Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, në foltoren e kuvendin ka shpjeguar se me Omicron në qarkullim, kemi të gjitha arsyet për të qenë shumë të shqetësuar, por në të njëjtën kohë për të shmangur çdo panik. Manastirliu shpjegoi se Europa po shton masat dhe pak ditë më parë studiuesit anglezë kanë treguar se mbrojtja e vaksinave ndaj variantit të ri Omicron bie nën 20%-30%.
“Një e dhënë domethënëse që shpjegon qartësisht rëndësinë që ka në këto momente bërja e dozës së tretë përforcuese. Si mund të rrisim vaksinimin e të pa vaksinuarve, kjo mbetet thelbësore. Kemi mbërritur në gati 50% të qytetarëve mbi 16 vjeç të vaksinuar me 1 dhe dy doza. Mbi 1 milion qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës, ndërsa mbi 110 mijë qytetarë janë vaksinuar me tre doza. Janë kryer mbi 2 milionë e 250 mijë doza vaksine por është koha të përshpejtojmë një orë e më parë dozën e tretë, pa harruar rritjen e mbulesës vaksinale për ata qytetarë që ende nuk janë vaksinuar”, tha Manastiliu.
Më tej ajo shtoi se pritet të mbërrijnë në vend 375 mijë doza vaksine Pfizer përmes mbështetjes së Bashkimit Europian për të arritur në 3 milion doza deri në mbyllje të këtij viti, gjithashtu edhe sasia e parë e vaksinave Jonhson&Jonhson nga foramcioni Covax.
Ndërkaq ministrja përsëriti edhe masat që OBSH ka planifikuar ndaj kufizimit të përhapjes së variantit të ri të cilat janë:
-rritja e mbulesës vaksinale.
-aplikimi sa më parë i dozës së tretë.
-rritja e përdorimit të maskave në ambientet e brendshme.
-ajrosja e ambienteve veçanërisht në ambientet e populluara dhe në shkolla.
“Jemi para periudhës së festave kur padyshim presim te rriten shkëmbimet, ndërveprimet dhe është një situatë delikate për ecurinë e epidemisë në vend. Ndaj ekspertët tanë po vlerësojnë me shumë vëmendje situatën dhe për masat që do të nevojiten”, shtoi Manastirliu.
Ministrja shtoi se vijon vaksinimi kapilar dhe qëllimi kryesor mbetet rritja e mbulesës vaksinale por sipas saj vështirësia qëndron nga bombardimi i qytetarëve me informacione të rreme rreth vaksinës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.