Politike

PS drejt “Venecias” dhe shtyn shkarkimin e Metës. Balla: Qesharak reagimi i Muçit

Besnik Muçi nuk e cilëson vendimin e KPA-së si një përjashtim nga sistemi i drejtësisë, duke theksuar se do të vijojë të qëndrojë në detyrën e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, por për socialistët një gjë e tillë cilësohet si qesharake. Reagimi i parë për vendimin e dhënë ndaj anëtari të Gjykatës Kushtetuese, erdhi nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili bëri thirrje që ai vendim të respektohej.
“Nuk i komentojmë vendimet e Vettingut, ato janë të zbatueshme. Të gjithë e dinë se vendimet e gjyqësorit ndaj vendimeve janë fundore, që asnjë gjyqtar e prokuror që shkarkohet, madje e dini që pezullohet dhe jo më që të jesh anëtar i Gjykatës Kushtetuese, të vazhdosh të jesh anëtar është qesharake. Unë nuk e kam lexuar këtë dispozitiv, të gjithë e dinë se kur nuk mund të jesh gjyqtar e prokuror nivelit të parë, si mund të jesh anëtar i lartë i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Balla.
Më tej ai theksoi se në sistemin e prokurorisë apo dhe të gjykatave duhet të jenë përfaqësues me integritet kemi thënë është që institucionet e reja të drejtësisë, Kushtetuesja apo e Larta duhet të kenë në përbërje personalitete të drejtësisë që nuk kanë asnjë mangësi në pastërtinë e figurës dhe aftësinë profesionale.
“Më mirë një gjykatë kushtetuese me 4 anëtar, e anëtarët e tjerë që janë në proces, se sa shejtanin brenda me këtë rast le t’ia lejmë institucionet përkatëse me diapozitivin përkatës. Askush nuk mund të rrijë në detyrë në kundërshtim me Kushtetutën, sikurse është edhe sjellja e zonjës Xhaferllari, që është një dekret i paligjshëm nga presidenti. Procesi i plotësimit të vakancave po ecën, Kuvendi ka ndjekur një procedurë të lavdërueshme”, theksoi Balla
Numri dy i PS-së kishte një mesazh edhe për Marsida Xhaferllarin, që u dekretua nga Presidenti duke krijuar ngërç, pasi janë dy emra për një vend në gjykatën Kushtetuese. "Askush nuk mund të rrijë në detyrë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Presidenti ka krijuar një konflikt kronik për të penguar reformën në drejtësi. Presidenti të reflektojë dhe ta kthejë në shina" përfundoi ai.
Balla pranoi idenë se mazhoranca do t’i drejtohet komisionit të Venecias për çështjen e përplasjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Është e nevojshme që kryetari i Kuvendit menjëherë, pasi të jetë miratuar zgjerimi i hetimit të komisionit të hetimor t’i drejtohet Komisionit të Venecias, dhe të marrim kohë për zgjatjen e afatit të komisionit të Metës dhe të japë vlerësimin e vet. I bashkohemi vlerësimit të BE-së dhe të SHBA-së”, theksoi Balla, duke iu referuar deklaratës së fundit të ambasadës amerikane apo të zëdhënëses së KE-së, Koçijançiç.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë