Një studim i ri italian ka treguar për herë të parë se një bakter instestinal, Escherichia Coli, qarkullon në gjakun e pacientëve me infarkt dhe përqëndrohet në tromboza duke lehtësuar rritjen e tyre. Rezultatet e publikuara në revistën “European Heart Journal”, hapin perspektiva të reja terapeutike, mes të cilave zhvillimin e një vaksine që të parandalojë procesin trombotik. Sëmundjet kardiovaskulare, si infarkti i miokardit dhe iktusi, janë shkaqet kryesore të vdekshmërisë së popullatës në botë.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, sëmundjet kardiovaskulare në Shqipëri shkaktojnë mbi gjysmën e vdekjeve duke zënë vendin e parë të të gjitha vdekjeve, ndaj mund të konsiderohen si sëmundjet me peshën më të madhe në shoqërinë shqiptare. Në Shqipëri, në vitin 2010 sëmundjet kronike përbënin rreth 88% të të gjitha vdekjeve, ku 55% kishin shkaktar sëmundjet kardiovaskulare (Raporti Shëndetësor Kombëtar, RSHK 2014). Nëse do të shikonim rastet e vdekjeve, shohim se dy janë sëmundjet që shkaktojnë më shumë vdekje, sëmundjet e arterieve koronare apo sëmundjet ishemike të zemrës dhe goditja në tru (sëmundjet cerebrovaskulare).
Pjesa më e madhe e infarkteve shkakohen për shkak të formimit të koagulimit të gjakut (trombeve) që pengon një ose disa arterie koronare, por mekanizmat mbi bazën e të cilave kjo funksionon, nuk janë qartësuar ende plotësisht.
Studimi mbi kampionin e 150 pacientëve është fryt i bashkëpunimit të një grupi mjekësh kardiologë, kardiokirurgësh, anatamopatologësh, patologësh klinikë dhe biologë, të drejtuar nga Francesco Violi, drejtor i Klinikës Mjekësore në Poliklinikën Universitare “Umberto I”. Në 50 pacientë të goditur nga infarkti u analizua përqendrimi bakterial i pranishëm në trombe, i cili u krahasua me atë të 50 pacientëve me kushte normale kardiake (me anginë normale), si dhe me atë të 50 pacientëve të tjerë që ishin nën ndjekje mjekësore.
Kërkuesit shkencorë zbuluan se në grupin që kishte pësuar infarkte, kishte prani në mënyrë domethënëse më të lartë bakteriale. Nëpërmjet metodave të biologjisë molekulare, u arrit të tregohej se bakteri që qarkullonte në gjakun e pacientëve me infarkt, ishte Escherichia Coli, një bakter tipik instestinal (i zorrëve dhe aparatit tretës).
Për të kuptuar arsyen e pranisë bakteriale, ekipi analizoi përshkueshmërinë e zorrëve të pacientëve që kishin kaluar infarkt, e cila rezoltoi se ishte e ndryshme nga ajo e pacientëve që ishin nën kontroll mjekësor. Kjo gjendje u pa e lidhur me përqendrimin e kapsulës bakteriale në trombin koronar, çka tregoi se përshkueshmëria e rritur e zorrëve është përgjegjëse për zhvendosjen bakteriale në gjakun e pacientëve me sulm në zemër. Kjo dukuri u eksperimentua edhe në kavie kafshë, përmes injektimit të bakterit Escherichia Coli, çka e forcoi trombozën./ tgcom.it
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.