Njerez

Tendenca e prindërve shqiptarë, fëmijë më shumë ambiciozë se sa të sjellshëm

Të jenë të qëndrueshëm, ambicioz, të sjellshëm apo të urtë, këto dhe shumë të tjera janë disa nga pyetjet që përfshin në fenomenin e “pamëshirshëm” të prindërimit, i cili quhet “Si po e rrisni fëmijën tuaj?”
Psikologja e fëmijëve, Lorela Garuli, shpjegon për Gazetën “Si” se prindërit shqiptarë kanë një qasje të gabuar për sa i përket edukimit të fëmijëve. Ata kanë një tendencë për, t’i edukuar fëmijët që të jenë më shumë ambiciozë seç duhet. Në librin e saj, “Zbulo Fëmijën tënd!”, Garuli thotë se çdo gjë në jetë, qoftë edhe fare e vogël, tregon shumë për edukimin e fëmijëve. Sipas saj, ambicia apo nxitja e konkurrencës dhe e sensit të garës me fjali të tipit: “Pse të mos jesh i pari i klasës? Çfarë kanë të tjerët më shumë se ti?, e të tjera të këtij lloji, në shumicën e rasteve kanë të bëjnë më shumë me nevojat e prindërve se sa të fëmijëve.
Në librin e saj Garuli shpjegon se fëmijët tregojnë shumë për veten dhe se si ndihen, që prej vizatimeve të thjeshta. Shpesh herë fëmijët, edhe në vizatime shprehin mendimet që kanë për prindërit, apo për veten. Kjo gjë na tregon se ata janë shumë transparent dhe mund të dallojmë fare mirë edhe edukimin e tyre.

Lorela Garuli

“Janë prindërit që plot herë orientojnë gabimisht dhe në mënyrë të papërshtatshme fëmijën drejt objektivave të ndryshme. Është një gabim i hasur shpesh në edukim, kur që në moshë të hershme, prindërit përcjellin mesazhe konkurrence dhe ambicieje të panevojshme,” shprehet Garuli për Gazetën “Si”.
Sipas psikologes, edukimi me baza dashurinë, është rruga parësore dhe e duhur për fëmijë të shëndetshëm psikologjikisht. Ajo shpjegon se është me e përshtatshme që të nxiten dhe edukohen fëmijët në bazë të dëshirave, pasioneve dhe aftësive të veta.
Gjatë viteve të kaluara, një studim i madh në Amerikë, zbuloi se 80 përqind e fëmijëve të pyetur, mendonin se prindërit e tyre vlerësonim më shumë notat e mira, se sa faktin që ata ishin të sjellshëm, apo të kujdesshëm. Mesa duket kjo është një qasje që duket se ka “pushtuar” prindërit kudo në botë. Studimi tregon se, është më shumë e rëndësishme mënyra se si prindërit krijojnë marrëdhëniet me fëmijët e tyre.
Edhe psikologja amerikane Angela Duckworth, bashkëthemeluese e organizatës jofitimprurëse “Character Lab”, e cila ndihmon fëmijët në nevojë që të ecin përpara, ka shprehur në një artikull për “The Washington Post” se qasja e prindërve për të pasur fëmijë ambiciozë po shtrihet kudo në botë. Sipas saj ndjenjat e ambicies ndonjëherë janë pikat kyçe nga ku nis, ndjenja e zhgënjimit në të ardhmen. Sipas saj nuk ka asgjë të keqe të dëshirosh arritje për fëmijën tënd, por problemi qëndron në momentin që fëmija fillon të ndjejë se këto arritje kanë më shumë rëndësi se sa, lloji i personi që ata do të jenë.

Angela Duckworth

“Prindërit mendojnë gjatë gjithë kohës se fëmijët e tyre, duhet të bëjnë diçka kur të rriten dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me rezultatet e mira në shkollë, por edhe me aftësitë e tyre. Nëse i mësoni fëmijës tuaj si të jetë i ndërgjegjshëm për verimet që kryen, dijeni se po rrisni një fëmijë që në të ardhmen do të ketë marrëdhënie të mira, do të jetë i kujdesshëm dhe do të kryejë gjërat që kanë vlerë për të” shprehet psikologja.
Diçka tjetër që ajo shton është fakti se prindërit, mund të kuptojnë se çfarë fëmijë po rrisin, vetëm nga përshkrimi që ata marrin nga fëmija i tyre për pyetjen, “Më tregoni për prindërit tuaj”.

 

Më Shumë