Kosova

1.2 mln doza Pfizer, Kosova arrin marrëveshjen me Pfizer

Kosova ka arritur marrëveshjen e parë direkt me një kompani prodhuese vaksinash anti-Covid jashtë mekanizmit Covax.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njoftoi se është arritur dakordësia me kompaninë Pfizer për furnizimin e vendit me rreth 1.2 mln vaksina, që synohet të mbërrijnë në vend brenda këtij viti.

Dozat do të mjaftojnë për vaksinimin e 600 mijë qytetarëve të Kosovës, ose rreth një të tretën e popullsisë, ndërkohë që objektivi i vendosur nga Qeveria e Albin Kurtit është që brenda këtij vitit të vaksinojë me të dyja dozat dy të tretat e popullsisë.

Deri më tani Kosova ka përfituar numër relativisht të vogël vaksinash nga mekanizmi Covax dhe në formën e donacioneve nga vende mike. Marrëveshjen me Pfizer e njoftoi Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

“Është arritur marrëveshja me Pfizer për blerjen e 1.213.290 dozave të vaksinës COVID-19. Ky moment shënon hapin më të rëndësishëm për Republikën e Kosovës përballë Covid-19, duke ruajtur shëndetin e qytetarëve dhe sistemin tonë shëndetësor. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë me një ritëm të shpejtë, për të arritur vaksinimin e 60% të qytetarëve deri në 2021”, thuhet në deklaratë.

Sa i takon çmimit të blerjes së këtyre dozave dhe kur nis mbërritja e tyre nuk jepen detaje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë