Portofol

“Veprimtaritë kriminale kanë rritur ofertën e Euros”

Nga Zef Preçi - Siç dihet, kursi i këmbimit të monedhës kombëtare me monedhat e huaja varet nga faktorë të tillë si inflacioni, normat e interesit, bilanci i pagesave, borxhi publik, kushtet e tregtisë, stabiliteti politik i vendit, situatat e recensionit ekonomik, spekullimet në treg, etj. Të gjithë këta faktorë përcaktojnë luhatjet e kursit të këmbimit. Kështu ndodh edhe me monedhën tonë kombëtare.

Në kushtet kur monedha jonë kombëtare - Leku është mbiçmuar në këmbimin me monedhën Europiane - Euron dhe vlera e tij e sotme, e mbiçmuar psh në krahasim me një vit më parë, roli i këtyre faktorëve është i ndryshëm. Psh norma e ulët e inflacionit për një kohë të gjatë e favorizon një Lek me vlerë më të rritur. Ndërsa normat e interesit relativisht të ulëta, nuk e favorizojnë atë. Borxhi publik është padyshim ndër faktorët më të rëndësishëm defavorizues të një Leku të forte siç është sot. Kjo për arsye se borxhi ynë publik është shumë i lartë për një ekonomi të dobët si jona duke penguar kështu, veç të tjerave, edhe rritjen e investimeve të huaja direkte.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për bilancin e pagesave. Madje mund të thuhet se për shkak të mbiçmimit të Lekut, eksportuesit shqiptarë janë duke u përballur me probleme serioze, kjo edhe për shkak të normës së ulët të fitimit që sigurojnë nga fasonet, etj.

Sa i takon stabilitetit politik të vendit, në vlerësimin tim, kemi një situatë përgjithësisht të qëndrueshme, pavarësisht problemeve që lidhen me keq-qeverisjen, korrupsionin, ndikimin e oligarkisë, etj. Në fakt, nëse vendi ynë do të tërhiqte investitorë të huaj, fuqizimi i Lekut do të ishte një proces normal dhe rrjedhë logjike e investimeve të kryera prej tyre. Për fat të keq, ky nuk është rasti ynë aktual. Sepse qëndrueshmëria politike dhe mirëfunksionimi i shtetit duhej të çonte në zgjerimin e përdorimit të monedhës sonë kombëtare dhe jo e kundërta, siç po ndodh edhe mbas fushatës së vitit të fundit të qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë për de-euroizimin.

Spekullimi në treg është një situatë kur studime, vlerësime apo deklarime publike të zyrtarëve të lartë të besueshëm (psh të guvernatorit të Bankës Qendrore) paralajmërojnë fuqizimin e monedhës kombëtare, gjë që shtyn investitorët të kërkojnë më shumë atë monedhë për të siguruar fitime më të mëdha në të ardhmen e afërt. Si rezultat, vlera e monedhës do të rritej për shkak të rritjes së kërkesës. Me këtë rritje në vlerën e monedhës, vjen një rritje në kursin e këmbimit gjithashtu. Natyrisht edhe ky nuk është rasti i vendit tonë.

Atëherë, cila është aresyeja e mbiçmimit të Lekut shqiptar veçanërisht gjatë 12 muajve të fundit? Sipas mendimit tim, shkaku kryesor duhet kërkuar në ofertën e lartë të monedhës Euro në tregun e brendshëm për shkak të veprimtarive kriminale (cannabis sativa dhe drogëave të forta) në vendet Perëndimore. Shpjegimet e tjera gjoja mbi lulëzimin e ekonomisë sonë si “ekonomia me rritjen më të madhe në rajon”, etj., mendoj se janë një tautologji e pastër politike dhe nuk meritojnë të komentohen. Natyrisht mbiçmimi i Lekut është favorizuar edhe nga kërkesa e dobët e brendshme dhe pakësimi i numrit të konsumatorëve për shkak të largimit nga vendi i rreth 1/5 së popullsisë shqiptare gjatë dekadës së fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë