Drejtësia

’11 Maji’, Altin Dumani: SPAK po heton 43 raste për krime zgjedhore

Gazeta Si – Gjatë raportimit në lidhje me krimet zgjedhore të 11 Majit, kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani tha se SPAK po heton 43 raste të dyshuara.

Në tryezën e organizuar me temë “Drejt një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse për integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri”, kreu i SPAK bëri bilancin e punës së institucionit që ai drejton në lidhje me hetimet e krimeve të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.

Sipas Dumanit, janë marrë në tërësi 192 materiale që lidhen me dyshimet për krime zgjedhore, prej të cilave 43 janë regjistruar si procedime penale dhe aktualisht janë nën hetim.

“Janë administruar 192 materiale që lidhen me dyshime për krime zgjedhore. Nga këto 43 materiale zgjedhore janë regjistruar si procedime penale, kanë kaluar në fazën hetimit. Për 43 është vendosur mosfillimi i hetimit për mungesë te elementëve. 40 janë dërguar për kompetencë pranë Prokurorive të rretheve, 22 materiale janë dërguar për verifikim në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, 17 materiale janë bashkuar me materiale të tjera”, tha Altin Dumani.

Kreu i SPAK tregoi edhe burimin e kallëzimeve për krime zgjedhore, 9 prej të cilave nga 43 janë nisur me iniciativë nga vetë Prokuroria e Posaçme.

“Nga 43, 22 janë iniciuar mbi bazën e referimeve, 1 nga SHKB, 9 janë regjistruar kryesisht me iniciativë të SPAK, 3 kanë ardhur nga kallëzimet e shtetasve, 3 janë referuar nga Prokuroritë e rretheve, 4 janë kallëzuar nga subjektet politike dhe 1 është ndarë nga një tjetër kallëzim ekzistues”.

Pjesa dërrmuese e veprave penale kanë të bëjnë me korrupsionin aktiv në zgjedhje.

35 materiale janë regjistruar për veprën penale të korrupsionit aktiv në zgjedhje.

4 janë regjistruar për korrupsion aktiv dhe pasiv.

1 për përdorimin e funksionit publik për qëllime politike

1 për përdorimin e funksionit publik për qëllime politike dhe shpërdorim detyre

1 për kanosje ose dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.

Ai u shpreh se janë ushtruar kontrolle në banesa dhe zyra si dhe janë sekuestruar dokumente të rëndësishme.

“Janë ushtruar disa kontrolle banese, zyre personale. Janë ekzekutuar 20 vendime gjykate për lejim kontrolli të ambienteve të ndryshme dhe personave të ndryshëm, janë sekuestruar prova e dokumente të rëndësishme që do i shërbejnë procesit të hetimit. Sfidat nuk janë të pakta, referuar materialeve të partive të politike depozituar në SPAK kallëzimet e tyre kanë qenë të paplota. Nevojitet më shumë ndërgjegjësim publik dhe mbështetje më e madhe për denoncimit përmes fushatave informuese dhe garancive ligjore për mbrojtjen e dëshmitarit”, tha Dumani.

Të pranishëm në event ishin edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, ambasadori britanik Nick Abbott dhe drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proda.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë