Futboll

1 miliard euro të shpenzuara nga Barcelona për Champions-in që nuk u fitua dot

Barcelona nuk ka fituar asnjë Champions që prej sezonit 2014/15, edhe pse kanë shpenzuar 989 milion euro për 23 lojtarë. Kjo shifër i bën katalanasit, klubin me shpenzimet më të larta në Evropë, por nuk ka qenë e mjaftueshme për t’u sjellë atyre një tjetër titull të Champions League që nga triumfi i fundit kundër Juventusit në 2015.

Sezoni 2015/16: 62 milion euro

Nënshkrimi i parë i klubit pas triumfit të tyre evropian në Berlin, ishte Arda Turan, për 40 milion euro, i pasuar nga Aleix Vidal për 22 milionë. – edhe pse nuk mund të regjistroheshin deri në dimër për shkak të bllokimit të merkatos.

Sezoni 2016/17: 140 milion euro  

Në sezonin 2015-2016, Barça do të fitonte La Liga-n dhe Kupën e Mbretit, por u eliminua nga Champions League nga Atletico Madrid dhe për këtë arsye dëshiroi të fillojë sezonin pasardhës me skuadrën më të fortë të mundshme. Gjashtë blerje të reja mbërritën në “Camp Nou”, por asnjëri nuk dha performancën e pritshme, përkundër faktit se shpenzimet u rritën në 140 milionë euro. André Gomes (50 milionë), Paco Alcácer (30), Samuel Umtiti (25), Lucas Digne (16), Jasper Cillesen (16) dhe Denis Suarez (3). Ky ishte sezoni i përmbysjes historike kundër PSG (6-1), pasi humbi në “Parc des Princes’ 4-0, por nuk ishte e mjaftueshme për të shmangur një tjetër dështim evropian dhe klubi u eliminua nga Juventus në raundin vijues.

Sezoni 2017/18: 389 milion euro

Sezoni i mëparshëm ishte i vështirë për Barcelonën, me Real Madrid që fitoi të dytin Champions radhazi, si dhe kampionatin spanjoll. Plus, Neymar sapo ishte shitur te PSG për 222 milion euro. Presidenti i klubit Josep Maria Bartomeu reagoi duke shpenzuar 389 milion euro për pesë lojtarë: Philippe Coutinho (160 milionë, në janar), Ousmane Dembélé (145), Paulinho (40), Nelson Semedo (35) dhe Yerry Mina (9). Nga këta pesë lojtarë, vetëm Semedo luajti kundër Bayern Munich dhe Coutinho- i cili aktualisht është i huazuar tek klubi bavarez- shënoi dy herë dhe siguroi një asistim në atë ndeshje. Këtë sezon, me Valverde në stol, Barcelona do të eliminohej nga Roma, me rezultatin 3-0 në “Olimpico”, por do të fitonte kampionatin.

Sezoni 2018/19: 136 milion euro

Barcelona vendosi të mos bënte përforcime të mëdha, sepse u vendos që ekipit të mbështetej te Coutinho dhe Dembélé. Sidoqoftë, shpenzimet kapën shifrën 136 milionë euro për pesë lojtarë: Malcom (42 milionë), Arthur (40), Clement Lenglet (35), Arturo Vidal (18) dhe Jean-Clair Todibo (1).

Sezoni 2019/20: 262 milion euro

Për këtë sezon, Barcelona u përforcua me një nënshkrim galaktik, siç ishte Griezmann, i cili kishte shkëlqyer me Atletico Madrid, për 120 milion euro. Francezi luajti si zëvendësues ndaj Bayernit, dhe kontribuoi shumë pak pasi u aktivizua në pjesën e dytë. De Jong, një nga yjet e Ajax-it, zbarkoi në “Camp Nou” për 85 milionë euro. Po ashtu, Neto mbërriti si portier zëvendësues për 35 milionë. Pedri nënshkroi gjithashtu për 5 milionë euro, megjithëse ai u huazua përsëri te Las Palmas. Pavarësisht nga të gjitha këto përforcime, Barcelona u detyrua të hynte përsëri në merkato gjatë dimrit pas dëmtimeve të Luis Suarez dhe Dembele. Ata nënshkruan me Braithwaite, sulmuesi i qendrës së Leganés, pas pagesës së klauzolës: 18 milionë.

Sezoni 2020/21: 91 milion euro

Pavarësisht krizës së madhe ekonomike që po vuajnë klubet e futbollit për shkak të COVID-19, Barcelona tashmë ka investuar 91 milion euro përpara sezonit të ardhshëm. Trincao u ble në dimër nga Braga për 31 milionë euro, ndërsa Pjanic u morr nga Juventusi për 60 milionë. Nëse këto 91 milion euro i shtohen 989 milionëve, që klubi ka shpenzuar në pesë vitet e fundit në hyrje, atëherë shpenzimet totale do të kapnin shumën e 1 miliard dhe 80 milionë eurove që nga 30 qershori 2015. Ndërkohë, klubi ka gjeneruar 539 milion euro shitje gjatë kësaj kohe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë