Editorial

Qeveria e re duhet të tregojë si do punësojë shqiptarët

Megjithëse rënia ekonomike me komplikacione ende të paqarta, u shkaktua nga pandemia e Covid 19, fundi i saj nuk sjell automatikisht dhe shpejt rimëkëmbjen.
Kjo gjë edhe pse teorikisht është e qartë sipas disa skenarëve, droja mbetet nëse qeveria pret që kjo rimëkëmbje të vijë vetvetiu dhe që ekonomia të fillojë të shërojë plagët, duke i lëpirë ato.
Sot mjedisi ekonomik shqiptar, ashtu dhe ai botëror ka ende paqartësi. Por enkas në Shqipëri jemi të shqetësuar për varfërinë e madhe (për shqiptarë që jetojnë me 5.5 usd në ditë), e cila sipas Bankës Botërore është rritur gjatë 2021-shit dhe pafuqinë për të përballur goditjet e shpeshta e të gjata sado të vogla të jenë ato.
Borxhi publik është i lartë për shkak edhe të angazhimeve ekstra dhe në bllok për të administruar pa kriza të forta sistemin shëndetësor dhe atë spitalor të zënë në dorë të fortë nga Covid dhe rënia e të ardhurave buxhetore.
Vendi ka pak hapësira për lehtësi fiskale edhe pse grupet e interesit kanë gjetur disa prej tyre, por me sa duket këmbëngulja e qeverisë për të mos lëshuar pe në të njëjtën kohë i bën dëshpëruese pritshmëritë.
Çmimet kanë nisur të rriten dhe e para ndër to është buka, e cila zë një pjesë të madhe të shportës së shpenzimeve të një familje shqiptare.
Aktorë nga sistemet bankare, financiare dhe biznesi kanë ende paqartësi. Një fakt është rënia e besimit që në gusht ku është ndër muajt më të mbarë të vitit për çdo ekonomi e veçanërisht atë shqiptare që pret të ardhura shpresëdhënëse nga turizmi.
Konsumi nuk është rikuperuar në nivelet e parapandemisë dhe sado që ora policore ka kohë që është lehtësuar, por frika e një rikthimi shtrëngues në oraret e lëvizjes me rritjen e menjëhershme të numrave të infektimin i bën qytetarët ngurrues. Paralajmërimet për inflacion që mund të rritet megjithëse ende poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë e vështirësojnë një rikthim në normalitet.
Për tërë këto mjegull paqartësie është e nevojshme dora e qeverisë përmes mesazheve të qarta për publikun dhe tregjet ashtu siç ndodh edhe me qeveritë e vendeve të tjera. Në veçanti, Shqipëria në qershor vendosi se nga kush do të qeveriset edhe katër vitet e ardhshme duke zgjedhur të njëjtën maxhorancë që drejton për të tretin mandat, por që nuk ka një biografi aq të admirueshme për rritjen e treguesve të punësimit. Ashtu si çdo model qeverisje para saj, papunësia në Shqipëri nuk ka mundur të zbres asnjëherë nën 10 për qind dhe se punësimi asnjëherë nuk është rritur më shumë se rritja ekonomike vjetore, edhe pse statistikisht ajo është ndihmuar nga emigrimi i pandalshëm i forcave të punës.
Teksa pritet që shumë shpejt të ndodh formalizimi i kabinetit me emrat e rinj dhe të njohur tashmë nga publiku, qeveria e re së pari duhet t’ju tregojë shqiptarëve se si do të rritet punësimi në këtë vend.
Në një ekonomi që ende pas një viti nuk mundi të rikuperojë as vendet e mbyllura të punës gjatë karantinës është urgjente një rrugë që çon në rritje të punësimit.
Por në asnjë grimë të diskursit të tanishëm politik nuk flitet për këtë çështje, por vetëm sa konsumohen produktet e lodhura politike për reforma partiake e në ndonjë rast për reforma gjithëpërfshirëse pozitë-opozitë. Këto nuk ua davaritin dot mjegullën shqiptarëve, por përkundrazi e shqetësojnë më shumë. Qeveria e re çdo reformë, çdo plan veprimi, çdo reagim duhet ta bëjë me një qëllim fundor, si të rritet numri i shqiptarëve që kanë një punë. Përndryshe misioni i saj do të mund të komprometohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë