Rend dhe Ligj

Pezullohet nga detyra për gjuhë jo etike ndaj medias policja e Instagramit

Gazeta Si – Anisa Kostani, policja e Instagramit në Shqipëri, është pezulluar nga detyra për shkak të gjuhës jo etike ndaj mediave, që kërkonin llogari për vrasjen e Madrit Ulqinakut në Elbasan dy ditë më parë.

Ndaj nënkomisares së Policisë së Elbasanit, ka nisur hetimi disiplinor dhe administrativ nga Drejtoria e Përgjithshme e Standartizimit për shkelje etike.

AMP (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore) ka nisur një hetim të thelluar ndaj nënkomisares dhe ajo do të jetë e pezulluar deri në përfundimin e hetimit.

Kjo lëvizje vjen pasi ditën e djeshme, policja në një postim që bëri në faqen e saj të Instagramit, ku numëron 14.000 ndjekës, ofendoi gazetarët për punën e tyre.

“Sqarojmë opinionin publik, se mendimet dhe opinionet personale të punonjësve të Policisë nuk përfaqësojnë në asnjë rrethanë, mendimet dhe opinionet e organizatës së Policisë së Shtetit, e cila ka një sektor të posaçëm, përmes të cilit komunikon zyrtarisht me median dhe publikun”, – thuhet në reagimin zyrtar.

Policia e Shtetit thotë se “është e bindur dhe e vendosur për të krijuar një marrëdhënie partneriteti dhe oponence me median, bazuar në respektin reciprok dhe në të vërtetën”.

Pavarësisht vrasjes në Elbasan, ku autori i krimit një 18-vjeçar nuk është arrestuar ende, Kostani e sheh si diçka të parëndësishme.

Sipas saj, Policia e Elbasanit është duke bërë punë të shkëlqyer, të cilën vetëm “qorrat” dhe ata që i kanë marrë “provimet nga profesorë Don Zhuanë” nuk e shohin.

Ajo i cilëson gazetarët si “të degjeneruar”, madje në komentet poshtë postimit efektivja edhe kërcënon duke thënë se gazetarët “do përfundojnë nën rrota”.

Me reagimin e saj publik, punonjësja e policisë shkeli hapur nenin që tregon qartë se në bazë të funksionit që ka ajo, nuk mund të shprehë mendimin e saj personal në rrjetet sociale, aq më tepër me përmbajtje ofenduese e ndër të tjera, edhe përdorimin masiv të rrjeteve sociale.

Kostani, që u bë e njohur në media për gjarprin që mbante si kafshë shtëpiake, ku publikonte foto në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë