Politike

10 policë dhe 2 qytetarë të plagosur. Basha: S’flas më, por sovrani

Tollumbace me mbishkrimin “Ik!”, yje të verdhë që simbolizojnë flamurin e BE-së ishin dekori i ri i protestës së shtatë të opozitës përpara Kryeministrisë. Protesta e shtatë kombëtare kishte dhe flamuj partiakë të PD-së, LSI-së dhe partive të tjera, por edhe të shteteve të BE-së dhe SHBA-së. Një javë më parë, opozita protestonte me balona të me “Rama ik”, por duket se koha vranët dhe me shi, kanë detyruar të ndryshojnë mënyrën e të protestuarit.
Flamuj të PD-së, LSI, por edhe të shteteve si SHBA, Gjermani valëviteshin në këtë protestë, duke mos munguar dhe flamuri kombëtar kuqezi.


Ndryshe nga protestat e fundit e mbajtur një javë më parë nuk pati deklarata paraprake nga ana e selive diplomatike, ambasadave të SHBA, BE dhe të OSBE-së. Duket se për ta ka mjaftuar deklarata e lëshuar nga ana e sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tre orë përpara se të niste protesta deklaroi se dhuna është e papranueshme.
Në protestën e sotme nuk kanë munguar kapsollat, flakadanët dhe tymueset në drejtim të selisë së kryeministrisë.
Protestës i ka munguar kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila mësohet sipas burimeve ndodhej me një vizitë jashtë Shqipërisë. Ndërsa asaj i është rikthyer sekretari i Organizativ i PD-së, Sait Dollapi. Protestuesit kanë tentuar të heqin gardhin përpara Kryeministrisë, madje i kanë hequr një pjesë. Por ato janë ndaluar nga Dollapi, i i cili ka ftuar turmën të jenë të qetë.

Sait Dollapi ne protesten e sotme


“Vëllezër e motra mos lëndoni asnjë oficer dhe efektiv policie. Mos prekni asnjë oficer policie. Vëllezër dhe motra, mos i prekni me dorë, sepse hiq dy a tre servilë të inkriminuar,edhe pse buzët e tyre nuk e thonë dot, mendjet e tyre e mendojnë. Unë i njoh këta burra dhe gra, kam punuar me ta, kemi mundur drogën, kemi hequr vizat. Ata nuk flasin, por shpirti i tyre këndon: Rama Ik” “, iu drejtua Basha protestuesve, çka ndikoi në qetësimin e tyre. Edhe ish-deputetët e PD-së kanë ndërhyrë për të mos lejuar që protestuesit të çajnë kordonin e policisë.

Protestues duke hequr gardhin rrethues te policse


Basha: Rama kufomë politike, orës së tij po i vjen fund
Kryedemokrati Lulzim Basha ka dalë nga selia e PD-së në ora 19:30 për t’u bashkuar protesë. Për rreth një orë ai ka mbajtur fjalimin e tij, ku nuk munguar as flakadanët, tymueset dhe kapsollat drejt selisë. Vetëm në një moment ka pasur momente tensioni ku janë hedhur shumë kapsolla, ndërsa mësohet se një punonjës i policisë së shtetit ka humbur ndjenjat.
Për Bashën ka vetëm një orë për të zgjidhur këtë situatë, një orë e më parë, përndryshe sipas tij e gjithë fatura do të jetë e Ramës.

Basha duke folur ne protesten e sotme


“Nuk mund të pranojmë dhe nuk do të pranojmë kurrë errësirën e tiranisë së krimit, nuk mund të pranojmë kurrë monizmin, procesin kriminal që po u ofrohet shqiptarëve në vend të zgjedhjeve të lira e të ndershme. E gjithë beteja jonë bëhet për zgjedhje të lira e të ndershme, e gjithë beteja jonë bëhet për vlera evropiane. Nuk mund të pranojmë Edi Ramën dhe bandën e tij ta mbajnë përherë të mbyllur derën e Evropës, sepse ajo është shpresa jonë, ato janë vlerat tona. Rrugën tonë të Evropës do ta hapim. Rama ik! Dua ta them fare qartë sot, se koha për lojërat e Edi Ramës po merr fund. Kufoma politike që i dridhej dora teksa lexonte plagjiaturën e Albin Kurtit në Lezhë, tregon qartë se pushteti i krimit ka vdekur moralisht, por ai duhet kallur dhe politikisht”, tha në fjalën e tij kryedemokrati.


Ndërsa akuzoi se Rama nga qyteti i Lezhës ku mbajti fjalimin e hapjes së fushatës ishte një plagjiaturë e Albin Kurtit e liderit të Vetëvendosjes, duke e përsëritur disa herë para protestuesve.
Pas mbylljes fjalimit, kryedemokrati i ka ftuar që t’i drjetohen Parlamentit, për të vijuar ritualin e përhershëm të protestave kombëtare të opozitës.

Situata e tensionuar para Parlamentit

Ndërsa protesta para Kryeministrisë ishin të qeta, situata ka qenë krejt tjetër përpara Parlamentit.

Situata ka qenë tejet tensionuar para Parlamentit, ku protestuesit e shumtë kanë hedhur flakadanë, kapsolla në adresë të policisë dhe godinës së Parlamentit. Për më shumë se 30 minuta ka pasur lëshime fishekzjarresh, kapsolla, tymuese. Policia disa herë ka bërë thirrje që të qetësoheshin.

Protestuesit hoqën kangjellat rrethuese para Parlamentit, ndërsa njerëz të maskuar lëshonin kapsolla dhe fishekzjarre në drejtim të forcave të rendit.

Presidenti Ilir Meta do të bënte apel të menjëhershëm që protesta të mos agrvohej. “Presidenti i Republikës, Ilir Meta bën thirrje për vetëpërmbajtje,  shmangien e incidenteve dhe provokimeve”, thuhet në reagimin e Presidencës.

Edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj me anë të një postimi në rrjetin Tëitter. ” I bëj thirrje Lulzim Bashës që të ndalojë sulmin ndaj forcave të Policisë së Shtetit! Një oficer policie është dëmtuar nga mjetet e ndaluara shpërthyese që hodhën protestuesit. Drejtuesit e protestave duket se kanë financa të mëdha për të blerë mjete shpërthyese të ndaluara, por edhe vullnet të plotë për të goditur forcat e rendit”, ishin statuset njëpasnjëshme të Lleshajt.

Si pasojë e hedhjes së kapsollave një protestues është lënduar, duke u plagosur. Menjëherë ai është shoqëruar për t’i dhënë ndihma e parë mjekësore.

Ndërsa pas 20 minutash pushim, protestuesit kanë nisur edhe një herë hedhjen e fishekzjarrjeve të llojit të ri, që cilësohen “tip torte” që i shpërndajnë në drejtime të ndryshme. Pikërisht këto kanë qenë të rrezikshme edhe për vetë protestuesit pasi nuk dihej se nga merrte drejtimi i tyre.

Policia ka bërë disa herë thirrje në adresë të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha për të ndaluar turmën për të qëlluar në adresë të policisë.  Policia ka filluar të hedhë ujë për të shpërndarë turmën e protstuesve të dhunshëm. Pas rreth një orë proteste në ora 21:30 policia ka hedhur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

“Qytetarë largohuni nga protestuesit e dhunshëm, ndaloni sulmet ndaj punonjësve të policisë”, ishin thirrjet me megafonë të policisë.

Gjithashtu i kështë kërkuar edhe kameranëve dhe punonjësve të medias që të largohen nga protestuesit e dhunshëm. ” Të nderuar organizatorë të tubimit: I nderuar zoti  Lulzim Basha dhe z. Gazmend Bardhi Merrni masa të menjëhershme që protestuesit te nderpresin veprimet e dhunshme. Po demtoni e rrezikoni jeten e punonjesve te policise. Si organizatorë të protestës, jeni përgjegjës përballë ligjit për mbarëvajtjen paqësore të tubimit, ndaj menjëherë merrni masa që protestuesit të ndalojnë hedhjen e kapsollave dhe lëndëve piroteknike, sendeve te forta në drejtim të Policisë”. ishte thirrja e policisë në protestën përpara Parlamentit.

Protestues i lenduar para Parlamentit

Kryedemokrati Basha me pjesën e deputetëve të opozitës u largua në momentin kur u hodh gazi lotsjellës në mënyrë masive, për t’u rikthyer më para sheshit në krah të selisë të ish-të Përndjekurve Politik.

Ambasada britanike reagoi për këtë protestë. Ishte i vetmi mision diplomatik që mbajti qëndrim ndaj protestës së dhunshme.

Ambasada deklaroi se nuk ka vend për dhunë në një protestë paqësore duke theksuar se është përgjegjësia e liderëve për të ruajtur të sigurt dhe ligjore protestën. “Mbretëria e Bashkuar mbështet të drejtën për të protestuar paqësisht. Nuk ka vend për dhunë apo shpërthime me eksploziv në një protestë paqësore. Liderët e protestës kanë përgjegjësinë të mbajnë të sigurt dhe ligjore demonstratat dhe policia ka përgjegjësinë të përgjigjet në proporcion për të ruajtur rendin publik. Në të mirë të gjithsecilit një protestë të sigurt dhe paqësore duhet të jetë prioritet”, deklaron ambasada britanike”, thuhej në reagimin e ambasadës.

Në ora 22:00 është mbyllur protesta e opozitës, ku Basha ka tërhequr protestuesit, duke i drejtuar si zakonisht drejt selisë së PD-së.

Sa i përket dëmtimit të protestuesit, ministria e Shëndetësisë informoi se ai është shtetasi  me inicialet E.B., 29 vjeç. “I lënduari gjatë protestës ka marrë ndihmën e duhur mjekësore në spitalin Universitar të Traumës. Nga ekzaminimet e kryera, përkatësisht radiografia e kërcirit dhe këmbës, rezulton normale, pa dëmtime të strukturave. Nga plaga e marrë, mjekët kanë nxjerrë cifla mjetesh piroteknike. Aktualisht 29 vjeçari ka përfunduar trajtimin dhe është në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa me anë të një statusi në Facebook akuzoi policinë për ushtrimin e dhunës. “Me urdhër të Edi Ramës, dhe Gaz Lleshajt protestuesit janë qëlluar me plumb në mish në protesten e tyre qytetare dhe madhështore! Policia ka marrë urdhra të qartë për të provokuar dhe qëlluar protestuesit. Ne foto Ened Bostani i riu nga Fieri, i plagosur rënde në këmbë nga plumbat e policisë së Lleshajt. Protestues të tjere janë duke u trasportuar drejt spitalit. Ky është skenari që mendon se do të mbaj në këmbë Edokracine! Edi Rama mendon se me plumba dhe burg do të ndalë valën popullore për një Shqipëri si Europa! Asgjë nuk e ndal popullin! Shqiptarët do të fitojnë!”, shkruan Zhupa.

Protestuesi duke u mjekuar ne ambientet e Spitalit “Nene Tereza”

Basha deklarata të forta ndaj Lleshajt. Protesta e radhës më 8 qershor

Kryedemokrati Lulzim Basha pas protestës ka mbajtur deklarata të forta në adresë së ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

“Ishte dhunë disproporcionale janë plagosur disa protestues. Po i them Sandër Lleshajt se do të mbani përgjegjësi para ligjit. Përpjekja juaj tinëzare për t’i faturuar dhunë një proteste kundër dhunës do të marrë përgjigjen e merituar”, theksoi Basha.

Opozita do të mbajë sërish protestë dhe këtë e paralajmëroi kryedemokrati, duke shtuar se kjo është dita e fundit kur unë drejtohem me arsye dhe logjika, tani do flasë sovrani.

“Sot keni bekuar portën e shenjtë. Nuk kërkojmë asgjë më shumë, por nuk do të pranojmë asgjë më shumë se Europa. Lërë sovranin të flasë me votën e lirë, ose do të përballesh me protesta. Janë plagosur disa protestues me faktura në kokë dhe plagë në kokë. Po i them sot Ramës dhe Lleshajt se do mbani përgjegjësi para ligjit. Asgjë nuk harrohet. Përpjekja juaj tinzare për tia faturuar dhunën protestës do të marrë përgjigjen e merituar. Është mahnitëse për një popull të tërë të bashkuar kështu, të vendosur në mënyrën më të qartë dhe të prerë për vlerën Evropiane, pa të cilën nuk ka perëndim, por ka despotizëm lindor si ai që Edi Rama kërkon të instalojë në Shqipëri për të shkatërruar vendin. Ne nuk hedhim asnjë hap pas. E sotma është dita e fundit ku unë i drejtohem me aryse kupolës socialistë, koha për fjalët po mbaron dhe në protestën e ardhshme do ta ketë vetëm sovrani, vetëm ju. Së pari dua tju falenderoj nga zemra për qytetarinë, shpirtin e qëndresës, për vendosmërinë që demonstruat sot me praninë që ka parrë Ballakni në një protestë për zgjedhje të lira, pa të cilat nuk ka demokraci. Qindra mijë prej jush në këtë protestë sollët me vete energjinë, vendosmërinë, shpresën dhe besimin tek e nesmërja që po lind. Mesazhi i parë i qartë është se Rama dhe banda e tij ta harrojë që ta mbajë pushtetin me dhunë duke dhunuar qytetarët”, deklaori Basha.

Pas protestës në mungesë të Kryemadhit, në emër të LSI-së qëndrim e ka mbajtur nënkrytetari i saj, Petrit Vasili.

Qytetarët shqiptarë sot kanë dhënë mesazhin më të fortë dhe më kuptimplotë ndaj Edi Ramës dhe gjithë bandës  së tij.  Ai sot u kthye në vendin e krimit në Lezhë, ku ai jo më larg se pak ditë më parë ka firmosur 300 milionë grabitje. Dhe bashkë me të tjerat po ndërton një piramidë financiare të tmerrshme që do të bierë e gjitha mbi kurrizin e shqiptarëve. Ndaj jemi të gjithë sot pa asnjë kthim prapa. Edi në çdo ditë që rri është një kryeministër i paligjshëm, i cili është zgjedhur në mënyrë të paligjshme, ka dalë nga një Parlament i paligjshëm dhe i cili telekomandohet nga krimi i organizuar. Shqiptarët kërkojnë votime të lira e të ndershme, pushtet të dalë nga vota e tyre dhe qeverisje të dalë në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve. Shqiptarët do të luftojnë dhëmb për dhëmb me kriminelët që janë në pushtet dhe kanë një kriminel në krye që quhet Edi Rama. Prandaj ashtu siç kishim këtë herë, akoma më shumë, pa asnjë kompromis dhe pa asnjë tërheqje në protestën tjetër për t’i dhënë zgjidhjen përfundimtare kësaj krize që shqiptarët nuk e meritonin kurrë”, deklaroi Vasili.

Ndërsa protesta e radhës është në datë 8 qershor, ora 19:00 përpara Kryeministrisë. Vendimi është marrë pas mbledhjes së kolegjit të kryetarëve të degëve të PD-së.

Reagimi i ambasadës SHBA

Ambasada amerikane ka pritur përfundimin e protestës për të mbajtur qëndrimin e saj në lidhje me ecurinë e saj. Me anë të një deklarate për median ambasada dënon dhunën e ushtruar në protestën e shtatë të opozitës.

“Ambasada e SHBA dënon dhunën që ndodhi gjatë protestës sonte. Grumbullimi paqësor dhe e drejta për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë janë shtylla të demokracive të shëndosha, por janë të drejta që duhen ushtruar paqësisht. Përdorimi i mjeteve piroteknike, sidomos kur vënë në shënjestër policinë, nuk është akt paqësor, është i papranueshëm dhe jodemokratik. Iu bëjmë thirrje të gjithë organizatorëve të protestës të ndalojnë aktet e dhunshme dhe të angazhohen në dialog konstruktiv”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së.

https://www.facebook.com/usembassytirana/photos/a.10151620299905838/10156409793340838/?type=3&theater

Bilanci i protestës së sot ishte 10 punonjës policie të lënduar, dy qytetarë, ndërsa një prej tyre është punonjës i medias. Policia kishte deklaruar se i ka dhënë leje dy orë vetëm PD-së për protestën, por ky orar nuk është respektuar.

” Ka mbërritur në 7 numri i policëve të plagosur nga sulmi i militantëve të Lulzim Bashës. Për këtë do të ketë përgjegjësi përpara ligjit”, shkruante Lleshaj në Twitter. Ministri Lleshaj në spitalin e Traumës në orët e vona do të deklaronte se janë 10 efektivë të policisë së plagosur.

Ministri do të reagonte edhe ndaj deklaratave të liderit të PD-së më vonë. “L.Basha, që në 21.01.’11 vrau 4 qytetarë të pafajshëm e plagosi dhjetra të tjerë me armë, sot plagosi shumë policë të Shqipërisë. Një tipi të tillë, Patër A. Harapi i thoshte: “Krushkamadh e hollë e i gjatë, rri n’zanat që t’la yt atë”, do të reagonte Lleshaj.

https://twitter.com/SanderLleshaj/status/1135281499555717120

Ndërsa kjo protestë u mbajt në ditën kur Tirana u vizitua sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg që dënonte protestën e dhunshme.  Basha javën e ardhshme pritet të udhëtojë drejt Gjermanisë. Drejt Berlinit mësohet se do të udhetojë edhe presidenti Ilir Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë