Editorial

Rritja e çmimit të energjisë elektrike duket e pashmangshme

Rritja e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset duket e pashmangshme. Për të dytën herë, zv.kryeministri Arben Ahmetaj e konfirmoi këtë përfundim zyrtarisht kur tha se qeveria ka një plan mbështetje financiare që do të lehtësojë familjet dhe bizneset.

Artikulimi më i qartë u bë sot në Kuvend kur zoti Ahmetaj tha se “brenda 48 orëve do të ndërmarrin masa rregullatore që do të garantojnë mbrojtjen e familjeve dhe të sipërmarrjes së vogël, që të garantohet mosndërprerja e energjisë”.

Nuk ka sesi qeveritë të ofrojnë kulaçin pa ndonjë shkak nëse nuk ka projektuar një kërbaç. Për këtë arsye, për sa kohë ndihma e parashikuar është kulaçi i shërbyer, kërbaçi mbetet rritja e çmimit për të përdorur energjinë elektrike.

Diçka e tillë, pra një rritje e kostove të energjisë elektrike u hamendësua që kur befas, si nga hiçi, në një fundjavë rutinë, kryeministri u shfaq duke iu drejtuar publikut se ndodhemi përpara një krize të çmimeve të energjisë dhe se pasojat e saj do të jenë të forta e të mëdha, sepse zoti Rama tha se do ta kalojmë këtë valë njësoj si tërmeti i nëntorit 2019.

Çmimet e energjisë dhe lëndëve djegëse në tregjet ndërkombëtare janë rritur ndjeshëm. Për sa kohë Shqipëria importon rreth 25 për qind të energjisë elektrike është mëse e pritshme që të importojë këtë inflacion të lartë për ta shfaqur më pas në çmimet e shitjes në tregun e brendshëm. Nëse mesatarisht çmimet e importit në situatë normale janë luhatur nga 50-90 euro për megavatorë, sot Shqipëria i bën blerjet e shkurtra (për pakë ditë) me mbi 200 euro. Rritja gati katër herë!

Por përpara se të vinin te konfirmimi indirekt i zotit Ahmetaj se do të ketë rritje të çmimit, qytetarët kishin tre shpresa, megjithëse se njëra më e vogël se tjetra.

E para që rritja e çmimit të paktën të mund të ndodhte sa më larg në kohë. Ndoshta në fillim të vitit tjetër, në janar, siç ka ndodhur shpeshherë në vendimarrje të tilla.

Shpresa e dytë dhe më e vogël ishte që meqënëse Shqipëria rreth 75% të energjisë që konsumon e prodhon e vetë, mund të ishte mundësia që kjo sasi të mund të mjaftonte për të mbajtur “nën dhunë” mundësinë e rritjes së çmimit. Nga ana tjetër, publiku ka të drejtë të mendojë se a nuk janë të mjaftueshme të ardhurat e akumuluara nga eksporti i energjisë gjatë fillimit të  vitit që të krijonin aq shumë dhjamë financiar sa të  mos harxhohej i gjithi nga tejnxehja e krijuar nga rritja e çmimeve ndërkombëtare, me qëllim që kjo “krizë” të mos   transferohet në buxhetin e shtetit, por për të mbetur te financat e kompanive publike të energjisë, të cilat të detyruara, do të tresnin kursimet, qoftë edhe investimet e parashikuara por nuk do të kërkonin ndihmë financiare as nga buxheti as nga rritja e çmimit.

Shpresa e tretë, kjo edhe më e vogël se dy të parat, ishte që për shkak të mirëmenaxhimit (rritja e arkëtimeve, rrija e eficencës së energjisë, ulja e humbjeve teknike, rënia e vjedhjeve), sektori energjetik të jetë aq i aftë, sa të përballojë dhe këtë shok çmimesh të larta.

Por, me sa duket, të tria këto shpresa janë shuar dhe rritja e çmimit të energjisë elektrike duket e pashmagshme. Por kjo nuk e shmang nga përgjegjësia çdo qeverisje që të japë përgjigje shpjeguese, të mjaftueshme dhe bindëse që rritja e çmimit është rruga e vetme, pasi efektet e këtij vendimi kaq të shpejtë në kohë mund të kalojnë caqet e një mandati dhe vala ku e jep ndikimin negativ jo vetëm që prek edhe qoshet më të largëta në xhepat e familjeve, por në kontekstin e një ekonomie të dobët, shuan edhe shpresën për një rikuperim të shpejtë, sado e madhe qoftë ndihma që do të ofrojë qeveria.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë