Futboll

Pse masiviteti në futboll nuk po sjell më cilësi?!

Masiviteti sjell cilësi. Ka qenë ky slogani i njohur nga të gjithë në futbollin e para viteve ’90, kur vërtet masiviteti sillte cilësi. Masivitet ka edhe tani, vetëm se nuk po sjell më atë cilësi si më parë, duke bërë që produkti final të jetë më i paktë e më i dobët dhe rrjedhimisht edhe kampionatet tona janë të një niveli relativisht më të dobët. Pse ndodh kjo gjë? Arsyet janë disa dhe tematika është shumë e gjerë. Patjetër që ka gjëra që nuk shkojnë aktualisht në organizimin e ri të futbollit në Shqipëri.

Në atë kohë kishte më shumë fusha të zeza, fëmijë që stërviteshin edhe në baltë, duke sakrifikuar shumë për ëndrrën e tyre. Sot ka më pak fusha sportive në qytet, por më shumë fusha me bar natyral dhe sintetik në periferi, ka komplekse sportive dhe akademi private me të gjitha kushtet e nevojshme për t’u formuar si duhet. Ka edhe më shumë trajnerë të licencuar, por sërish lojtarët cilësorë janë të paktë.

Fëmijë duke luajtur futboll, foto ilustruese. Gazeta Si, 14 shtator 2019

Para ardhjes së demokracisë, sistemi zinxhir i klubeve, pra ai i futbollit të moshave, ishte i organizuar më mirë. Kanë qenë edhe të famshmet klasa sportive, ku specialistët e kohës pikasnin talentet e çdo lloj sporti. Po ashtu, sistemi zinxhir funksiononte shumë mirë, ishte një aktivitet i unifikuar dhe të ashtuquajturat fidanishte furnizonin rregullisht skuadrën e parë çdo vit. Po sot? Ka një organizim tjetër, ku veç sistemit zinxhir, që nuk është se funksionon si më parë, janë edhe ekipet private dhe akademitë e futbollit, një trend ky tashmë në vendin tonë. Kërkesat për t’u futur në një ekip privat apo akademi janë gjithnjë në rritje, pra masivitet ka sërish. Pa dyshim, ndikon edhe aspekti social, sepse shumë gjëra kanë ndryshuar, si në çdo fushë, por futbolli ka parimet e veta që mbeten të pandryshuara dhe duhen zbatuar me përpikëri, që masiviteti të sjellë sërish cilësi.

Gazeta Si sjell mendimin e dy specialistëve të fushës, trajnerëve Ilir Spahiu dhe Luan Pinari, të cilët e kanë prekur vetë terrenin, janë marrë me stërvitjen e fëmijëve dhe sigurisht që bëjnë dallimin, e dinë mirë se çfarë shkon dhe çfarë jo në sistemin aktual të futbollit të moshave. Të dy i mëshojnë faktit se duhet bërë një punë më profesionale, me metodologjinë dhe trajnimin e duhur në një fazë të caktuar të zhvillimit të fëmijës. Profesor Ilir Spahiu evidenton tre elementë, që sipas tij, janë thelbësorë në futbollin e sotëm: vlera e lojtarëve, trajnimi profesional dhe paraja. Trajneri tjetër, Luan Pinari, e vë theksin te filtrat e duhur që nevojiten për të veçuar talentet, tek akademitë elitë dhe te ndershmëria në trajnim.

Ekipi i 17-vjeçarëve të Tiranës, kampion i vendit. Gazeta Si, 29 gusht 2019

Spahiu: Punë me prioritete dhe metodologji bashkëkohore
“Tematika është shumë e gjerë. Cilësia dhe rezultati në futboll janë të lidhur ngushtë, – e nis analizën e tij profesor Spahiu. – Nëse ke lojtarë me cilësi të lartë, kjo ndikon që të kesh edhe rezultate të larta. Janë shumë faktorë që kanë ndikim dhe duhet ta përmbledhim në dy apo tre pika kryesore, që duhet t’i kemi mirë parasysh. Ato janë vlera e lojtarëve, vlera e trajningut, pra trajnerët, metodologjia, stafi, stërvitshmëria, dhe e treta është paraja. Kemi lojtarë të mirë që duhet të jenë kultivuar në akademi. Nga ana tjetër është trajningu, çfarë metodash përdorim, sepse në futboll 70% e kanë lojtarët dhe 30 trajningu, nëse mund të përdorim një përqindje. Plus, është edhe paraja që ndikon, paraja si motivim. Ne kemi pasur shumë raste, siç është rasti i fundit për skuadra të papaguara në Superiore. Mund të kesh lojtarë dhe trajnerë të mirë, por nuk ke para, është një formulë kjo”.

Ish-trajner i Partizanit dhe ekipeve të tjera në vend i analizon më tej këto tri pika me radhë. “Kam punuar në të dy sistemet dhe i njoh. Në atë kohë ishin klasat sportive, një sistem shumë i mirë, i unifikuar, një kampionat i organizuar mirë. Sot është rritur sasia e lojtarëve dhe ne pyesim për cilësinë, sepse dihet që nga sasia vjen cilësia. Sa më e madhe të jetë baza, aq më e madhe është cilësia. Por nuk mjafton. Duhet të dimë mbi ç’baza do t’i rrisim fëmijët. Kam punuar në sektorin e të rinjve, në akademi. Cilësia në akademi, për hir të së vërtetës, është rritur, është rritur edhe numri i trajnerëve, është rritur edhe kualifikimi i tyre, por sërish nuk është e mjaftueshme kjo. Është shumë e rëndësishme që në etapa të ndryshme të zhvillimit të fëmijës të njohësh zhvillimin teknik dhe fizik dhe të dish kush është prioritet në një moshë të caktuar. Shpesh kam parë që në mosha që të gjithë stërviten me topin afër. Shpejtësia, për shembull, që bën hapin më të madh, është në moshën 10-11-12 vjeç. Prioriteti që ka mosha dhe aty duhet të punosh si duhet. Mund të punosh më vonë, por nuk e zhvillon. Edhe për teknikën vlen e njëjta gjë”, – argumenton Spahiu.

Trajneri Ilir Spahiu dhe Jahmir Hyka, ish-lojtar i Kombëtares. Gazeta Si, 14 shtator 2019

“Ka masivitet edhe në botë, kam parë në Romë si peshkohen lojtarët. Mendimi im është se ka rëndësi të ketë prioritete. Trajnerët më të spikatur duhet të merren me lojtarët prioritet. Që do të thotë se kam 4 lojtarë, që nesër do shkojnë në ekip të parë, ku nuk mund të shkojnë të gjithë. Nuk merremi me lojtarë të veçantë, që duhet të bëjnë stërvitje të diferencuar, dhe ky është një gabim i madh. Trajnerë shumë të formuar duhet të punojnë me këta lojtarë, që mund të jenë e ardhmja e vendit, por janë edhe para, po ta përkthesh”, shton trajneri Spahiu. Tjetër problem në punën me fëmijët, sipas tij, janë edhe hapësirat. “Po, janë rritur fushat si sasi, është rritur cilësia e tyre, por hapësirat janë zvogëluar. Janë shtuar oraret e stërvitjes, ku ka skuadra që stërviten vonë. Në një gjysmëfushe stërviten 2-3 skuadra dhe ka rrëmujë, çka ndikon shumë në cilësi. Fëmija nuk merr formimin e duhur dhe ai mund të shkojë në ekip të parë, por do të ketë shumë mangësi. Janë të ndryshme gjërat që ndikojnë për vlerën e lojtarit”.

Spahiu i mëshon fort çështjes së trajnerëve në vendin tonë. “Ka një gabim të madh këtu te ne. Ne punojmë për trajnerët, kurse sot ka trajnerë që drejtojnë një ekip të parë pa u tharë ende djersa e fanellës si futbollist. Është gabim, sepse këta trajnerë nuk kanë trajnuar më parë dhe transmetimi i asaj që duhet bërë në ekip është diçka tjetër. Presidentët e ekipeve tona duan vlera, por nguten shumë, kur dikë e bëjnë nga kapiten në trajner. Mund të ketë shumë dëshirë, por shumë pak dije. Është e pamundur kur nuk ke përvojë. Metodologjia ka shumë të bëjë, që t’i bësh këta lojtarë të flasin një gjuhë të përbashkët. Një emër i njohur në futboll ka thënë: ‘Punoja shumë, lodhesha shumë, por kur rashë në dorë të një trajneri të mirë, lodhesha më pak dhe arrija rezultatet më të mira’. Nuk ka rëndësi sa pesha ngre. Konte, për të transmetuar idetë e tij, punon me metodologji të përparuara. Edhe gjatë një ndeshjeje ai ka në tribunë një kamer të cilësisë së lartë dhe dy analistë që në kohë reale fotografojnë dhe i bëjnë të ditur trajnerit shumë tregues kur ai shkon në dhomat e zhveshjes. Perceptimi me sy është shumë më i madh se dëgjimi i trajnerit. Metodat, teknologjia, njerëzit në staf kanë rëndësi. Nëse ke një skuadër që ecën mirë, investo prapë aty”.

Nga një seleksionim i kombëtareve të moshave. Gazeta Si, 14 shtator 2019

Në futbollin e sotëm, sipas Spahiut, ka të bëjë shumë edhe roli i presidentëve. “Presidentët kanë një rol shumë të madh. Një pjesë trajnerësh, për hipokrizi, mbajnë marrëdhënie shumë të mira me lojtarët. Presidentit duhet të trajnohen dhe është hedhur si ide në UEFA. Pra, unë kam para dhe dua rezultat, por nuk di dhe duhet të mësoj. Nuk zgjidhet trajneri, se del në televizor, apo trajnerë që vetofrohen. Aq më tepër që puna me fëmijët është specifike. Duhet punuar më të mirët, duhen parë edhe shumë gjëra të tjera, shkolla, familja, intelekti. Nuk ka pse të ketë kartelë të veçantë për lojtar një që vjen edhe për të rënë pak nga pesha. Për trajnerin ka të ëjë shumë edhe mënyra si e menaxhon grupin, “herë me kërbaç e herë me kulaç”. Menaxhimi i skuadrës është shumë i rëndësishëm, që të mos ketë klimë të keqe, duhet komunikuar me fëmijët. E përsëris, duhet të punohet nga akademitë dhe stafet e tyre me prioritete, kjo më intereson, jo masa e madhe”, përfundon Spahiu.

Pinari: Filtri i duhur, akademi elitë dhe ndershmëri
Luan Pinari, ish-futbollist i Dinamos, Partizanit dhe Tiranës dhe prej vitesh trajner i ekipeve të moshave, gjykon se që masiviteti të sjellë cilësi, duhet të veçohen akademitë elitë dhe të ketë ndershmëri në përzgjedhjen e lojtarëve më të mirë. “Stërvitshmëria ka të bëjë shumë, sidomos kur vjen ajo mosha delikate, le ta quajmë, 13-15 vjeç. Në këtë periudhë duhet të ketë një filtër sa më të mirë, që të dalin lojtarët cilësorë nga grupi. Plus kësaj, në raport me kohën më parë, është dhe puna e pagesës. Vërtet ka masivitet, por kur bëhet ky filtri, ndoshta nuk bëhet si duhet, për shkak edhe të pagesave që jepen sot. Në këto rrethana, duke i shkartisur lojtarët, humbet edhe cilësia e atij të mirit. Duhet bërë ndarja e duhur. Trajnerët mendojnë se këta të mirët mbulojnë edhe të dobëtit dhe i mbajnë aty.

Luan Pinari. Gazeta Si, 14 shtator 2019

Masiviteti mund të jetë, por ekipe elitë nuk mund të jenë të gjithë. Kështu funksionon. Edhe në vendet më të zhvilluara në futboll, si në Itali e Holandë, 3-4 akademi janë më të mirat, janë në elitë. Pjesa tjetër punojnë në masivitet, në nivel mesatar. Në Tiranë janë bërë shumë akademi. Kërkesat për të hyrë në ekipe private janë të larta, por duhet të veçohen akademitë elitë”, – thekson Pinari.

Më tej, specialisti kryeqytetas shprehet se një element kyç është ndershmëria e stafeve dhe trajnerëve: “Ka edhe diçka tjetër: duhet të jesh i ndershëm dhe i sinqertë në këtë punë, si me fëmijët, ashtu edhe me prindërit e tyre. Puna niset në moshë të vogël dhe pastaj fillon e merr drejtimin vet fëmija, deri në moshën që thamë. Pastaj, një lojtar të mirë duhet ta çosh në ekipe të tjera, ku mund të rritet. Më të talentuarit kalojnë në ekipe të mira. Akademitë fitojnë, kur nxjerrin lojtarë dhe ata më pas shiten nga ekipi ku bëjnë pjesë, kanë përqindjen e tyre. Po marr shembull Ernest Muçin, i cili ka kaluar te Tirana nga një akademi tjetër, nga Zhupa. Po të rrinte aty, nuk mund të rritej si lojtar, do të “digjej” me të tjerët. Akademitë kanë nevojë për pagesat, sepse kanë shpenzime, por kështu mund të fitojnë, duke punuar ndershëm dhe duke furnizuar ekipet me të rinj të talentuar. Kështu masiviteti do të sjellë edhe cilësi”.

Luan Pinari, duke folur me fëmijët për futbollin. Gazeta Si, 14 shtator 2019
 

Më Shumë