Politike

Turqia: Shqipëria të dorëzojë qindra gylenistë, janë rrezik për Sigurinë Kombëtare

Duke iu referuar vazhdimisht Ministrit të Jashtëm në Detyrë si vëllai im Genti, kreu i diplomacisë turke, Mevlut Cavusoglu i kërkoi edhe njëherë Shqipërisë të dorëzonte të gjithë gylenistët që sipas tij, strehohen në vendin tonë.

Sipas ministrit të jashtëm turk, numri i anëtarëve të FETO-s në Shqipëri arrin në qindra dhe përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare të vendit tonë.

Duke folur në një konferencë për shtyp me zotin Cakaj në Tiranë, Cavusoglu deklaroi se ia kishte kërkuar dorëzimin e tyre jo vetëm ministrit, por edhe kryeministrit Edi Rama, të cilit po ashtu iu referua si “vëllai im Edi”.

“FETO nuk është kërcënim vetëm për Turqinë, por edhe për vendet ku ndodhet. FETO kontrollohet nga shërbimet sekrete të disa vendeve. Ne dëshirojmë kthimin e tyre në Turqi. I kemi shpjeguar vëllezërve tanë shqiptarë për rrezikun që paraqet kjo organizarë. E kemi paralajmëruar edhe kryeministrin Rama, por edhe Gentin se çfarë kërcënimi paraqet FETO për Shqipërinë”, deklaroi ministri i jashtëm turk, duke kujtuar se Ankaraja është një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, sidomos në fushën e arsimit.

“Bashkëpunimi është rritur edhe më shumë pasi është hapur universiteti i Nju Jorkut nga Universiteti Marif. Presim dhe mbështetjen dhe kontributin e palës shqiptare. Në fushën e arsimit do vazhdojmë të ndihmojmë Shqipërinë”, theksoi Cavusoglu

Ai njoftoi po ashtu se presidenti Erdogan do të vizitojë së shpejti Shqipërinë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit dy palësh. Cavusoglu deklaroi se Shqipëria ka marrë “disa hapa” për përjashtimin e anëtarëve të FETO-s dhe kërkoi që të “vazhdojë përpara”.

“Nuk ka shifra se sa anëtarë të FETO-s ka në Shqipëri, por ka me qindra. Kemi kërkuar rikthimin e tyre. Shqipëria ka hedhur disa hapa, presim që të vazhdojë përpara me to. Nuk duam që anëtarët e FETO-s të qëndrojnë në Shqipëri, Ja shpjegova vëllait tim Gentit dhe do t’ia shpjegoj edhe kryeministrit Rama se FETO përbën rrezik për sigurinë kombëtare”, tha ai.

Nga ana e tij, ministri Cakaj njoftoi se kishte nënshkruar tre marrëveshje dypalëshe me Cavusoglu, mes tyre edhe njohja e ndërsjellët e patentave.

“Kemi nënshkruar 3 dokumente, memorandumi i mirëkuptimit për shkëmbim të diplomatëve, mundësi për shkëmbim të përvojave. Së dyti edhe deklarata e përbashkët me qëllim luftën kundër terrorizmit dhe së treti për njohjen e ndërsjellë të patentave”, tha Cakaj.

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Erdogan. Gazeta Si, 2020

Vizita e Cavusoglt vjen vetëm pak javë pasi Shqipëria dëboi një mësues turk që kishtë kërkuar azil politik në vendin tonë, një lajm që shkaktoi një debat të madh në vend. Qeveria shqiptare e ka mohuar, por mediat turke raportojnë se agjencia e inteligjencës turke, MIT, ishte përfshirë në mënyre direkte në ekstradimin në 1 janar të një shtetasi turk që akuzohej për përkrahjen e klerikut Fethullah Gulen. Së bashku me të ishte edhe shoku i tij, Selami Simsek. Ky i fundit, ndodhet në burg, por dyshohet se ka kërkuar azil politik në Shqipëri, duke ndjekur të njëjtën procedurë si miku i tij i deportuar në Turqi.

Mësuesi Harun Celik u arrestua në Shqipëri në korrik të vitit 2019 kur u përpoq të udhëtonte nga Kazakistani në Kanada përmes Tiranës me dokumente false.

Mediat turke e kanë cilësuar dëbimin e Celik si një ” operacion të suksesshëm” të kryer nga MIT, por Shqipëria insiston që gjithçka ishte bërë në përputhje me procedurat normale.

Qeveria shqipare gjithashtu ka mohuar që kthimi i detyruar i Celik në Turqi ishte një produkt i marrëdhënies së ngushtë midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan.

Avokati i Celik në Shqipëri, Alban Bengasi, tha se i akuzuari kishte paraqitur një kërkesë për azil politik, kështu që dëbimi i tij nga Shqipëria ishte i paligjshëm.

Qeveria turke akuzon Gulen, i cili jeton në mërgim në SHBA se qëndron pas një përpjekje të dështuar për grusht shteti në vitin 2016. Pas përpjekjes për grusht shteti, ajo filloi t’i referohej lëvizjes së Gulenit si “Organizata terroriste FETO”,.

Që atëherë, Erdogan ka arrestuar dhjetëra mijëra njerëz, pushoi qindra mijëra nga puna dhe mbylli mijëra kompani, OJQ dhe institucione arsimore për shkak të lidhjeve të pretenduara me Gulen. Ankaraja gjithashtu ka bërë presion ndaj shteteve të Ballkanit që të dorëzojnë “gulenistët” e supozuar dhe të mbyllin çdo institucion që lidhet me lëvizjen e armikut të Erdoganit. Shumica i kanë rezistuar thirrjes së qeverisë turke për ekstradime, por agjensia e inteligjencës MIT është përfshirë në disa operacione të diskutueshme për dëbimin e të dyshuarve.

Në një intervistë për mediat në Stamboll disa muaj më parë, ministri turk do të paralajmëronte se FETO ka një ndikim jo vetëm në arsimin, por edhe politikën shqiptare. “Ne u kemi thënë se FETO është qartazi shumë e fuqishme në Shqipëri dhe ka njëfarë ndikimi në politikë. E shohim këtë gjë. Edhe në Kosovë është e njëjta. E kemi parë këtë gjatë disa zhvillimeve”, shprehej ai në një intervistë për “Anadoly Agency”. “Ua kemi komunikuar mendimet tona të dyja këtyre vendeve vëllazërore”.

Ndërkohë, gjatë konferencës me Cakajn, Ministri i Jashtëm theksoi po ashtu se Turqia pret mbylljen e të gjitha shkollave dhe institucioneve mbarëbotërore të lidhura me FETO dhe pasuesit  e Fetullah Gulen. Turqia ndërmori një betejë të vërtetë për arsimin pasi themeloi Fondacionin Maarif (TMV) në vitin 2016 për të marrë përsipër administrimin e shkollave jashtë shtetit të lidhura me FETO-n. Gjatë vizitës Tiranë, Çavuşoğlu njoftoi gjithashtu se ky fondacion, pasi ka marrë drejtimin e Universitetit të Nju Jorkut, do të themelonte disa shkolla dhe qendra edukimi të reja një vendin tonë.

 

Më Shumë