Njerez

Të rinjtë shqiptarë, të dyzuar mes parave dhe profesionit

“Mendoja të diplomohesha për asistente dentare, por në vitin e dytë të shkollës së lartë u pendova. Duhet të shkoja deri në Durrës, duke paguar një mori faturash, një mori leksionesh në fund si dihej nëse do zija një vend punë,” më thotë Aneta Hasa, kur më shpjegon arsyen, sepse e la shkollën e lartë.
Ajo më shpjegon që prej vitesh ka dashur të merret me dhëmbët sepse gjihmonë i ka pëlqyer stomatologjia, më saktë gjithmonë i kishte pëlqyer laboratori i stomatologjisë, por kur kishte bërë një përllogaritje dhe nuk dinte se ku do të shkonte pasi të mbaronte fakultetin, ndjehej shumë e qetë me veten që kishte hapur biznesin e saj, një sallon për kujdesin personal.
“Unë mund të punoj me nëntë vajza në ditë. Dihet që edhe kjo punë ka shpenzimet e veta, por kam marrë më shumë përfitime, se sa do të kisha marrë nga fakulteti. Notat, rruga nga Tirana deri në Durrës, gjithçka ishte një sakrificë e madhe që nuk do më vlente asnjë,” shprehet ajo.
Duke u përballur me një treg shumë të vështirë pune, shumë të rinj shqiptarë janë të dyzuar mes zgjedhjes së profesionit apo parave. Një punë e cila ka më shumë të ardhura, sesa profesioni që studiojnë( ose lënë përgjysmë), është kthyer në një fenomen që e gjejmë tek shumica e të rinjve shqiptarë.

Sociologia Entela Binjaku

Sociologia Entela Binjaku shprehet për Gazetën “Si” se shkaqet që studentët tanë, punojnë në një degë të ndryshme nga ajo që studiojnë, lindin nga disa rrethana.
“Mjaft prej tyre nuk e kanë zgjedhur degën e studimit me dëshirën për ta ushtruar, por thjesht e kanë “zgjedhur” sipas parimit: “ta kem një diplomë”. Gjithashtu, edhe tregu shqiptar i punës është i vogël, i tejmbushur me të diplomuar, të cilët mbeten të papunë pas përfundimit të studimeve. Një faktor tjetër është se edhe kur ka mundësi punësimi diku sipas profilit ku janë diplomuar, ata duke qenë rishtarë në tregun e punës, u mungon kriteri i kërkuar i përvojës dhe kjo i lë jashtë këtyre mundësive. Për të mbijetuar ata sigurisht do të kërkojnë një mundësi tjetër. Shumica e tyre zgjedhin të mbeten aty ku studiojnë, në kryeqytet dhe kjo krijon mbingopjen e të diplomuar dhe për rrjellojë edhe rritjen papunësisë,” shton ajo.
Sipas studimit të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” gjatë muajit të kaluar rezultoi se të rinjtë që janë të punësuar, nuk ishin shumë të lumtur në Shqipëri. Rreth 48 për qind e të rinjve të intervistuar, që janë në marrëdhënie pune, pohojnë se nuk punojnë në profesionin për të cilin janë arsimuar dhe kualifikuar dhe pagesa e tyre, nuk mjaftonte vetëm për të paguar fatura të ndryshme që përballojnë.
Në një vlerësim ekonomik, eksperti Zef Preci shpjegon për Gazetën “Si” se janë një numër faktorësh dhe rrethanash që çojnë në një situatë paradoksale që jetojmë. Sipas tij, institucionet qeveritare siç janë ministritë nuk kryejnë analiza, studime, të cilat ndihmojnë për të përçuar sinjalet e caktuara te shtresat dhe grupet shoqërore të interesuara.

Zef Preçi

“Si rrjellojë Ministria e Arsimit apo ajo e Financave dhe Ekonomisë, nuk të thonë dot se cilat janë tendencat kryesore në tregun e punës, mbi bazën e të cilave do të orientoheshin apo me saktë do të vetë orientoheshin të rinjtë në zgjedhjen e profesionit të tyre,” shton ai.
Ndryshe, nga ky fenomen i cili duket se është kthyer në një “rregull”, që duhet ndjekur nga të rinjtë shqiptarë, Pranvera Ndoj, e cila ka zgjedhur të bëhet piktore, shprehet se nuk ka gjë më të bukur se të ndjekësh atë që dëshiron.
“Unë marr rreth katër porosi në muaj. Nuk mund të them se paratë më mjaftojnë, por nuk do ta ndërroja pikturën dhe artin me asnjë punë tjetër, edhe sikur të fitoja miliona,” shprehet ajo.
Pranvera thotë se nuk kanë rëndësi gjithmonë paratë, por edhe kënaqësia që merr nga puna që kryen.
“Mendoj se në një punë njeriu duhet të gjejë veten. Kot nuk thonë nëse kryen, punën që dëshiron nuk do lodhesh kurrë. E kështu është për mua. E kam dashuruar pikturën që e vogël dhe nuk do ta lija kurrë,” shton ajo.
Përgjithësisht të rinj nuk ankohen se nuk gjejnë një punë, por që nuk gjejnë një punë të sigurtë, të paguar mirë ose që përputhet me atë që kanë studiuar. Kjo gjë bën që shumë prej tyre të jenë të dyzuar mes profesionit dhe parave.
Nën këndvështrimin e ekspertit Preci, vetë shkollimi për një pjesë të mirë të të diplomuarve në vendin tonë, nuk është gjë tjetër përveçse para të shkuara dëm, një lloj punësimi me paratë e prindërve. Ai shprehet se mundësitë e zgjerimit të punë në kushtet e shtëpisë, për shkak të mungesës së investimeve private dhe rritjes ekonomike të ngadalshme, nuk lejojnë absorbim lehtësisht të fuqisë punëtore edhe kur ajo është e kualifikuar.

Për sociologen Binjaku, shkaktare për dyzimin e të rinjve shqiptarë, është edhe dobësia e organizatave dhe shoqërive civile për të drejtat njerëzore.
“Sipërmarrja për të rinjtë është një sektor i vështirë në kushtet e një shoqërie të varfër. Në këto rrethana shumica e tyre, kërkojnë një punësim që realizon vetëm një aspiratë, atë të gjetjes së një vendi pune, duke lënë mënjanë punësimin në fushën e diplomimit,”shton ajo.
Ndërsa, për piktoren Ndoj e cila duket e rrethuar nga idealizimi për profesionin, faji për këtë fenomen është te vitet e gjata të destabilizimit ekonomik që ka përjetuar vendi ynë.

 

Më Shumë