Shendet

Paralajmërime për çrregullime serioze të trurit tek njerëzit me pak simptoma dhe të shëruar nga COVID-19

Covid-19 problemet më të mëdha ia shkakton trurit të njeriut. Sipas një studimi të fundit pacientët që kanë shenja të lehta të virusit apo ata që shërohen, dëmtimin më të madh e marrin në tru.
Neurologët kanë publikuar sot një raport me detaje të më shumë se 40 pacientëve në Mbretërinë e Bashkuar për komplikimet të cilat shkaktojnë inflamacion të trurit, që nga probleme të thjeshta deri në dëmtimet nervore dhe goditjet në tru.
Studimi i botuar në revistën mjekësore “Brain” zbulon një rritje të pacientëve që kërcënohen nga simptoma e quajtur encefalomyelitis akut (ADEM), një sëmundje e rrallë autoimune e shënuar nga një sulm i papritur, i përhapur i inflamacionit në tru dhe palcën kurrizore.
Të dhënat kanë treguar se shumë pacientë kishin një inflamacion të sistemit nervor qendror dhe pas kësaj, ishin diagnosituar me problem të ndryshëm në tru, si goditjet në tru, probleme nervore periferike që shkaktojnë paralizë. Në 5 për qind të rasteve, pacientët ndërruan jetë.
"Ne po shohim gjëra në mënyrën sesi Covid-19 ndikon në tru që nuk i kemi parë më parë me viruse të tjera. Ajo që kemi parë me disa nga pacientët të diagnostikuar me ADEM dhe në pacientë të tjerë, është se pacientët nuk vuajnë nga sëmundja e rëndë e mushkërive, por nga sëmundja e rëndë në tru. Pra, virusi dëmton trurin e jo mushkëritë,” tha Michael Zandi, një nga autorët e studimit, mjek në Shërbimin Kobëtar Shëndetësor në Londër.
Sipas ekspertëve, biologjikisht ADEM ka disa ngjashmëri me sklerozën e shumëfishtë, por është më e rëndë. Disa pacientë kanë mbetur të paaftë, ndërsa të tjerët janë disi më mirë.
"Ne dëshirojmë që pacientët klinikë në të gjithë botën të jenë vigjilentë ndaj këtyre ndërlikimeve të koronavirusit. Ajo që na duhet vërtet tani është hulumtim më i mirë për të parë se çfarë po ndodh vërtet në tru," tha Zandi.

Ai u kërkoi mjekëve të përgjithshëm dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor që merren me këta pacientë, të cilët kanë simptoma të tilla, kanë probleme me kujtesën, ndjejnë lodhje, mpirje etj; të trajtohen me shumë kujdes, pasi mund të përkeqësohen dhe të ndërrojnë jetë në pak çaste.
Gama e plotë e çrregullimeve të trurit të shkaktuara nga Covid-19 mund të mos dihet ende, sepse ka shumë pacientë në spitale dhe jo të gjithë kanë bërë skaner të trurit. Një shqetësim është se virusi mund të lërë një pjesë të madhe të popullatës me dëmtime në tru, qofshin ato të lehta apo të rënda. Kjo gjë ndodhi edhe në vitin 1918, kur ra pandemia e gripit spanjoll dhe shumë njerëz shfaqën simptoma të sëmundjeve në tru.
David Strain, një pedagog i vjetër në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Exeter, tregon se vetëm një numër i vogël i pacientëve mund të shfaqin komplikime serioze neurologjike dhe se duhet më shumë punë për të kuptuar prevalencën e tyre.
"Kjo është shumë e rëndësishme pasi të fillojmë të përgatisim programe rehabilitimi pas Covid-19. Ne kemi parë tashmë se disa njerëz me Covid-19 mund të kenë nevojë për një periudhë të gjatë rehabilitimi, si rehabilitim fizik siç është stërvitja dhe shëtitjet," tha ai.
Burimi: The Guardian/ Përktheu: Gazeta “Si”

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë