Drejtësia

1.2 milionë euro dëm, arrestohen sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Financave dhe 2 të tjerë

Gazeta Si – Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, drejtori i Shërbimeve Mbështetësve dhe Çështjeve Ligjore i këtij institucioni, Fatmir Hoxha dhe përmbaruesi privat, janë arrestuar për akuzat e shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar një dëm shtetit në vlerën 1,2 milionë eurove.

Gjithçka lidhet me një proces kompensimi për privatizimin e një magazina shtetërore, pavarësisht se ishin paguar dhe një herë tjetër.

Këta shtetas shpërblyen shtetasin Ilir Thana, në vlerën e rreth 82.000.000 lekëve, nga të cilat 50.000.000 lekë të kaluara në llogarinë e këtij shtetasi duke e trajtuar si pronar pa qenë në këtë status si dhe duke ekzekutuar për herë të dytë një vendim gjyqësor të ekzekutuar nga Ministria e Financave në vitin 2015.

“Organi procedues konstaton dhe çmon se ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur. Organi procedues ka urdhëruar sekuestrimin e shumës se kaluar shtetasit I. Th. dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Tiranës.

Ata akuzohen nga prokuroria se kompensuan dy herë Thanën për një pronë që nuk ishte e tij dhe që do i shkaktonte buxhetit te shtetit një dëm prej rreth 1,2 milionë Euro. Bëhet fjalë për privatizimin e një objekti magazine dhe truallin e shitur në vitin 1992 shtetasit Ilir Thana.

Gjykata e Apelit kishte vendosur pavlefshmërinë e kontratës së shitjes në vitin 2000, kthimin e objektit te Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe kthimin e lekëve të shitjes blerësit.

Fillimisht Ministria e Financave në zbatim të këtij vendimi derdhi në llogarinë e Thanës vlerën prej 290  mijë Lekëve për ta likuiduar dhe për të marrë pronën, por ai e kundërshtoi, duke iu drejtuar zyrës përmbarimore.

Përmbaruesi Alban Rulit, dyshohet se në kundërshtim me ligjin e trajtoi Thanen jo më si blerës, por si ish-pronar dhe e vlerësoi objektin në vlerën rreth 146 milionë Lekëve.

Prokuroria dyshon se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe persona të tjerë, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën  mbi 48 milionë.

Gjokutaj ka pasur edhe detyra të tjera shtetërore, duke drejtuar Drejtorinë e Pastrimit të Parave.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë