Politike

Rama: Fasha 800KWh nuk hyn në fuqi më 1 tetor. Situata hidrike dhe kërkesa janë përmirësuar

Nga Gazeta 'SI' - Kryeministri Edi Rama, ka njoftuar sot se fasha e konsumit të energjisë prej 800KWh, nuk do të hyjë në fuqi më 1 tetor.

Pa dhënë detaje për një datë të dytë, Rama tha se kjo erdhi për shkak të përmirësimit të situatës energjitike në kaskadë dhe ndërgjegjësimit të konsumatorëve për të kursyer dhe se pas një bisede me përfaqësues të KESH, kërkesa për energji ka rënë nga 17 mijë kilovatorë, në 11 mijë kilovatorë.

“Në 1 shtator kur lançuam fashën mbi 800 KWh, kjo kërkesë ishte ndjeshëm më e lartë se sa ç‘është sot pra, dhe pa diskutim në këtë ulje të ndjeshme ka luajtur rol rënia e temperaturave të nxehta, por s’ka dyshim se rol të rëndësishëm ka edhe fillimi i dukshëm i një qasje pozitive të abonentëve familjarë për ta kursyer energjinë. Ndaj edhe në këto kushte, bazuar në një analizë të detajuar, ne vendosëm që aplikimi i fashës 800 KWh të mos hyjë në fuqi më 1 tetor”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri tha edhe se pritet që në 10 ditët e para të tetorit, reshjet të vazhdojnë të përmirësojnë prurjet në kaskadë. Ai ripërmendi se inflacionin e ka sjellë lufta, si në çdo vend tjetër europian dhe se Shqipëria do të vazhdojë të importojë energji nga jashtë.

"Disa ndër ne këtu në Shqipëri thonë se vendi ynë s’ka lidhje me krizën energjetike, sepse ka ujë dhe ka hidrocentrale sa të duash, por as e para dhe as e dyta nuk janë të vërteta. Burimet ujore varen nga reshjet, por edhe sikur ky vit të jetë ndryshe nga tre vitet e fundit rresht që kanë qenë vite rekordesh negative për sasinë e reshjeve, sistemi ynë energjetik, me hidrocentralet plot e përplot, plotëson vetëm 75% të nevojave për energji. Ne siç e keni parë po ecim, dhe po ecim sipas planit që të arrijmë të plotësojmë 100% të nevojave me prodhim të brendshëm energjie brenda këtij 10 vjeçari, dhe për ta bërë Shqipërinë një vend energjitikisht sovran si dhe eksportues neto të energjisë. Por pikërisht se hë për hë nuk i plotësojmë dot të tëra nevojat, duhet të vazhdojmë të dalim në tregun ndërkombëtar, aty ku goditen të gjitha vendet e Europës nga çmimet çmendurake të energjisë në këtë kohë lufte", tha ndër të tjera Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë