Gazeta Si – FBI nuk ndalet kurrë së kërkuari për të personat në arrati të shpallur në kërkim për krime të ndryshme.
Drejtori i ri, Kash Patel e kujtoi këtë në përvjetorin e krijimit të listës së 10 më të kërkuarve: ishte 14 marsi 1950 kur filloi programi që bëri të mundur kapjen e 496 nga 535 të arratisurve të përfshirë në mënyrë progresive në listë. Arrestimet janë bërë në shumë raste (163 gjithsej) edhe falë bashkëpunimit të qytetarëve.
Arrestimet e fundit
Tre të fundit i kanë kapur në fillim të vitit, me ardhjen e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Një sukses i nënvizuar nga burime pranë presidentit për të ripërtërirë angazhimin e “rendit dhe ligjit”.
Donald Fields II, i paditur për abuzim me fëmijët, u arrestua pas një kontrolli rutinë nga një police femër në Florida.
Arnoldo Jimenez, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij në vitin 2012, u gjurmua me bashkëpunimin e meksikanëve dhe u ekstradua.
I njëjti fat për Roman Francisco-Bardales, që besohet të jetë një nga drejtuesit e bandës së fuqishme “latine” MS13, e vendosur gjithashtu në Meksikë.
Janë shembuj se si federatat kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar për të gjetur gjurmë të njerëzve të aftë për t’u fshehur, shpesh pjesë e rrjeteve transnacionale që ofrojnë mbrojtje, banka, para për të vazhduar të fshihen.
Hetimet për super të arratisurit nuk kanë afate kohore, mandati nuk mbaron, dosja ndonjëherë mbetet në vendnumëro për një kohë të gjatë dhe më pas rihapet.
Disa emra hyjnë në listë dhe më pas hiqen kur mendohet se pista tani është e ftohtë. Por kjo nuk do të thotë se “gjuetarët” e harrojnë atë. Rasti i Bradford Bishopit, i ashtuquajturi “shfarosësi”, është i famshëm.
Një diplomat amerikan që eliminoi nënën, gruan dhe tre fëmijët e tij në vitin 1976 dhe që atëherë është zhdukur.
Victor Manuel Gerena, përgjegjës për një grabitje të një furgoni parash në Konektikat, qëndroi në listë për 32 vjet dhe më pas e hoqën.
Ai ndoshta është në Kubë, nëse është ende gjallë. Vrasësi Billy Bryant “zgjati” disa orë, sepse e prangosën menjëherë.
Ata që ikin, bëjnë gjithçka për të mos dhënë asnjë referencë, qëndrojnë larg miqve dhe të afërmve që mund të monitorohen dhe ndonjëherë përhapin thashetheme se kanë vdekur. Përpiqen të ushqejnë dyshimin tek hetuesit, duke shpresuar të largojnë vëmendjen.
Skedarët e rinj
Mes të rinjve është një dosje që hyn në kategorinë e “fantazmave”: ka të bëjë me Ruja Ignatova. Gjermano-bullgarja, e mbiquajtur “mbretëresha”, organizoi një mashtrim kolosal të kriptovalutave.
Shpresonin ta kapnin në Greqi, por ajo ishte më e shpejtë se “agjentët” dhe iku. Ndoshta përgjithmonë. Nuk është përjashtuar që ajo të jetë vrarë, e hedhur në det nga një jaht me urdhër të bashkëpunëtorëve.
Ndëshkimi për një gabim. Nga ana tjetër, Ryan Wedding do të kishte kërkuar mbrojtje nga karteli “Sinaloa”, i drejtuar nga djemtë e El Chapos me të cilët ai trafikonte lëndë narkotike.
Kanadez, ish-kampion në snowboard, ai kaloi nga bora e pistave të skive në një tjetër “borë”, atë të importuar nga Amerika e Jugut.
Banditi dyshohet se ka krijuar marrëdhënie edhe me grupe ekstremiste pro-iraniane, një lidhje jo e padëgjuar për të marrë një mbrojtje.
Vitel’Homme Innocent është në “Ferrin Haitian”, në krye të një prej bandave që kanë nën kontroll ishullin. Ai akuzohet për vrasje, rrëmbim dhe sulm, edhe pse e paraqet veten si “armik të korrupsionit”.
SHBA u përgjigj duke ofruar një shpërblim prej një milion dollarësh, një nga shumat e vëna në dispozicion nga Byroja për të marrë këshilla nga qytetarët.
Precedentët
Shpërblimet ndryshojnë në varësi të rëndësisë së gangsterit: për kolumbianin Wilver Palomino, një narko-trafikant në mesin e “Top 10”, ata vendosin 5 milionë në tavolinë.
Shumë më pak – 250 mijë – për kokën e Omar Cardenas, vrasës i bandës “Pierce Street Gang” në Los Anxheles: sipas buletinit, ai mund të ishte në ndonjë vendndodhje meksikane duke pretenduar të ishte murator.
Profilet dhe krimet e mbledhura në përbërjen e dhjetë më të kërkuarve, janë treguesi se cili është kërcënimi mbizotërues, në varësi të epokës.
Njoftimet në postera shpesh ishin të okupuara nga terroristët – Osama bin Laden, Ayman al-Zawahiri -, nga udhëheqës të përfshirë në krime lufte, nga kumbarë mafiozë dhe nga “menaxherët” e mëdhenj të drogës.
Dhe duke pasur parasysh erën që fryn në Uashington, me një shumëfishim të armiqve të treguar nga Trump, nuk mund të përjashtohen të reja edhe në këtë front.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




