjencive të lajmeve për aksionin e shkëmbimit ishin vënë në shërbim shtatë avionë. Sipas shërbimit sekret turk MIT janë shkëmbyer edhe të burgosur në Poloni, Slloveni, Norvegji dhe Bjellorusi.

Aksioni përfundoi të enjten (01.08.2024) në mbrëmje. Sipas të dhënave zyrtare turke ky është aksioni për "shkëmbimin më të madh të të burgosurve mes lindjes dhe perëndimit që nga Lufta e Dytë Botërore".

Reagimet nga Uashingtoni dhe Moska

Pas përfundimit të aksionit të shkëmbimit të të burgosurve kreu i Kremlinit Putin falenderoi të gjithë pjesëmarrësit. Ai tha, se i është veçanërisht mirënjohës presidentit bjellorus Lukashenko për faljen e shtetasit gjerman Rico K.

Sipas informacioneve të agjencive të lajmeve Putin nënshkroi dymbëdhjetë falje, ndër to edhe për amerikanët nga SHBA Gershkoviç dhe Whelan. Në këmbim të tyre duhej të ktheheshin në Rusi të burgosur rus jashtë vendit.

Ish-presidenti rus Medvedjev u deklaroi agjencive të lajmeve, se "tradhtarët e atdheut në fakt duhet të kalben e të vdesin në burg". Por për Moskën është "më e dobishme", që të kthejë në atdhe shtetasit e vet.

Presidenti i SHBA-së Joe Biden deklaroi, se pas përfundimit të shkëmbimit të të burgosurve nuk është më e nevojshme të bisedohet me Putinin.

Ai falenderoi kancelarin gjerman Olaf Scholz për lëshimet që bëri Gjermania, pa të cilat do të kishte qenë i pamundur ky aksion.

Gjermania pranoi, që t‘i dorëzojë Rusisë Krassikovin dënuar me burgim të përjetshëm si "autori i vrasjes në Tiergarten". dw.com


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë