Pas një Botërori, ku ishte në rolin e spektatorit, kombëtarja italiane është gati për rikthimin në nivelet e larta. Të shtunën trajneri Roberto Mançini do të shpallë listën zyrtare të lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, me Poloninë më 7 shtator dhe Portugalinë më 10 shtator. Lista pritet me shumë kuriozitet për të mësuar nga cili grup lojtarësh do të nisë projekti i Mançinit për rilindjen e Italisë. Në listën e tij do të jetë Kielini, ndërkohë që pritet të mungojë De Rosi. Do të grumbullohet edhe Baloteli, tek i cili trajneri mendon të mbështetet në sulm, edhe pse lojtari i Nisës nuk ka zbritur ende në fushë për këtë sezon.
Për portën duhet të konfirmohen Donaruma, Perin dhe Sirigu. Për mbrojtjen Mançini do të bazohet te blloku juventin Bonuçi-Kielini dhe tek ai milanist Kaldara-Romanjoli. Në rolin e mbrojtësve të krahut janë favoritë Zapakosta, D’Ambrozio, Krishito dhe Darmian.
Në mesfushë, regjia do t’i besohet Zhorzhinjos, që po shkëlqen te Çelsi i Sarrit, ndërsa Bonaventura, Pelegrini dhe Kristante janë gati për këtë repart, ashtu si dhe Galiardini, që tek Interi nuk ka gjetur hapësirë në dy javët e para të kampionatit. Pritet të thirret edhe Mandragora, kurse lojtarë si Benasi, Parolo, Bazeli dhe De Rosi lënë dyshime për trajnerin e Italisë. Mesfushori i Romës rrezikon shumë të mbetet jashtë, megjithatë duhet pritur lista zyrtare.
Shumë alternativa për sulmin “axurr”, ku bashkë me Balotelin do të jenë në listë edhe Kieza, Bernardeski, Berardi, Beloti, Imobile, Insinje dhe Politano. Trajneri Mançini dëshiron t’i qëndrojë besnik skemës 4-3-3, që e aplikoi në ndeshjet me Arabinë Saudite, Francën dhe Holandën. Një modul agresiv loje për një kombëtare, që mezi po pret të kthehet në nivelin e të mëdhenjve të futbollit botëror, pas dështimit për të shkuar në Botërorin e Rusisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.