T’i lejojmë që tani njerëzit të lahen në det…

Në një ditë të nxehtë jave, një gazetar në Greqi po raportonte pamje nga bregu i detit se si dhjetëra qytetarë grekë kishin mësyrë detin, pa drojën më të vogël se ai freskim do tu kushtonte 150 euro. Një makinë policie përshkonte rrugën paralel me plazhin duke njoftuar me artopolant se nuk duhej.
Thirrja nuk bëri fajde.
Greqia ka 10 ditë që ka “lejuar” plazhin, por vetëm brenda qytetit. Njerëzit nuk mund të lëvizin nga njëri qytet në tjetrin për ta bërë këtë gjë. Bizneset nuk janë lejuar ende të hapen në këto zona. Shumëkush po kridhet në ujë individualisht. Tre ditët e fundit, numri i plazhistëve është shtuar. Por kurba e rasteve në Greqi mbetet e njëjtë. Numri i të infektuarve është në kontroll dhe varion nga 10 deri në 17 raste. Për këtë arsye, më 18 maj, Greqia do të lejojë zyrtarisht hapjen e plazhit…

’’’’
Në Shqipëri, disa prej nesh, kur moti u ngroh javën e kaluar, nuk i shpëtuan tundimit të detit duke çarë karantinën. Ju gëzuan diellit në bregdet duke shijuar plazhin. Të tjerët xheloz pa zarar, u lanë virtualisht nga imazhet online.

Qytetare duke shfrytezuar motin e mire per te bere banjo dielli ne bregdetin e Golemit dhe shetitje ne plazh, pavaresisht masave te marra kunder perhapjes se koronavirusit, COVID 19.

(Foto të gazetës me njerëz duke marrë rreze dielli me rroba banje)
Javën që vjen e dy të tjera më pas do të jetë shumë nxehtë. Temperaturat do të kalojnë 35 gradë celcius.

Më shumë njerëz do të shkojnë në plazh, të paktën ata të qyteteve bregdetare. Policia edhe nëse do të dojë, nuk do të mund t’i ndalojë. Përgjatë vijës bregdetare 316 kilometra gjenden shtigje veçanërisht mes zonave në fshat.
Lëvizja më e lirë, në zonat e gjelbëra nis të hënën, dhe fatmirësisht mes tyre është përfshirë edhe një pjesë e mirë e bregdetit përveç zonës së Shkodrës, Fierit dhe Durrësit. Do të lejohet shumëçka, vetëm plazhi jo. Të paktën zyrtarisht.
Sepse edhe kjo “barrierë” me gjasë do të thyhet me dhunën e padurimit dhe imponimit të temperaturave të larta ashtu siç u thye edhe karantina më e fortë në kryeqytet, në sy të policit, e jo më tani kur kushtet për të lëvizur janë minimizuar dhe oraret janë zgjatur.
Është e vështirë t’i bindësh njerëzit edhe me argumenta më shkencorë se të lahesh në detin me kripë e jod plot është e rrezikshme se infektohesh. Ndoshta jo të gjithë do të shkojnë në plazh, më të guximshmit dhe më dinakët do ta gjejnë një rrugë, të tjerët do të dëshironin po aq shumë.
Për të mos i ndëshkuar njerëzit dhe për t’i bërë të gjithë të ndihen të barabartë, qeveria duhet të ”legalizojë” plazhin të paktën për popullatën lokale, duke filluar me zonat më të sigurta si Saranda, Vlora apo Shëngjini.
Qeveria duhet ta bëjë këtë edhe për një arsye tjetër. Shqipëria po përgatitet për të hyrë në sezonin e verës dhe mijëra biznese të turizmit të goditur rëndë nga pandemia (ndonëse me shpresa të vakta), ende presin të fitojnë diçka. Qeveria ka vendosur rregulla strikte se si njësitë akomoduese apo restorantet dhe baret e plazhit duhet të punojnë kur të hapen. Bizneset e turizmit apo ato të lidhura me to i kanë pranuar të gjitha rregullat shtesë edhe pse kanë kosto.
Në anën tjetër, qeveria ka ende të panjohuara. Ajo nuk e ka marrë vendimin e guximshëm edhe pse kurba e infeksionit është e kontrolluar në zonat e kuqe dhe zero në ato jeshile.
Të presësh deri sa e gjithë Shqipëria të kthehet në ngjyrë jeshile apo durimi të arrijë pikën e vlimit kapërcen jo vetëm sezonin, por gjithë vitin, siç thonë mjekët.
Ndaj një hapje tranzitore, graduale në formë testi do të ishte e këshillueshme për dy arsye fillestare: Së pari; Në zona më të vogla dhe me më pak njerëz autoritetet do ta kishin më të lehtë kontrollin e distancimit social në plazhe.
Së dyti; Bizneset do të mësoheshin në praktikë gradualisht pa sforco se si mund të ndjekin rregulloret e reja, që të mbrojnë nga infeksioni. Kjo kohë, pa arritur tek piku i sezonit do t’i shërbente edhe qeverisë të rishikonte protokollet nëse ato do të çedonin diku dhe ta kishte më të lehta parashikimin për vendimet e reja.

Fotografi ilustruese” Plazh ne HImare


Pa dyshim qeveria ka nevojë për më shumë partnerë përveç mjekëve dhe policëve, që ta mbajnë nën kontroll infeksionin. Biznesi turistik do të ishte një i tillë, madje i denjë.
Për shkak të kohës së shkurtër të përftimit, tre muaj, aq sa zgjat edhe sezoni veror, askush më shumë se këto biznese nuk është i interesuar që në ambjentet e tij, por edhe për shkak të tij të shfaqen vatra të infeksionit. Nëse autoritetet do të gjenin qoftë edhe një, apo pushuesit do të dyshonin edhe për një rast, apo më pak akoma, nëse vërenin se subjekti nuk ndjek rregullat e higjenës, e ardhmja ekonomike dhe financiare e këtyre bizneseve do të ishte një tragjedi.
Biznesi do të mbyllej duke u karantinuar dhe kostoja e këtij veprimi do të jetë më e gjatë se vetëm një sezon pasi në lojë do të ishte besimi i kosumatorit.
Qeveria, por dhe qytetari natyrshëm kërkojnë të kenë më shumë garanci dhe besim, por që ky besim të krijohet, bizneseve duhet tu jepet mundësia që ta tregojnë. Ndoshta jo të gjithë dhe jo menjëherë. Por ama duhet të fillojë. Ata, por dhe ne duhet të vlerësojmë nëse jemi gati. Kjo periudhë le të jetë një provë.
Le të jetë një provë edhe për një vendim tjetër më të guximshëm.
Skenari më i keq këtë vit për turizmin do të jetë që ai të mbahet nga pushuesi vendas.
Veçanërisht Durrësi do ta vuajë mungesën e turistit të Lindjes. Jugu atë të Europës Perëndimore, kryesisht italianët. Ndërsa Veriu, shqiptarët e Kosovës.
Sipas të dhënave zyrtare, 80% turistëve vijnë në Shqipëri në rrugë tokësore pasi janë pushues nga vendet fqinje dhe rajoni. Prova që mund të bëhet me hapjen e plazheve, të paktën për banorët në zonat e gjelbëra, (nëse gjërat do të ecin përgjithësisht sipas parashikimeve dhe rregullat do të zbatohen në mënyrë të pëlqyeshme, dhe pa shfaqje të infeksionit) do t’i jepte qeverisë një garanci më të madhe për të vendosur së pari ajo vetë që të hap kufijtë e për të negociuar pastaj me vendet e tjera për një këmbim dypalësh turistësh. Pse jo, për të lejuar edhe chart-erat.


Testi me hapjen sa më shpejt të plazheve, ku popullata të ketë mundësi edhe të lahet në det do të na rikuperonte kohën që do të na duhej më vonë për të gjetur më shumë pushues të huaj. Greqia po e bën këtë gjë, dhe bindshëm madje.
Nuk mjafton që të jemi gati me rregulloret. Duhet ta provojmë. Është e njëjta rrugë që u ndoq me karantinën apo daljen prej saj. Hapjen graduale. Qeveria ka premtuar se më 18 maj do të hapen baret dhe restorantet, por në verë turizëm pa det nuk ka. Ekonomia dhe familjet kanë nevojë të fillojnë të shpresojnë për më shumë të ardhura dhe më pak stres. Le ta fillojmë testin me plazhin. Në daç quajeni edhe një eksperiment social, se fundja ne jemi gati t’i nënshtrohemi. Le të jetë deti pasaporta jonë imunologjike. Në mos, do të ndjekim rrugën tonë.