Sociale

Transporti publik nis më 15 qershor, të hënën protestë te MIE

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi se më 15 qershor nis transporti urban. Por shoqatat e transportit thonë se nuk kanë njoftim zyrtar për nisjen dhe se si do të funksionojë. “Bazuar në lajmin e marrë nga Instagram i Ministres, informoj … që ky lajm nuk është marrë ende zyrtarisht. As Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas dhe as operatorët nuk kanë ende një njoftim zyrtar dhe më e rëndësishmja, instruksione se si do të funksionojë shërbimi”, shprehet Rixhin Qoshja, kryetar i Shoqatës së Transportit Urban.
Rikthimi i këtij shërbimi thuajse jetik për qytetarët - sipas ministrisë - do të bëhet gjithsesi me disa kushte:
Autobusët do të jenë të mbushur vetëm në 70 për qind të kapacitetit të tyre; të gjithë pasagjerët do të duhet të mbajnë maska, si edhe distancën nga njëri-tjetri.

Më herët, sektori i transportit kishte njoftuar zhvillimin të hënën të një proteste në dyert e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Me anë të një letre përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit kanë njoftuar që këtë të hënë në orën 10:00 do të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, për fillimin e transportit, me një protestë përpara Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE). Sipas tyre, transporti është ndër aktivitetet më të prekura ekonomikisht nga Covid-19.

Ata gjithashtu i kanë paraqitur ministrisë edhe 6 kërkesa:
1.Heqja e akcizës për blerjen e naftës nga shoqëritë e transportit publik.
2.Njohjen e shpenzimit të zbritshëm 100%, për naftën pasi është lënda jonë e parë.
3.Subvencionimin me 50% të ngarkesës direkt në llogaritë e shoqërive të transportit publik duke marrë parasysh lejen e udhëtimit për të kuptuar sa kapacitet ka mjeti.
4.Zbritja e TVSH-së në shitje nga 20% në 0% për vitin 2020 dhe rikthimin e tij në nivelet e sektorit të turizmit 6% pasi edhe transporti është një nga hallkat e tij.
5.Faljen e taksave vendore të mjeteve për vitin 2020
6.Të merren masa urgjente nga organet e Ministrisë së Punëve te Brendshme dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për luftimin e transportit të udhëtarëve me mjete informale i cili ka lulëzuar gjatë pas pandemisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë