Treg

Tregu i telekomunikacionit, ONE po ‘mund’ Vodafone

Konkurrueshmëria e kompanive të telekomunikacionit në vend është rritur gjatë tre muajve të fundit të vitit 2021, ku ONE i është afruar Vodafone.

Vodafone, historikisht kompania dominuese në numër konsumatorësh ka rënë në 43% të masës së tregut nga 47% që ishte në fund të 2020-s. ONE Telecommunications arriti të zinte 41% të tregut të komunikimit, nga 37% që ishte vitin e shkuar.

Albtelecom, operatori i tretë në treg zë vetëm 16%, pa rritje apo ulje nga e njëjta periudhë e 2020-s.

Për tremujorin e tretë, numri i përdoruesve përdoruesit aktivë të telefonisë celulare arriti 2.66 milionë, në rritje me 9% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për këtë vit, xhiroja dhe treguesit e tjerë financiarë nuk janë ende të disponueshëm. Megjithatë, për vitin e kaluar indeksi HHI i përqendrimit të tregut, i matur sipas të ardhurave totale nga komunikimet elektronike, ra në 4129, nga 4149 që kishte qenë një vit më parë.

AKEP ka shprehur shqetësimin se konkurrenca po shoqërohet edhe me praktika të çmimeve grabitqare, që mund të dëmtojnë sidomos operatorët më të vegjël dhe në tërësi aftësinë e tregut për të siguruar fitime të mjaftueshme për të mbështetur investime të reja në të ardhmen. Sipas të dhënave nga AKEP, rezultati i përbashkët i tre operatorëve celularë për vitin e kaluar ishte negativ në vlerën e rreth 235 milionë lekëve, në përkeqësim të dukshëm nga viti 2019, kur rezultati agregat kishte qenë pozitiv për më shumë se 1 miliardë lekë. Përcaktuese në këtë përkeqësim ka qenë tkurrja e ndjeshme e rezultatit të kompanisë Vodafone Albania, që raportoi një fitim prej vetëm 120 milionë lekësh, ndërsa në vitin 2019 kishte arritur fitim për rreth 1.4 miliardë lekë. Ndikim negativ dha edhe rezultati i Albtelecom, që thelloi humbjet për të dytin vit radhazi. Sipas AKEP, Albtelecom humbi rreth 1.18 miliardë lekë, nga 645 milionë lekë që kishte qenë humbja e vitit të mëparshëm.

I vetmi operator që për vitin e kaluar arriti të përmirësonte rezultatin e vet financiar ishte ONE, që raportoi një fitim në vlerën e 820 milionë lekëve, nga 285 milionë lekë fitim që kishte arritur për vitin 2019.

Shkalla e përqendrimit të tregut të telefonisë celulare ra për herë të parë në vitin 2020, që pas daljes nga tregu të operatorit të katërt, Plus Communication.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë