Dhjetë vite më parë Shqipëria u bë shteti anëtar i Aleancës më të fuqishme ushtarake, së bashku me Kroacinë. Ky ishte një hap i rëndësishëm dhe i finalizonte një procesi që nisi përgjatë kohe të gjatë të tranzicionit politik shqiptar, duke prekur kontributin e disa qeverive, që nga koha e PD-së dhe PS-së, për të pasur si aktin final në prill të vitit 2009, anëtarësimin në familjen e NATO-s.
Një proces që nisi si pjesë e Kartës së Adriatikut, që u lançua që koha e presidentit Xhorxh Bush. Sekretari i shtetit Kolin Powell gjatë një vizite në Tiranë në vitin 2003, shpalli pikërisht këtë nismë të qeverisë amerikane: anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në NATO. Për këtë udhëheqësit e Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë nënshkruan në Tiranë në prani të sekretarit amerikan të shtetit, Kartën e Adriatikut. Asaj kohe kryeministër ishte kryesocialisti Fatos Nano. Ndërsa anëtarësimi i bë në prill 2009.
Ministria e Mbrojtjes ka realizuar një spot të veçantë prej 30 sekondash për këtë ditë të shënuar, ku çuditërisht më tepër i ka kushtuar vëmendje postimi të fotos së Presidentit Trump me kryeministrin Edi Rama, apo të vetë ministres Olta Xhaçka me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Mattis. Në një kohë që Trump as nuk i kishte vajtuar ndërmend të merrej me politikë.
Por, në videon e lançuar nga ministria e Mbrojtjes nuk shfaqet asnjë prej këtyre ngjarjeve historike, pasi nis me momentin e ngritjes së flamurit shqiptar në selinë e NATO-s. Ndërkohë nuk shfaqet asnjë foto zyrtare ku presidenti i atëhershëm Obama dhe ai shqiptar Topi, së bashku me presidentin kroat Mesiç zyrtarizojnë anëtarësimin në NATO. Sigurisht në këtë foto ishte edhe kryeministri i atëhershëm Sali Berisha.
Kjo tregon se kriza politike në Shqipëri ka ndikuar edhe në këtë aktivitet duke mos shfaqur idenë e një klase politike për qëllime madhore.

Në lidhje me këtë fakt ka reaguar ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili ka ironizuar videon në fjalë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Manjani shkruan se “Prej vitesh, në shtëpi ndjekim rregullin që lajme dhe emisione politike nuk i shohim. Për çështje të higjienës mendore e ndjekim me besnikëri. E shkel unë ndonjëherë vjedhurazi, por në tërësi e ruajmë këtë rregull. Interneti dhe NETFLIX janë më me variacion. Sot po shihnim pa zë Aldon, kur doli një spot publicitar që përpiqej të na kujtonte anëtarësimin në NATO. Nga spoti kuptohej që jemi në NATO falë Olta Xhaçkës dhe Edi Ramës. Të tjerë nuk kishte. Sa turp! Mohojnë edhe historinë e sotme le më trashëgiminë historike!”, shprehet Manjani.

Më tej Manjani shkruan se “për të freskuar memorien e 30 viteve të fundit, kujtoj se: 1. Anëtarësimin në OSBE e ka firmosur Ramiz Alia. 2. Anëtarësimin në Këshillin e Europës e ka firmosur Sali Berisha. 3. Hapjen e bisedimeve te para për anëtarësim në BE i ka firmosur Sali Berisha. 4. Anëtarësimin në NATO e ka firmosur Sali Berisha. 5. Liberalizimin e vizave e kreu Sali Berisha. Edi Rama ka firmosur vetëm për koncensione e PPP. Ëndërron të firmosë një gjë të madhe, ndaj firmos për kulla të larta… Kjo është historia, na pëlqen apo jo!”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.