Biznes

Për ku: Iliri apo Teksas?… “Për në Illyrian Saloon!”

Sabina Veizaj – Ishte hera e parë që ulesha në një banak PUB-i dhe ndjehesha si në shtëpi.
Nardi, barman-i teksa më ofronte pijen e shtëpisë , rumin OAKHEART, më shpjegon pse e kanë përzgjedhur si pijen e shtëpisë.

Rum

“Oak përkthehet dushk. Dhe është pema që simbolizon epokën ilire. Lisi, ose dushku siç quhet në disa treva shqiptare, ka qenë një pemë shumë e përhapur që formonte formacione të mëdhenj pyjorë, ashtu si dhe sot. Për banorët Prehistorikë kjo pemë në jetën e përditëshme të tyre përbënte gjithçka, ishte vetë jeta e tyre. Iliro-Epiriotët kishin domestikuar dhe e kultivonin lisin, kishin veçuar një lloj, lëndët e të cilit përmbanin më pak taninë dhe i bluanin për t’a përzier me drithin.”- më tregon Nardi me qetësi duke vijuar rrëfimin e tij historik teksa në sfond dëgjohet “Hit the road Jack”- “Gjethja e lisit është përdorur si simbolikë edhe në heraldikat e princërve të arbërve dhe shqiptarëve. Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit, Mbreti Gent dhe Skënderbeu e kanë përdorur gjethen apo lënden e lisit si element në emblemat ose veshjet e tyre. Në kasketën mbrojtëse të Pirros së Epirit dhe Mbretit Gent ishin gdhendur gjethe lisi, Skënderbeu kopsat e jelekut të tij i kishte në formën e një lende të lisit. Ndërsa poeti i Rilindjes Naim Frashëri, i drejtohet tokës mëmë me vargjet: O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë,…Një degë lisi është përdorur kudo në zonën e Kanunit nga shtegëtarët si shenjë mbrojtjeje nga ndonjë sulm i mundshëm. Një degë lisi rreth qafës të udhëtarit do të thoshte se “jam në besën tënde”.


Unë kam bujtur në “Illyrian Saloon”, një vend që e kanë krijuar rishtazi tre djemë që i bashkon pasioni për epokën ilire, western (shek XIX), motorrat dhe muzikën rrok.


Që në ngjizje të idesë dhe mandej gjatë rrugës së mbrujtjes së saj, ata kanë dashur të krijojnë një hapësirë autentike, origjinale, për të përcjellë vlera dhe për të përbashkuar njerëzit me vlera të përbashkëta, që sipas tyre është e rrallë që rrethanat e jetës në këtë kohë t’i bëjnë bashkë.

Çimi, Nardi dhe Arlindi dëshirojnë dhe kërkojnë që shtëpia e tyre të shërbejë për diçka të vyer bashkë me argëtimin, që siç më rrëfen Nardi gjatë bisedës “nëse shoqëria do të ketë nevojë për ne, jemi këtu”.

Të tre djemtë që përfaqësojnë tre breza të ndryshëm (Arlindi tek të mbi 20-at, Nardi tek të mbi 30-at, Çimi tek të mbi 40-at) dhe profesione të ndryshme përkatësisht teknik zëri, bankier dhe specialist druri përmes “Illyrian Saloon” me thjeshtësinë dhe shpirtin pasionant kërkojnë të krijojnë një frymë në kryqytet që ata e konsiderojnë të munguar në realitetin ku jetojmë. “Një lloj fryme që e kundërshton realitetin e zymtë që ka krijuar politika, një realitet që ka venitur vlerat e të parëve tanë”- thotë Nardi.

“Unë e them nuk jam krenar që jam shqiptar sot, por që jam Ilir jam shumë krenar. Është periudha më e ndriçuar për të cilën mund të krenohemi. Sot nuk kemi me kë dhe përse të krenohemi. Çdo epokë që të ecë përpara i kthehet të parëve. Edhe ne ashtu po bëjmë. Duke parë mjedisin e zymtë që ka krijuar politika, le ti rikthejmë njerëzit tanë tek vlerat e një epoke të artë. Të bëjmë diçka për njerëzit, është si një rrymë kulturore për të kundërshtuar realitetin. Si një lëvizje. Arredimi është i asaj kohës. Për të bërë të kuptojmë që ti nuk përfaqëson vetëm realitetin e tanishëm, dikur ke pasur një histori që ke qenë madhështor. A mund të kthehemi madhështor? Kjo është idea.Ne ndoshta nuk kemi fuqi të ndryshojmë krejt realitetin, të paktën u japim mundësi njerëzve për diçka ndryshe.”- më thotë Nardi, i cili beson fort tek idea e tij që e ka gjetur edhe tek dy bashkëpunëtorët e vetë, e kur ata të tre janë bërë bashkë, mund të ketë edhe shumë të tjerë për tu bashkuar.
Arredimi i “Illyrian Saloon” është mishërimi i simbolikave që evokojnë epokën ilire dhe kulturën Western (amerikane teksane të shek XIX) që do të thotë, siç e shpjegojnë të zotët e shtëpisë, “epoka ku burrëria në kuptimin e fortësisë së karakterit, vlerave dhe shpirtit të bukur prevalonte mbi gjithçka”.

Arti ilir në periudhën e hershme të hekurit karakterizohet me stilin e tij dekorativ të theksuar të epokës së bronzit, por lulëzimin e arrin në fillim të epokës së plotë të hekurit, d.m.th. rreth shek. VIII-VII p.e.s në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror të ilirëve. Kjo vihet re qartë sidomos në grupin e kulturës së Devollit, në atë të Mat-Glasinacit etj. Ky stil zbukurimi, i aplikuar jo vetëm në objektet e veçanta metalike, kryesisht prej bronzi dhe në qeramikë, por edhe në materialet që nuk i rezistuan kohës si në dru, kockë etj.

Në një stil të pjekur arkaik të kohës, gjendet në mënyrë të veçantë te shtresat e pasura të shoqërisë së tyre, midis të cilave ka skena argëtimesh, siç është rasti i një valleje grash lidhur dorë për dore, apo i një procesioni funeral, ku përcjellja është dhënë nëpërmjet një vargu të gjatë kurorash luftarake dhe kalorësish që marrin pjesë në ceremoninë solemne.
Përsa u përket besimeve të ilirëve të epokës së hekurit, ato nuk ndryshonin prej atyre të epokës së bronzit. Një rol të madh vazhdon të luajë kulti i tokës mëmë i lidhur me pjellorinë e saj dhe me zhvillimin e bujqësisë në përgjithësi. Shumë e përhapur tek ilirët ishte heliolatria (adhurimi i diellit). Gjurmët e shumta të saj shprehen përmes motiveve të ndryshme, që zbukuronin objektet e veçanta dhe që në mënyrë grafike simbolizonin diellin. Të tilla ishin, p.sh.: rrathët bashkëqendrorë, svastikat, spiralja etj. Ky kult diellor tek ilirët shprehej dhe përmes varëseve të ndryshme në formë kali, kaprolli, zogu etj.
Prandaj Çimi shandanët e “Illyrian Saloon” i ka konceptuar në formë rrethore dhe drita që shpërndahet prej tyre është në formën e rrezeve të diellit.

Logoja ka fytyrën e kalit. “Lidhjen e Antikitetit me Saloon e bën kali. Rrathët janë mburoja ilire, identiteti ilir është dhënë me rrathët e mburojës që lyheshin përpara betejës, krifa është e njëjtë me përkrenaren e asaj kohe. Kali është pika lidhëse. Saloon është lokali në West. Ata vinin nga rruga, e linin kalin në verandë jashtë dhe hynin të pinin birra . Për Ilirët kali ishte shpirti i betejës. E merrnin në betejë për të fituar. Kalorësi e përkëdhelte kalin vazhdimisht e sidomos para se të niste betejën, e kishte njësh me veten. Kali përfaqëson një qënie fisnike, të fortë dhe me shpirt të bukur”- më shpjegon Nardi.

Një kult tjetër shumë i zhvilluar tek ilirët, sidomos tek ata të krahinave jugore, ishte dhe gjarpri si simbol i pjellorisë si totem, si qenie mbrojtëse nga syri i keq (apotropeike) etj.

Ilirët besonin edhe në ekzistencën e fuqive mistike, që rronin midis tyre dhe u shkaktonin njerëzve sëmundjet dhe fatkeqësitë e tjera shoqërore. Për t’i larguar këto të këqija, ilirët sajuan forma të ndryshme varësesh (amuleta), me karakter apotropeik etj.

Prandaj Çimi me një litar lini e ka krijuar idenë e gjarprit brenda në “Illyrian Saloon”.
“Një litar i pandërprerë që bashkohet tek dy trarët që ne i quajmë binjakët. Është koka dhe bishti i Bollës së shtëpisë , Bolla e shtëpisë ka qenë ai gjarpri që mbronte shtëpinë. Traditë nga lashtësia. Askush nuk e ngacmonte. Ai rrinte brenda në shtëpi. Nga jugu në veri ishte traditë. Lidhet me kultin e gjarprit, ai është mbrojtësi i lokalit”, më tregon Çimi teksa kemi kaluar të gjithë bashkë tek tavolina në mjediset jashtë pranë pemës së mollës.
Edhe pema e shenjtë që kanë zgjedhur (që është molla në këtë rast), “i ka degët për sipër, është krenare”, thotë Çimi duke u përpjekur të më rendisë tiparet e karakterit të ilirëve.

Dhe tek bisedojmë njerëzit kanë nisur të vijnë më të shumtë sepse është pasdite e vonë. PUB-i është tërë kohës hapur dhe nuk ofron vetëm pije alkhoolike. Ofron edhe pije të ngrohta.

Por kryesisht njerëzit që vijnë, qëndrojnë dhe rikthehen janë ata që ndajnë të ide, shije, botëkuptim të ngjashëm me filozofinë e “Illyrian Saloon”.

Ata janë njerëz që kryejnë detyrat gjatë ditës dhe rehatohen në shtëpi “Illyrian Saloon” në mbrëmje duke pirë birrë, whisky, a rum në mbrëmje e duke kaluar nga tavolina në tavolinë për të bërë njohje të reja.

Çimi me profesion është specialist druri. A është marrë me punimin e bambusë për 7 vite në Greqi e mandej ka punuar në fushën e mobilerisë kur është kthyer në Tiranë.
Por tek bisedojmë dhe rrëfehet duke rrëkëllyer birrën Peja thotë se periudha më e zezë ishte puna në administratë tek taksat për 4 vite. “Kaloja 300 veta në sportel që paguanin taksat dhe dëgjoja ankesat dhe ulërimat e tyre. E mbaja mjekrën e shkurtër asokohe. Sa ika nga puna nuk e preva më. Edhe flokët i mbaja të shkurtër dhe i vendosja pas veshit.”- tregon Çimi teksa kryen gjestin e vendosjes së flokëve pas veshit dhe tavolina shpërthen në të qeshura.

Ndërsa Nardi dhe Arlindi kujtojnë se në atë kohë as nuk e shihnin dot Çimin në atë formë duke shtuar se “ Është një periudhë gri që ikën shpejt dhe më pas qesh teksa e kujton.”
Çimi është truri i pabit dhe dora e hekurt që ka punuar në mënyrë artizanale gjithë ç’të kap edhe cepi më i largët i syrit, madje edhe ato që syri i zakonshëm dhe i pastërvitur nuk do ti vërejë kurrë. Por aty brenda siç thotë Çimi është fryma dhe puna e palodhur dhe sakrifica e të treve.

“Banaku potent, i thejshtë, është punuar me dërrasë, sopatë, egër. Unë u thosha dua të bëj një kuzhinë ilire, ata nuk kanë pasur kuzhinë, por doja të sillja frymën e saj kohe.
Janë shtuar elementë gjatë rrugës si trarët e mëdhenj. Nuk kemi bërë kompromis me filozofinë. Çdo gjë është dru dhe material potent. Donim me domosdo të bënim diçka me peshë për të dhënë idenë e klasikes. Ne jemi Saloon në konceptin Western. Që kur të vish të ulesh në banak si në Texas. Por në këtë rast Saloon është Ilir, jo amerikan. Ka shpirtin e tillë. Duam që të tregohet historia jonë nëpër mure në mënyrë historike. Është skenike. Ti je pub në fakt, jo muze, do presësh njerëz që të argëtohen dhe do të krijosh pamjen e skenës, duke pasur kujdes që të mos e ekzagjerosh , as të mos tjetërsosh gjatë rrugës.”- tregon Çimi.

Kurse Nardi më thotë se “Kur vjen dikush këtu, dua t’i shpjegoj si ëshë ndërtuar nga fillimi. Të gjithë elementët dhe simbolikat që përfaqësojnë; Përkrenaret, shandanët, pishtarët nëpër kollona. Simbolikat janë pagane. Ne çdo gjë e kemi numër tek. Askush nuk do ta shohë, por karriket kanë 33 vida. Edhe rrotullimi i litarëve është tek.”
Kurse verandën ku kaubojsit vendosin kuajt kur hynë në Saloon e kanë “sajuar” brenda në pamundësi ta krijonin në mjediset e jashtme.

Tek i pyes çfarë ofron Salooni përpos mikpritjes ,ata nisin të përgjigjen të tre njëherësh e mandej iu zbehet kori rrugës duke respektuar “shefin” Çimin: “ne kemi stilin, muzikën, traditën, çmimet e mira, autenticitetin. Duam të transmetojmë dhe konsolidojmë vlerat e dikurshme dhe produktet cilësore vendase; birrën, verën, rakinë, çajrat. Më vonë do fusim edhe kulinarinë. Ne jemi duke testuar, jemi në fazë eksperimentale të kujdesshme.”
Mandej Çimi thekson se përveçse filozofia e lokalit është të afrojë njerëz me mendje dhe shpirt të bukur, është që vlerat e traditës së hershme shqiptare tua përcjellë turistëve të huaj.

Në këtë moment atyre iu ndërmendet një turist hollandez që u ka bujtur në pub në këtë muaj të parë të jetës së Salooni-t.

“Në këtë muaj jemi të kënaqur me njerëzit që kanë ardhur se janë ata që duam. Kanë ardhur , kanë ndejtur dhe janë rikthyer. Kur erdhi turisti nga Holanda unë mora librin dhe po i shpjegoja historinë. Ai ishte pjesë e një grupi Black Metal që ka vetëm dy albume dhe kush i njeh? Geri, shoku ynë që bën kamarierin, i apasionuar pas muzikës rrok i njihte. Geri filloi ti numëronte këngët dhe ai i lumturuar se në një cep të Ballkanit i njihte dikush, tha se do të rikthehet dhe do tu thotë njerëzve të vizitojnë Shqipërinë. Një nga gjërat që përmendi që i kishte bërë përshtypje ishte se ; në Hollandë të ndihmojnë, por duhet tua kërkosh ndihmën, kurse në Shqipëri, të bie diçka në tokë, të afrohen të gjithë për të të dhënë një dorë pa ua kërkuar ndihmën”- thotë Nardi duke vazhduar “Kur gjeti vendin këtu, u kënaq sepse vjen një moment i mbrëmjes që njerëzit kalojnë për muhabet nga tavolina në tavolinë, kështu edhe ai takoi njerëz me të cilët u kënaq. Kjo është filozofia jonë, të bëjmë miq.”

Prandaj ata nuk kanë të punësuar, punët e shtëpisë i bëjnë vetë dhe presin miqtë. Prandaj, thotë Nardi “Tek tualetet për simbolikë kemi vendosur tek gratë mbretëreshën Teutë dhe tek burrat mbretin Pirro. Për të treguar që në këtë shtëpi janë të vlerësuar njësoj miqtë”
Tek i pyes se si e kanë marrë guximin të çelin një biznes në këto kohë të vështira dhe me ç’lekë?

Qeshin të tre në sinkron dhe Arlindi përgjigjet “Prandaj hapëm biznes sepse nuk kishim lekë”.

Në fakt siç më tregojnë më vonë gjatë rrëfimeve të kujtimeve të tyre në krijimin e pub-it, ka patur momente tek kanë ‘kruajtur’ xhepat për të blerë bojën, apo materiale të tjera gjatë punës. Kapitali është mbledhur me kredi, borxhe dhe kursime të pakta.
Projeksionet e tyre për të ardhmen e afërt janë përfundimi i arredimit me aksesorët e munguar, por domethënës dhe krijimi i kalendarit të aktiviteteve.

“Ne duam që kur të vini këtu, jo të pini thjesht birra e të ikni. Eja të flasim, të shkëmbejmë. Ajo pjesa pas pune, do ketë netë tematike, është në fazën e konceptit. Do bëhet gjithçka; netë letrare, projektime filmash historik. Me nisjen e sezonit në vjeshtë do të ketë edhe netë tematike muzikore; arbëreshe, rapsode, etj. Por pa imponim, me orare të pranueshme. Që njerëzit të mësojnë diçka të re, por për një orar të caktuar që të jetë e pabezdisur.”- tregon Nardi.

Unë jam kthyer sërish në banak për një tjetër birrë që ma shërben Nardi nga ana tjetër e banakut duke më thënë “Nuk e di nëse na i kuptove idenë. Ja kur në vendin tënd të jetë dikush tjetër i lodhur dhe stresuar nga puna e do nisë të ankohet për shefin, unë do filloj ti tregoj për shefin tim për të thënë që siç problematikat e rutinës janë të ngjashme, ashtu mund të argëtohemi dhe të bashkojmë e ruajmë vlerat sëbashku”…

 

Më Shumë