Editorial

Rreziku i Ramës, rrethimi i vogël nga baronët e kuq

Edi Rama po shfaqet i sigurt se do t’i fitojë zgjedhjet. A është kjo thjesht një fasadë për efekt të fushatës apo këtë siguri ia japin sondazhet e tij e takimet në terren, këtë vetëm 25 prilli do ta tregojë. Ajo që shihet është se në të gjithë takimet e këtyre ditëve të para të fushatës, performanca e Ramës është dukshëm më e mirë se sa e Lulzim Bashës. Ndryshe nga rivali i tij, Edi Rama po di të përcjellë mesazhin e tij politik më qartë se sa Basha apo edhe sesa Monika Kryemadhi.

Nëse vërtetë Edi Rama mendon se rreziku për mandatin e tij të tretë nuk vjen nga opozita, nuk duhet të ndjehet kaq i sigurt se nga sot deri në 25 prill, fushata nuk do t’i paraqesë sfida dhe probleme. Pengesat janë të shumta dhe të paparashikueshme, sidomos brenda vetë partisë së tij. Aq më tepër brenda partisë së tij.

 Në 2017, Edi Rama erdhi në pushtet me idenë e tepsisë, duke anatemuar kryesisht LSI si një parti që kërkonte pjesë në çdo tepsi pushteti, pavarësisht se kush ishte në pushtet, ose siç do ti pëlqente vetë Ramës së 2009, përtej të majtës dhe të djathtës. Anatemimi dhe bullizimi i LSI-së si parti klienteliste, që mbijetonte dhe rritej në kurrzi të dy elefantëve, PD dhe PS ka të vërtetat dhe të gënjeshtrat e saj.

Eshtë e vërtetë se LSI përfitoi më parë nga koalicioni me PD dhe më pas nga ai me PS për të maksimalizuar pushtetin dhe votat, përfituar nga fondet publike, duke bërë ndere e duke i lënë faturën e qederit të mëdhenjve. Por, sado që ta kishte ideologji këtë, siç edhe vetë Rama e Basha e stigmatizuan në 2017 forcën e drejtuar nga Ilir Meta e Monika Kryemadhi, njerëzit e LSI-së nuk janë alienë, të ardhur në tokë, në Shqipëri papritmas ditën e hyrjes së LSI-së në pushtet. Ata janë shqiptarë, një pjesë e mirë, elektorati pragtmatist i PS-së dhe PD-së që te LSI kishin më shumë besim për përfitimet e pushtetit se sa të prisnin radhën e gjatë të partive të mëdha. Njerëz që shkonin e vinin sa majtas e sa djathtas për të ruajtur privilegjet që dikuar ua kishte dhënë PS apo PD, dhe tani ua garanonte LSI.

Eshtë e gënjeshtërt të thuhet se kjo lloj race apo ky lloj viruesi që gërryen qeverisjet injektohej vetëm nga LSI. Përkundrazi, LSi është forcë e re politike krahasuar me PS dhe me PD. Të njëjtët përfitues, të njëjtët njerëz që gërryejnë themelet e kujtdo pushteti i gjen rëndom edhe brenda dy të mëdhenjve. Janë këta njerëz që më shumë se kundërshtari përbëjnë rrezikun më të madh të partive. Aq më tepër të PS-së sot në pushtet në të gjitha pushtetet, atë qëndror, atë lokal dhe çfarë ka mbetur tjetër. Janë shefat e vegjël të policive bashkiake, vajzat dhe djemtë në drejtoritë e strehimit social të bashkive, drejtuesit lokalë të legalizimeve apo ato të hipotekave, ata që kanë në dorë një leje sado të vogël, një vulë, një dokument që sot punojnë në terren dhe përballen shpeshherë me refuzimin e njerëzve të thjeshtë në fushatë. Atyre njerëzve që u kanë kërkuar rryshfetin për t’i dhënë shërbimin, dhe për të cilët sot habiten pse nuk ua hapin telefonin. Këta njerëz që kanë përfituar nga pushteti i partisë për të krijuar feudet e tyre që vetëm pjellin para, këta janë rreziku më i madh se sa Lulzim Basha për Edi Ramën. Këta baronë të kuq të pushtetit në qelizë që në katër vjet u kanë përplasur arrogancën qytetarëve rrezikojnë që faturën t'ia lënë ta paguajë Edi Rama. Janë këta njerëzit me pushtet që nga ajo zyra e vogël deri në majë që krijojnë rrethimin e vogël, që nuk e lë Ramën që të shohë qartë raportin me njerëzit e thjeshtë, ata që ai fton ta votojnë për herë të tretë. Ndoshta Edi Rama vërtetë fiton në 25 prill edhe një mandat tjetër, por me pushtetin që Edi Rama u ka dhuruar këta baronë të kuq duke u përplasur njerëzve arrogancën e këtij pushteti rrezikojnë ta shëmbin atë përpara kohe nga pushteti. Dhe këtu Rama nuk ka se çfarë t'u thotë më njerëzve në bazë, se këta nuk janë as si tërmeti dhe as si virusi. Janë njësoj të padukshëm si "armiku i padukshëm"nga lartësia e karriges së Ramës, por dëmin e bëjnë më të madh se tërmeti dhe virusi bashkë. Të gërryjenë themelet, muret, çatinë orë pas ore, ditë pas dite, me muaj e me vite, deri sa një ditë të bukur, kur as vetë nuk e pret, se të ka verbuar fasada, të rrëzojnë të gjithë ngrehinën mbi kokë. Këtyre duhet t'u friket më shumë Rama, tani në fushatë dhe pas zgjedhjeve. Nëse vërtetë i fiton ato.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë