Editorial

Po sikur të shkruanim që kryeministrit iu bë atentat…?

Le të shkruajmë që kryeministrit iu bë atentat!, tha kryeredaktori dhe brofi nga karrigia që kishte një copë herë që e lëvizte lart e poshtë, duke iu avitur e larguar ekranit të kompjuterit. E gjithë redaksia ra në heshtje, të paqartë nëse ishte një nga batutat e tij për t’ua ngacmuar vëmendjen e ngulët secili në sektorin e tij, me dikë që shtypte fort tastat, një tjetër që bënte një bisedë telefonike e një tjetër që sapo kishte hapur derën me rrëmbim, i entuziazmuar nga intervista që sapo kish mbyllur.

Po, po!  Le të shkruajmë që kreut të qeverisë iu bë atentat. Madje, madje një atentat pranë banesës së tij. Ose, ose, që ta bëjmë pak më trill, një makinë e blinduar dhe njerëz të maskuar i prenë rrugën eskortës, ndërsa kryeshërbëtori i vendit kthehej në shtëpi pas një dite të lodhshme me punët e popullit.

Në redaksi kishin nisur mërmërimat, por askush nuk guxonte të pyeste se cili ishte qëllimi i kësaj shakaje, nëse qe vërtet shaka – fundja shefi ishte jo rrallë herë hokatar e me humor të këndshëm -, e aq më pak ndokujt i vajti ndërmend të zgërdhihej me idenë.

Mos më rrini ashtu të hutuar!, ndërpreu ai heshtjen – ja t’ua them më shkoqur. Do ta shkruajmë e do ta botojmë një lajm të tillë e të shohim nëse do të marrë dhenë nëpër portale, pa kaluar të qindtën e sekondës. A nuk bëjnë kështu me të gjithë shkrimet tona? Qëndrimet redaksionale apo linjë politike, ato sociale e ato ekonomike, kulturë apo ato të stilit të jetës…Të gjitha, të gjitha pa përjashtim i sheh të fluturojnë në faqet e tjera online,  duke fshirë emrin e autorit e duke mos cituar median. Disa madje kanë paturpësinë ta shesin edhe si lajm të tyrin. I vendosin edhe etiketimin “ekskluziv”. 

Ore, e keni parë pasqyrën e shtypit të përditshëm te Bashkimi, në mëngjes? Po, po, shkrimi yt për të cilin investigove tri ditë, pyete dhjetë ekspertë e shkërmoqe sytë nëpër shifra, ishte në ballinën e një të përditshmeje që e pretendon veten serioze. Se mos ishte hera e parë apo gazeta e vetme! Ja, edhe ajo tjetra, që mban qëndrime të prera e artikulon veten si të pavarur nga establishmenti, që sfidojnë shtetin e pushtetin, vjedh po aq ashiqare.

Mendoni se po pi ujë e drejta e autorit apo nismat që nuk çohen kurrë në fund e më pak të implementohen në këtë vend për rregullimin e mediave online?!

Ja, ti do ulesh e do të shkruash që kryeministrit iu bë atentat!, iu drejtua një gazetari me pamje pak të  të përhumbur, ndërsa kafshonte stilolapsin. 

Unë? Po si… Po ne nuk jemi media e tillë! Po, po ky quhet “fake news”. Do të kemi sanksione. Ne nuk kemi publikuar asnjë lajm pa burime. Si tani? Pse tani?, iu gjegj gazetari, duke iu kthyer sërish stilolapsit me dhëmbë.

Po kush do ta dijë që ky do të jetë lajmi ynë! A i ke parë shkrimet e tua, të citohen me emrin tënd dhe të medias nga ku e merr rrogën? A i bind dot ti lexuesit se është shkrimi yt, në një media tjetër dhe jo i atij pseudo-portali të dorës së tretë, ku merr qindra komente?

Madje, madje as ministrja e Kulturës nuk u gjegj, kur i thamë se ai shkrimi i ndjerë që kishte lëvduar e shpërndarë në profilin e saj të Facebook-ut, nuk ishte shkruar nga asnjë gazetar i asaj medie që e kishte kopjuar, pa ngurrimin më të vogël.

Pas gjysmë ore, artikulli që lajmëronte se kryeministrit i ishte bërë atentat, i një stili mafioz si ai që ekzekutoi gjyqtarët Falcone e Borsellino, siç kishte parashikuar kryeredaktori, ishte marrë dhe publikuar në çdo portal të mundshëm. Kaq të shpejtë ishin treguar sa as e kishin lexuar artikullin,  përtej titullit, ku në fund sqarohej se ishte e gjitha një shaka, një rubrikë humoristike që gazeta po e testonte së pari me kryeministrin, për ta vijuar me të tjerë personazhe të jetës politike e publike.  Pre e rrengut kishin rënë edhe vetë ato gazeta, që i lëvrojnë, si pikë të fortë, këto lloj rubrikash.

Pa u mbyllur ora, lajmi nisi të fshihej nga portalet, me siguri nga ndonjë telefonatë së larti apo nga vetë lexuesit e ngeshëm që komentojnë, duke i ndarë mendimet si në llogore lufte.

Mendoni se dikush mësoi nga ky rreng? A u turpërua kush se nuk zbatoi ABC-në e gazetarisë, për të pyetur një burim zyrtar apo për të rendur në gjoja vendngjarjen e stisur për lajmin- shaka?, tha kryeredaktori ndërsa zuri vend sërish në karrigen që nisi ta lëvizte tanimë sa majtas djathtas teksa u fliste gazetarëve. Nga nesër nis i njëjti avaz dhe shkrimet tona do t’i shohim të publikuara në gjithfarëlloj portali, pa autor, pa emër a link medie, nga ku është marrë origjinali.

Le të presim drejtësinë e re, shef!, ia priti gazetari i sportit, ndërsa të gjithë qeshën, me gazin e prerë në buzë të atij që vidhet çdo ditë, që i njeh hajdutët e nuk di si t’i ndalë…


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë