Nga Gazeta ‘SI’- Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, prezantoi sot në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat akti normativ që siguron alokimin e një fondi prej 1 miliard lekësh pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Fondi i është akorduar MEKI-t në cilësinë e aksionerit të vetëm të Korporatës së Investimeve Shqiptare, për financimin e pjesëmarrjes së qeverisë shqiptare në startup-in “Machine Thinking Lab”.
Gjatë fjalës së tij, Ministri Malaj theksoi se një investim i tillë duhet parë edhe nga pikëpamja e përfitimeve më afatgjata, qofshin ato ekonomike, por edhe të një historie suksesi që vjen nga një sipërmarrëse shqiptare me kontribut të rëndësishëm botëror në fushën e inteligjencës artificiale.
“Ky investim nuk duhet parë thjesht si një angazhim financiar, por si një mundësi strategjike për të ndërtuar të ardhmen teknologjike të Shqipërisë, për të pozicionuar vendin tonë si një pikë referimi për inovacionin në rajon dhe më gjerë, si dhe për të krijuar një ekonomi më të avancuar, të lidhur me tregjet globale të dijes dhe kapitalit”, u shpreh Malaj.
Qëllimi i qeverisë shqiptare, tha më tej Ministri, është të ndjekë modelet bashkëkohore dhe të rrisë përfshirjen e Inteligjencës Artificiale (IA), duke ndjekur shembullin e vendeve të tjera.
Nga ana tjetër, Ministri vuri në dukje faktin se akti normativ ruan të paprekur deficitin buxhetor, i cili pas ndryshimeve të mësipërme në të ardhura dhe shpenzime, vazhdon të qëndrojë në nivelin rreth 68 miliardë lekë, sikundër është miratuar edhe në buxhetin fillestar 2025.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.