Biznes

100 mln euro fond për bizneset e vogla dhe të mesme

Nga Gazeta ‘Si’- Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj njoftoi se është miratuar një fond prej 100 milionë eurosh për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, duke synuar nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në treg.

Ibrahimaj tha se një nga vendimet synon të eleminojë dokumentet shkresore, duke kaluar drejt një administrate plotësisht të digjitalizuar.

“Në një kohë afatmesme, por të shkurtër do të eliminojmë të gjitha dokumentet shkresore. Akti i dytë që u miratua lidhet po ashtu me procesin e integrimit europian, ne përmbyllim të gjitha pikat e aktit 30.Ndërkohë, një tjetër akt i rëndësishëm lidhet me përmbylljen e pikave të aktit 30 në kuadër të integrimit në Bashkimin Europian, si dhe me vendosjen e mekanizmave për shqyrtimin e investimeve nga vendet jo-anëtare të BE-së, veçanërisht në sektorët e medias dhe mbrojtjes. Akti i tretë lidhet me mbështetjen për bizneset e vogla dhe mesme, ne miratuam një fond prej 100 milionë eurosh, i cili do të akordohet për mbështetjen e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme.”

Më tej, ministri Pushtetit Vendor, Ervin Demo, u shpreh se katër bashki të reja kanë miratuar zonat prioritare lidhur me Paketën e Maleve. Siç u shpreh ai, në territor ka kaluar  numri i 500 aplikimeve, si pasojë e interesit të bashkive që shpallin zonat prioritare

“Vendimet e ditës së sotme: kemi pasur katër bashki të reja që sot kanë miratuar zonat prioritare, duke nisur me Bashkinë Sarandë, Kuçovë, Gramsh dhe Tropojë.

Ne vazhdojmë të ecim çdo javë me bashkitë që miratojnë zonat e tyre prioritare. Tashmë mund të themi se numri i aplikimeve në territor, edhe për vetë faktin që numri i bashkive po rritet javë pas jave, është edhe më i madh. Janë kaluar 500 aplikime. Edhe në javët në vijim kemi një sërë bashkish që janë në procese përfundimtare të miratimit të zonave prioritare“, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë