Futboll

Skënderbeu çmonton Flamurtarin dhe kryeson i vetëm

Supersfida e javës së katërt të kampionatit ka folur për Skënderbeun, që ka shënuar dy herë në portën e Flamurtarit dhe tashmë kryeson i vetëm me 10 pikë. E njëjta muzikë për vlonjatët përballë ekipit kampion, edhe pse i kanë marrë këtij të fundit trajnerin Ilir Daja. “Mësuesi” është mundur nga “nxënësi”, por ajo që vlen të theksohet lidhet me një ligj të njohur në futboll: është ekipi që e bën individin dhe jo e kundërta. U vërtetua në stadiumin e Vlorës, ku Skënderbeu, këtë sezon me një projekt të mbështetur tek elementët e rinj, ka triumfuar me lojë dhe me rezultat ndaj një Flamurtari, ku vazhdohet të investohet pa fuind, por ekipi i dëshiruar nga të gjithë nuk është ndërtuar kurrë.

Blerim Krasniqi dhe Oto Xhon shënuan në portën e Koliçit në pjesën e dytë, duke i shkaktuar humbjen e parë Flamuratrit, që mbetet në kuotën e 7 pikëve, aq sa kanë edhe Kukësi e Partizani. Trajneri Shehi rikuperoi në minutat e fundit mbrojtësin me përvojë Kristi Vangjeli dhe sulmuesin Krasniqi. Ishte ky i fundit që shfrytëzoi një goditje standarde për të zhbllokuar rezultatin. Më pas gjithçka u bë më e lehtë për korçaërt, pasi Flamurtari u godit rëndë psikologjikisht. Afrikani Xhon dyfishoi pak minuta nga fundi, duke bërë që tifozët vlonjatë të linin stadiumin para kohe. Trajneri Ilir Daja nuk kishte të gatshëm Albi Allën, ndërkohë që gjatë lojës humbi për dëmtim edhe Hysenin e më pas Pollozhanin. Torasa, Bushiç dhe Danilo Alvesh nuk arritën të bënin asgjë përballë mbrojtjes korçare.

Lojtarët e dy ekipeve takohen para ndeshjes

Skënderbeu bindi në Vlorë dhe është e qartë se mentaliteti që ky ekip ka fituar vitet e fundit e ndihmon të dominojë në futbollin shqiptar, edhe pse këtë herë nuk ka shpenzuar si më parë. Nga lojtarët e rinj ra në sy mbrojtësi Kaba Sambou, i cili luajti një ndeshje perfekte. Edhe Lulaj, Krasniqi e të tjerë bënë një paraqitje të mirë. Skënderbeu dhe Laçi janë të vetmet skuadra që nuk kanë pësuar humbje deri tani në kampionat.

Pas ndeshjes, trajneri Orges Shehi theksoi: “Luajmë me lojtarë të rinj, por të mos harrojmë se ata kanë qenë pjesë e jona edhe më parë. Janë rritur me frymën tone dhe kanë dëshirën për të fituar. Dua t’i përgëzoj të gjithë. Jemi të kënaqur me fitoren dhe më shumë me mënyrën si e kemi arritur atë. Nuk ishte fitore e rastësishme, pasi luajtëm me agresivitet. Patëm pak presion në fundin e pjesës së pare dhe lamë hapësira për Flamurtarin. Radas kishte dhimbje mesi dhe luajti me injeksion, duke sakrifikuar për ekipin. Duhet të kemi ego në çdo ndeshje për të marrë gjithmonë maksimumin”.

Orges Shehi, trajneri i Skënderbeut

I zhgënjyer nga humbja, trajneri i Flamurtarit, Ilir Daja, nuk i kurseu kritikat për të tijtë: “Nuk mund t’u  mësoj lojtarëve si të marrin topin dhe si ta pasojnë atë. Komponenti i parë që duhet përmirësuar është ana psikologjike. Lojtarët duhet që vlerat individuale t’i vënë në shërbim të grupit. Nuk I lëmë asgjë rastësisë në stërvitje, por u ndëshkuam në një goditje standard. Gaboi një lojtar me experience, duke sjellë çrregullsi në atë goditje standarde. Duhet të kthejmë besimin, sepse grupi ka cilësi. Ishim të mbingarkuar psikologjikisht dhe disa lojtarë me eksperiencë treguan mangësi edhe në veprime të thjeshta. Pollozhani ka eksperiencë dhe u vu nën presion në një hapësirë të madhe”.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë