Ngjarje

112 vjet Pavarësi, Shqipëria feston kuqezi

Nga Gazeta 'Si'- Shqipëria shënon sot 112-vjetorin e Pavarësisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme të kombit që përkujtohet çdo vit me krenari e patriotizëm nga të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.

Më 28 nëntor të vitit 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur.

Me rastin e kësaj dite të shënuar, autoritetet lokale dhe ato qëndrore kanë organizuar evente të shumta që do të mbahen në disa qytete të vendit.

Festimet do të nisin në Vlorën e Ismailit, aty ku do të kryhet ceremonia tradicionale e ngritjes së Flamurit me shkabën dykrenare.

Veçantia e kësaj feste do të jetë parada që do të mbahet në kryeqytet, ku sipas organizatorëve do të marrin pjesë 10 mijë të ftuar nga diaspora.

 “Parada kuqezi” mbahet në 28 Nëntor dhe nis nga sheshi “Nënë Tereza”, midis Pallatit të Koncerteve dhe Presidencës në orën 11:00 dhe do të përshkojë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’u mbyllur në sheshin “Skënderbej”.

Parada do të realizohet për të dytin vit radhazi, duke i dhënë kryeqytetit rolin e një qendre të përbashkët për kremtimin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.

Më pas do të mbahet ceremonia e ngritjes së flamurit, e parashikuar në orën 13:40.

Paralelisht me zhvillimet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të ketë edhe aktivitete të tjera si Panairi i Artizanëve, që do të zhvillohet te Pazari i ri, zona e Markatës së Gjelbër, “Festivali i Artizanatit dhe Qeramikës”.

Festivali do të shfaqë një shumëllojshmëri produktesh të punuar me dorë, duke përfshirë qeramikë, bizhuteri, tekstile, punime druri, punime metalike, artikuj lëkure dhe më shumë.

Çdo artizan do të ketë një zonë ekspozimi ku vizitorët mund të shikojnë dhe blejnë krijimet e tyre. Tregu do të ofrojë artikuj unikë, të veçantë, duke promovuar idenë e mbështetjes së talenteve vendase mbi produktet e prodhuara në masë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë