Editorial

Po para orës 6:00 të mëngjesit pse nuk na lënë të dalim: E di Komiteti që ora ka ndryshuar që në mars?

Pasi na qetësuan shpirtrat me fjalë të përzgjedhura me kujdes se sa mirë ishte situata me pandeminë në vend, se si janë ulur ndjeshëm rastet e reja, se si falë Zotit spitalet Covid po boshatisen e po mbyllen fare, Komiteti i Ekspertëve dha lajmin: shqiptarëve u jepen 60 minuta shtesë për të lëvizur në mbrëmje gjatë të gjithë qershorit dhe u premtoi 60 minuta shtesë të tjera po në mbrëmje përgjatë muajit korrik, nëse do të sillen mirë.

Pra, siç populli thotë: u mbars mali e polli një mi!

Pa i hyrë debatit se sa respektohen e zbatohen masat e vendosura nga Komiteti, si ta shpjegojmë vendimin e tij në sezon turistik? A i ka thënë njeri Komitetit që prej muajit mars ka hyrë në fuqi ora diellore, e ata kanë ende në fuqi kufizimet e vendosura me orën dimërore?

Shumë shqiptarë mund të zgjohen pas orës gjashtë, por për shumë të tjerë, ora gjashtë i gjen në punë. Fermeri në Divjakë, që është në kulm të prodhimeve zgjohet në orën tre, orën katër, apo pesë, por rrallëherë në gjashtë. Zakonisht, ora 6, kur Komiteti i thotë “tani mund të dalësh”, fermerët i gjen me të gjitha punët e mbaruara, të ulur në lokalet fshatit.

Shumë shqiptarë mund të kenë makina personale e të lëvizin përmes lejeve të posaçme nga e-Albania, po si t’ja bëjë ai dibrani të cilit i ikën autobusi nga Tirana për në Peshkopi në orën 4 të mëngjesit? A të guxojë ta marrë këtë autobus bashkë me rrezikun e gjobës për thyerje të orës policore, apo të presë orën gjashtë?

Zgjedhjen e dibranit e ka edhe ai sarandioti, kuksiani, hasiani, gjirokastriti e korçari, skraparlliu e të gjithë ata që nata i ka zënë në Tiranë, e duan t’u rikthehen sa më shpejt punëve të tyre të përditshme në vendlindje.

Tani, Komiteti, ose nuk i ka marrë parasysh këto, ose e ka harruar se ka vendosur një “kufizim” edhe në mëngjes.

Ndoshta dhe ndalimi i daljes pa vajtur ora 6:00 e mëgjesit lidhet me virusin, edhe ai mund të zgjohet herët për të nisur punën për të infektuar sa më shumë njerëz. Ndoshta jo! Këtë kurrë nuk na e shpjeguan dhe sa më shumë Komiteti e vonon, aq më shumë grotesk duket për sa kohë merr vendime që nuk zbatohen…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë