Ne rrjet

Me pushkë në mbrëmjen e maturës

Një studente amerikane, hodhi një pushkë supeve dhe u nis drejt mbrëmjes së diplomimit, pa e ditur se do të shkaktonte një debat të ashpër mbi lirinë personale, protestat e studentëve dhe lirinë e mbajtjes së armëve.

Kaitlin Bennett u diplomua në Universitetin Shtetëror të Kentit në Ohajo për biologji. Ditën tjetër, 22-vjeçarja u kthye në kampus me një pushkë gjysmë-automatike të hedhur krahëve dhe u paraqit në fotografitë e mbrëmjes së diplomimit duke mbajtur një kapele, sipër të cilës kishte stampuar fjalët "ejani dhe merreni". Bennett ka postuar më vonë fotografitë në Twitter, duke thënë se po protestonte kundër politikës universitare për të ndaluar studentët, profesorët dhe punonjësit që të mbanin "armë vdekjeprurëse" në kampus. Ajo vuri në dukje se shteti i Kentit ishte vendi ku "katër studentë të paarmatosur u qëlluan dhe u vranë nga qeveria", duke iu referuar incidentit të  vitit 1970 ku ushtarët u përleshën me protestuesit e kundër Luftës së Vietnamit, duke vrarë 13 protestues dhe kalimtarë. Fotoja e saj shkaktoi një “stuhi” të vërtetë në rrjetet sociale, më shumë se 30,000 pëlqime dhe 13,200 shpërdarje, me komente si pozitive ashtu dhe negative.

https://twitter.com/KaitMarieox/status/995699996212322304

Vetëmbrojtja

Në një postim në Facebook, Bennett thotë se po promovonte të drejtën për t’u vetëmbrojtur.

Një nga përgjigjet kryesore të aktivistëvë të drejtave të armëve që nga të shtënat në një shkollës së mesme në Florida, është se mënyra më e mirë për të parandaluar sulmet në mjediset arsimore është heqja e zonave ku nuk lejohen armë dhe se të gjithë qytetarët duhet t’i binden ligjit për të mbajtur armë zjarri. Bennett tha se ajo zgjodhi AR-10, një version më të fuqishëm të pushkës AR-15, e cila është bërë e diskutueshme për shkak të përdorimit gjatë të shtënave masive të kohëve të fundit, sepse i shkonte me fustanin e bardhë.

"Si femër, unë refuzoj të jem viktimë dhe amendamenti i dytë më siguron që nuk duhet të jem," shkruante ajo në rrjetet sociale.

Kaitlin Bennett

Kritikët e kanë kundërshtuar duke thënë se Amendamenti i Dytë mbron të drejtën për të mbajtur armë, por kjo e drejtë mund të ndryshohet me kalimin e kohës. Armët automatike, të tilla si armët e fuqishme ushtarake, tashmë janë të ndaluara për qytetarët amerikane, duke bërë që shumë t’i frikësohen vendimit të qeverisë për tjetërsimin e Amendamentit të Dytë. Por Bennett ka thënë se mendon se qytetarët duhet të lejohen të mbajnë edhe mitralozë.

Privilegj i amerikanëve të bardhë?

Një nga kritikat më të mëdha me të cilat është  përballur Bennet është se ajo ka luksin për të mbajtuur armë zjarri në publik, por pakicat etnike, të cilat janë tashmë objektiv i diskriminimit, do të rrezikonin të nxisnin një reagim të dhunshëm nga autoritetet. Në vitin 2016, Philando Castile, një i ri me ngjyrë u vra nga një polic i Minesotës gjatë një ndalese rrugore, pasi e informoi se kishte një armë zjarri të licencuar në makinën e tij. Bennett është përgjigjur duke thënë se ajo gëzon "privilegjin e amerikanëve  të bardhë" për të mbajtur armë, pa u druajtur nga fakti se deklaratat e saj mund të perceptoheshin si racizëm.

"Nuk mendoj se kjo është shumë fyese ndaj minoriteteve- tha ajo gjatë një interviste në Fox News- Mendoj se asgjë e keqe nuk do t’u ndodhë atyre."

Ajo shtoi se u shoqërua jashtë kampusit nga një oficer me ngjyrë dhe se në prill kishte mbajtur një tubim për të drejtave e armëve, gjatë të cilit ajo dhe disa studentë ishin paraqitur me pushke në shkollë.

Shumë komentues e kanë lidhur Bennett me sjellje raciste, duke përfshirë edhe Caleb Ecarman, i cili vuri në dukje se Bennett ishte pjesë e një grupi në Facebook që avokon për gjenocidin e disa grupeve demografike.

Tirania e qeverisë

Ndoshta një nga aspektet më inflamatore të deklaratave të Bennett është lidhja e veprimeve të saj me shtënat e vitit 1970, në shtetin e Kentit, akt që nxiti protesta masive në të gjithë SHBA-në dhe shërbeu si një thirrje grumbullimi për lëvizjen anti-vietnameze. Fotografia e një gruaje të re, e cila u gjunjëzua mbi trupin e një studenti të vdekur, është një nga imazhet më të qëndrueshme të epokës së Luftës së Vietnamit, duke u bërë edhe fituese e çmimit Pulitzer.

Duke u frymëzuar nga kjo foto, Laura Hudson, redaktore kulturore në faqen “The Verge”, e pyeti nënën e saj, e cila ishte e pranishme gjatë të shtënave në Kent, se çfarë mendonte për pikëpamjet e Bennett.

Kaitlin Bennet

"Nëse kjo vajzë do të kishte parë njerëzit e tjerë tek vdisnin para syve të saj, atëhere nuk do të ishte kaq flagrante në mbështetjen e armëve- u përgjigj ajo- Nëse studentët e KSU-së në atë kohë do të kishin armë, do të kishte ndodhur një masakër edhe më e madhe, shumë njerëz nga të dyja anët do të kishin vdekur”.

Megjithatë, komentet e Bennett pasqyrojnë një lloj tendosjeje të besimit se qëllimi i vërtetë i Amendamentit të Dytë nuk është të sigurojë të drejtën e vetë mbrojtjes, por të shërbejë si një kantier kundërshtimi ndaj tiranisë së qeverisë. Në fund në fundit autorët e kushtetutës nuk e hartuan amendamentin që qytetarët të vrisnin njëri-tjetrin, por për t’i lejuar të luftojnë nëse qeveria federale cënon të drejtat e tyre./BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë