Editorial

Programi ekonomik i opozitës e ka faturën 679 mln euro në vit – Ku do t’i gjeni paratë zoti Basha?!

Teksa dëgjon programin e PD të prezantuar nga Lulzim Basha të bëjnë përshtypje dy gjëra:
E para përdormi i vetës së parë në njëjës: unë u premtoj, unë do të bëj, unë do të ofroj.

Uni është cilësi dalluese bezdisëse edhe e kryetarit të maxhorancës duke treguar se në vizionin e liderëve fatkeqësisht ne trajtohemi si një shoqëri që kemi nevojë dhe jemi në kërkim të bariut, por kurrsesi të skuadrës me vizionin më të mirë zhvillimor.

Edhe pse Basha nuk shquhet për protagonizëm të theksuar, siç duket ka filluar të ëndërroj për së largu fronin e  kryeministrit , duke lënë të kuptojë që ne nuk do të shpëtojmë nga Uni i liderit. Por kjo gjithsesi ishte pjesa më pak e rëndësishme në atë fjalim.

Më e rëndësishme dhe e dëmshme sigurisht ishte që në mënyrë të përsëritur, premtimet sërish ishin pa një faturë. Pra edhe pse i radhiti bukur, me elokuencë, me një buzëqeshje të rafinuar, në gjithë premtimet e tij, Basha harroi të na njoftonte sa është fatura e këtyre premtimeve në buxhetin e shtetit. Sa kushtojnë premtimet e Bashës në buxhetin e shtetit?
Ekspertët tanë na ofruan llogaritë e para për ndikimet direkte, nëse të gjitha premtimet do të realizoheshin në një vit.

Sipas llogaritjeve paraprake, ulja e normës së sigurimeve shoqërore në 18% do të sjellë një ulje në të ardhurat e mbledhura nga ky zë me rreth 22.38 miliardë lekë.
Rritja e pensioneve me 5% do të kërkojë një rritje në fondin e pensioneve 6.56 miliardë lekë. Thënë këto vetëm për përballimin e skemës së pensioneve, Basha krijon një deficit rreth 28,92 miliardë lekë në buxhetin e shtetit.
Ulja e taksës së tatimfitimit me 9%, do të krijojë një humbje 12.8 miliardë lekë në të ardhurat e buxhetit të shtetit, ndërsa ulja e tatimit mbi të ardhurat personale do t’i ulë të ardhurat me 8.4 miliardë lekë.
Ulja e taksave mbi karburantet me 24 lekë për litër do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 9.6 miliardë lekë më pak të ardhura.
Për të rritur pagën e mjekëve në 1200 euro dhe të infermierëve në 700 euro, do të duhen rreth 8.63 miliardë më shumë lekë në buxhetin e shtetit si dhe për të rritur pagat e mësuesve me 60% rreth 15.1 miliardë lekë më shumë në buxhetin e shtetit.
Fatura e këtyre ndryshimeve është rreth 83.5 miliardë lekë ose 679 milionë euro ose 5% e PBB, ose sa gjithë buxheti i investimeve kapitale vjetore, për të cilat kryetari Basha nuk na dha asnjë informacion se ku do t’i gjejë fondet.
Edhe pse shpesh dëgjojmë që do të prishë koncesionet pagesat e tyre nuk kalojnë 20 miliardë lekë në vit dhe Bashës i duhen 4 herë më shumë për të siguruar premtimet e tij.
E për sa kohë nuk kemi një përgjigje se ku do të gjenden këto para në kushtet kur borxhi po kapërcen 82%, në kushtet kur rimëkëmbja ekonomike do të jetë e ngadaltë për shkak edhe të ecurisë së ekonomisë globale, ajo që dëgjuam sot u ngjan "petullave me ujë".
Por nuk duam të paragjykojmë, sikurse kemi edhe durimin të presim, ndoshta në ditët në vijim Partia Demokratike dhe ekspertët e saj do të jenë në gjendje të informojnë publikun për llogaritë ku mbështesin premtimet e programit ekonomik të tyre.
Në të kundërt ky program është një shembull tjetër ‘par excellence’ që politika është arti i premtimit të të pamundurës dhe mjeshtëria e justifikimit përse premtimet e pamundura nuk u mbajtën.


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura


Më Shumë