Në mbarë botën 1 Maji njihet si dita e punëtorëve. Për vite me radhë kjo ditë është festuar në vendin tonë, pavarësisht problemeve të ndryshme që mund të kenë punonjësit. Por, mesa duket ky vit do të jetë ndryshe. Valës së shumë të protestave në vendin tonë do t’i shtohet, edhe ajo e ditës së nesërme. Shoqata “Together For Life” një organizatë jo fitimprurëse, e cila ushtron aktivitetin e saj në nivel kombëtar me misionin e promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, ka deklaruar se në kuadër të ditës së punëtorëve do të mbahet një tubim përpara Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Shoqata ka thënë për Gazetën “Si” se qëllimi i këtij tubimi është rritja e ndërgjegjësimit tek institucionet përgjegjëse shtetërore si dhe opinioni publik, për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të punonjësve.
Sipas Shoqatës, e drejta për punësim të sigurt e të denjë dhe sigurim shoqëror nuk është vetëm një e drejtë bazë me natyrë social-ekonomike, por edhe një nga të drejtat themelore të njeriut dhe një e drejtë kushtetuese. Në tubim do të marrin pjesë qytetarë, organizata të shoqërisë civile dhe përfaqësues të sindikatave, në mbrojtje të të drejtave të punonjësve.

Në thirrjen e Shoqatës thuhet se, situata e respektimit të të drejtave të punëmarrësve në Shqipëri shoqërohet nga shkelje serioze dhe të përsëritura të të drejtave në punë. Statistikat tregojnë se vetëm në vitin 2018, në vendin tonë, 27 punonjës kanë humbur jetën në vendin e punës, rreth 23 % e punonjësve punojnë mbi 40 orë në javë, në kundërshtim me Kodin e Punës, punësimi i të miturve mbetet një shqetësim ku ka nevojë të merren masa parandaluese, dialogu social mbetet i ulët qoftë në sektorin privat ashtu edhe shtetëror dhe lëvizja sindikale nuk ka peshën e nevojshme për të ndikuar respektimin e kushteve të punës për punonjësit. Sipas Shoqatës, duke parë këtë problematikë të rëndë, aktiviteti i mësipërm synon të nxisë institucionet përgjegjëse, që të kryejnë më mirë funksionet e tyre ligjore, për sa i takon konstatimit por edhe ndëshkimit të subjekteve që shkelin të drejtat në punë. Qëllim tjetër i këtij aktiviteti është ndërgjegjësimi dhe rritja e përfshirjes së punonjësve, shoqërisë civile, medias si dhe opinionit publik në tërësi për të ngritur zërin për punësim të sigurt e të denjë.
Shoqata deklaroi gjithashtu, se përveç këtij aktiviteti me natyrë sensibilizuese, do të ndjekë në vazhdimësi zhvillimet që kanë të bëjnë me të drejtat e punës.
“Ne kemi reaguar me deklarata publike në rastet kur janë konstatuar shkelje të rënda të të drejtave në punë si p.sh., në rastin e vdekjes së minatorëve në minierat e Bulqizës. Përmes Projektit “Fuqizimi i mobilizimit social për të drejtat e punës në sektorin Call Center”, të mbështetur nga Olof Palme International Center, do të realizojmë aktivitete të tjera për fuqizimin e punëmarrësve për mbrojtjen e të drejtave të tyre, për fuksionimin e Këshillave të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, për krahasimin e legjislacionit vendas me atë të BE me qëllim përafrimin e standarteve më të mira në këtë fushë, adresimin e rekomandimeve tek institucionet legjislative dhe ekzekutive, etj,” thuhet më tej.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



