Ngjarje

11 vatra zjarri aktive, problematike situata në Dukat, Lurë dhe Mat

Nga Gazeta Si- Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri nga të cilat 11 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim.

Aktualisht mbeten aktive vatra në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, ku vazhdon zjarri në tre vatra, por me intensitet të ulët gjatë natës.

Në fshatin Ulëz, bashkia Mat, situata është shumë e vështirë pasi zjarri po zhvillohet në drejtim të pyjeve. Për shkak të terrenit dhe përmasave të zjarrit, forcat operacionale nuk kanë mundur ta vënë nën kontroll.

Në fshatin Zall Gjoçaj, bashkia Mat, ende nuk është shuar zjarri pasi relievi shkëmbor dhe shumë i thyer e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.

Në vendin e quajtur “Maja e Pliskës”, mbi fshatin Dukat, zjarr është shumë intensiv në sipërfaqe shkurre, kullotë dhe pylli me pishë. Flakët të ndihmuara nga era përfshinë edhe kurorat e pishës, duke e bërë problematike gjendjen.

Edhe në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra vazhdon të përhapet në drejtim të verilindjes drejt Ҫardhakut, i ndihmuar nga era dhe bimësia e shumëllojshme.

Ndërsa në malin Sukë, bashkia Kukës, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre ka marrë përmasa dhe rrezikon banesat e fshatit Mamëz.

Si pasojë e zjarreve të rënë,  kryesisht në sipërfaqe me bimësi e pyjore janë djegur rreth 17 hektarë.

Sipas informacionit të nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), për zjarret në pyje sot pritet nivel rreziku “I lartë” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Durrës dhe Shkodër pritet nivel rrezik “I moderuar”. Rrezik “I lartë” pritet gjithashtu nё zona tё lokalizuara të qarkut Shkodër (Jug)  dhe qarkut Durrës (Jug Lindje).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë