Ngjarje

Skandali i basteve online, del në skenë emri i Igli Tares

Organet e drejtësisë në Itali po zhvillojnë një operacion për kontrollin e basteve online nga familjet mafioze dhe organizata “’Ndragheta”. Deri tanë janë 68 të arrestuarit dhe më shumë se 1 miliard euro të sekuestruara, ndërkohë që në dosje përfshihet edhe Shqipëria mes shumë vendeve të tjera. Së fundi ka dalë në skenë edhe emri i Igli Tares, ish-kapitenit të Kombëtares dhe drejtorit sportiv aktual të Lacios.

Është Prokuroria e Katanias që ka nxjerrë emrin e drejtuesit shqiptar të Lacios, Igli Tare, por edhe të vëllait të tij Genti Tare, pas përgjimeve të bëra nga organet kompetente në Itali. Në atë pjesë të dosjes, ku përfshihet edhe Shqipëria, jepen këto detaje: “Kontaktet fillojnë me avokatin Mirko Daidone, te cilit Fabricio Xherola i kërkon informacion për një kompani bastesh, që drejtohet nga vëllezërit Tare, me 400 dyqane në gjithë Shqipërinë, e interesuar për t’u përhapur nën emrin “BET1128”. Kjo kompani, për të cilën është interesuar Xherola, është “Top Bast”. Rezulton që “Top Bast” ka një kapital prej 22 milionë lekësh, e ndarë në 22000 kuota, me vlerë 1000 lekë secila, në zotërim të Ermal Bajramit. Kompania është e vëllezërve Genti dhe Igli Tare, respektivisht konsull i Shqipërisë në Turqi dhe drejtor sportiv i Lazios.”

Skema e mashtrimit, sipas hetimit të organeve italiane, kishte në bazë të saj një kompani të regjistruar në Kuraçao, në pronësi të një kompanie shqiptare me emrin “Remonte Bettingsolution”, që përdorej nga grupet mafioze. Të ardhurat nga aktiviteti mafioz i basteve online kalojnë shifrën e 4.5 miliardë eurove në total. Hetimi vazhdon dhe priten të tjera detaje.

Në qendër të skandalit të basteve online janë familjet mafioze italiane të Rexhio Kalabrias, Katanias dhe Pulias, si dhe organizata kriminale “’Ndragheta”, që në bazë të këtij aktiviteti të paligjshëm kanë siguruar të ardhura të jashtëzakonshme. Organet e drejtësisë në Itali kanë bashkëpunuar me shumë vende të tjera, ku përveç Shqipërisë janë përfshirë edhe Malta, Serbia, Austria, Zvicra, Belgjika, Holanda, Kuraçao etj. Përgjimet kanë zbuluar rrjetin e paligjshëm, por thelbësor ka qenë rrëfimi i një të penduari, i cili kishte bashkëpunuar me mafien.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë