Politike

Rama: Asnjë lek nga Qeveria për ndërtimin e incineratorit të Tiranës. Pagesa 36.9 mln euro për shërbimin e kryer

Dëshmia e Kryeministrit Edi Rama para Komisionit Hetimor Parlamentar përshkallëzoi debatet kur kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku tha se incineratorët kanë marrë 100 mln euro nga buxheti i shtetit.

“100 mln euro nga buxheti i shtetit? Kjo është fantazia juaj”, reagoi Kryeministri Edi Rama.

Jorida Tabaku tha se shifrat janë zyrtare nga Thesari i Shtetit, ku 35 mln euro janë dhënë për incineratorin e Tiranës dhe pjesa tjetër për incineratorin e Fierit dhe të Elbasanit.

Rama tha se shifrat janë abuzim. Ai deklaroi se nga buxheti i shtetit janë paguar 55.3 mln euro për ndërtimin e dy incineratorëve, të Elbasanit dhe të Fierit, ku sipas Ramës, 30.6 mln euro për të parin dhe 24.7 mln për të dytin.

Kryeministri Edi Rama hodhi poshtë akuzat e opozitës se kompania “Integrated Energy BV SPV” ka marrë para nga buxheti i shtetit për ndërtimin e incineratori i Tiranës.

Rama nuk kundërshtoi shifrën e opozitës se nga thesari i shteti janë paguar 100 mln euro për tre incineratorët, por tha se nga buxheti i shtetit për ndërtimin e tyre janë paguar vetëm incineratori i Elbasanit dhe ai i Fierit.

“Po sigurisht që do të paguhen kompanitë. Janë pagesa për kompanitë, pagesa për ton dhe te pagesat për ton është edhe përpunimi. Mund t’i bëjme edhe pa para, si në Porto Romano, si në Sharrë. Por, modeli që kemi zgjedhur është një tjetër dhe sot në Sharrë mund të shkohet edhe me fëmijët”, u shpreh ai.

“Duhet sqaruar sepse buxheti i shtetit ka paguar 24.7 mln euro për incineratorin e Fierit dhe 30.6 mln euro për të Elbasanit. Pjesa prej 36.9 milionë euro janë pagesa që qeveria i ka bërë për incineratorin e Tiranës për shërbimin e kryer, se s’mund t’ja çojmë mbetjet te dera dhe t’i themi që nuk paguajmë. Për këtë ne paguajmë 29 euro për ton”, vijoi Rama.

Kryeministri u shpreh se Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Stela Gugallja nuk janë në kërkim se kanë marrë para nga buxheti i shtetit, por janë duke u hetuar për futjen në një marrëdhënie korruptive me ish-ministrin Lefter Koka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë