Para

1.7 miliardë lekë për 791 mijë pensionistë/ Indeksimi për pensionet vetëm 4.1%

Nga Gazeta ‘SI’- 791 mijë pensionistë do të përfitojnë nga indeksimi prej 4.1% i pensioneve në këtë vit.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore sapo ka miratuar një vendim, që tashmë pritet ta miratojë qeveria, për indeksimin.

“Në këtë projektvendim parashikohet që të indeksohen të shtohen në masën 4.1 për qind pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara dhe pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit, pensionet familjare dhe për vjetërsi shërbimi, bazuar në përllogaritjen zyrtare të INSTAT që është institucioni përgjegjës për deklarimin e indeksit të çmimeve të shportës së mallrave e shërbimeve për pensionistet”, argumenton ISSh.

Vendimi i miratuar përllogarit se kosto e këtij indeksimi arrin në 1.7 mld lekë dhe thekson se rreth 69 mijë persona janë përfitues të pensioneve të veccanta të qeverisë.

“Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, përllogariten në shumën 1,693,000,000 (një miliard e gjashtëqind e nëntëdhjetë e tre milion) lekë, për 3 muajt e fundit të vitit 2024, të cilat përballohen nga fondi për politikat e indeksimit të pensioneve, i parashikuar në buxhetin e ISSH.

Projekt VKM pritet të dërgohet për në Qeveri nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe të miratohet brenda muajit shtator 2024″, përfundon ISSH.

Me këtë indeksim, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë.

Përpos indeksimit, qeveria po punon për në skemë të re pensionesh, që do të përfshijë dhe rritjen e vlerës së pensionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë