Ngjarje

Rasti i parë në Greqi. Pas Italisë, viktima në Austri dhe Francë

Ndërkohë që Italia fqinje po bën të pamundurën për izolimin e epidemisë së koronavirusit, e gjithë Europa, por edhe Ballkani janë mbërthyer prej disa ditësh tashmë nga paniku. Greqia, Rumania, Bullgaria, Austria dhe Kroacia kanë konfirmuar tanimë rastet e para me koronavirus, ndërkohë, që për fat të mirë, në Shqipëri dhe Kosovë, epidemia nuk ka mbërritur ende. Megjithatë, ai që ka mbërritur është paniku.

Greqia raportoi rastin e saj të parë koronavirus të mërkurën në qytetin portual të Selanikut. Autoritetet thanë që pacientja ishte 38 vjeç dhe së fundmi kishte udhëtuar nga në një zonë të Italisë veriore. Edhe familja e saj do të vendosen në karantinë për rreth 14 ditë. Duke folur para shtypit, komiteti i ekspertëve të Ministrisë së Shëndetësisë për sëmundjet ngjitëse, i bëri thirrje publikut që të respektojë rregullat e higjienës.

Gazeta greke “Ekathimerini” shkruan se autoritetet po mundohen të izolojnë të gjithë qytetarët që kanë qënë në kontakt me 38 vjeçaren dhe të kërkojnë në të gjitha pikat ku ajo ka qëndruar  përgjatë ditëve të fundit. Zyrtarët e shëndetësisë po mbajnë një takim urgjent të kryesuar nga Ministri i Shëndetësisë Vassilis Kikilias në Athinë. Ai pritet të udhëtonte për në Selanik dhe ka bërë thirrjë për "vetëpërmbajtje dhe qetësi".

Nga ana tjetër, numri i viktimave në Itali ka arritur në 12, ndërkohë që zyrtarët e shëndetit publik në vendin fqinj, po gjurmojnë prej ditësh për "Pacientin Zero", personin e parë që është infektuar me koronavirusi. Konfirmimi i 374 rasteve në Italinë veriore po shkakton ankth në vendet fqinje, të cilat kanë filluar marrjen e masave.

Bullgaria ka ndaluar fluturimet drejt këtyre rajoneve, Rumania u ka bërë thirrje qytetarëve të saj që jetojnë në Itali të qëndrojnë aty, ndërkohë që supermarketet në Kroaci, Zvicër dhe Slloveni kanë filluar të zbrazen.

Supermarket i zbrazur në Zvicër, Gazeta Si, 2020

Austria po mendon të ndalojë të gjithë trafikun hekurudhor nga Italia dhe të vendosë kontrolle të tjera në kufirin e saj me fqinjin e saj jugor, pasi Vjena konfirmoi viktimën e parë nga koronavirusi. Po ashtu dy emigrantë italianë që jetonin në rajonin austriak të Tirolit, të cilët kohët e fundit u kthyen nga një udhëtim në veri të Italisë, rezultuan me koronavirus.

Kryeministri i Kroacisë konfirmoi të martën rastin e parë me virusin COVID-19. Ndërkohë qindra turistë në një hotel në vendpushimin spanjoll të Tenerifes raportohet se po testohen pasi një prej tyre, një italian nga Lombardia, rezultoi pozitiv. Zvicra ka shënuar po ashtu rastin e parë më koronavirus, duke bërë që në qytezat kufitare me Italinë të zbrazen supermarket.

Greqia, Shqipëria, Franca, Gjermania dhe Zvicra njoftuan të gjithë qytetarët që kanë vizituar Italinë gjatë dy javëve të fundit duhet të "izolohen" në shtëpi. Por për Bullgarinë, vetëizolimi duket se nuk ka qënë i mjaftueshëm. “Bulgaria Air” dhe disa linja të tjera ajore në Sofje kanë ndaluar fluturimet drejt Milanos dhe qyteteve të tjera në Italinë Veriore deri më 27 mars.

Njerëzit veshin maska në Milano, Gazeta Si, 2020

Vendet e BE-së kanë qënë të përmbajtura për pezullimin e udhëtimeve drejt Italisë, për shkak të frikës se kjo mund të prekë lëvizjen e lirë brenda zonës Shengen. Kryeministri i Italisë Giuseppe Conte tha se kufizimet në lëvizjen e italianëve nga shtetet e huaja do të ishin të papranueshme. "Ne nuk mund ta pranojmë atë. Qytetarët tanë duhet të lëvizin të lirë dhe të sigurt"shtoi ai. Por pasi Franca ka shënuar rastin e parë më koronavirus, Parisi pritet të përgjysmojë linjat e trenave drejt Italisë.

Zyrtarët francezë thonë se kanë frikë se përhapja mund të zhvillohej shpejt në një pandemi. Ata theksojnë se një nga sfidat më të mëdha për të kufizuar përhapjen e virusit është se ai mund të përhapet nga persona të infektuar që nuk tregojnë asnjë ndonjë simptomë.

“Ne po flasim për një virus që nuk respekton kufijtë”, ka thënë ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza.

Homologu i tij gjerman, Jens Spahn ka thënë se vendet fqinje janë duke trajtuar situatën “shumë, shumë seriozisht”, dhe ka pranuar se gjendja “mund të përkeqësohet, para se të përmirësohet”.

Njerëzit me maska Venecia, Gazeta Si, 2020

Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Rumanisë u ka bërë thirrje rumunëve që jetojnë në Itali të mos nisen drejt vendit të tij. “Rreth 8,000 rumunë që jetojnë në qytetet italiane që janë vendosur nën karantinë për shkak të shpërthimit të koronavirusit, ndërsa rreth 200,000 jetojnë në të dy rajonet e rrezikura, Lombardinë dhe Veneto”, tha kryeministri Ludovic Orban të hënën në mbrëmje. Duke pasur parasysh se ekziston një komunitet kaq i madh i rumunëve që jetojnë në këto rajone, rreziku që koronavirusi përhapet në Rumani është i lartë. Ju lutem qëndroni në shtëpi!”, tha ai.

Kryeministri u po ashtu bëri thirrje rumunëve që të mos udhëtojnë në Itali, për të parandaluar përhapjen e virusit në vendi. Ai gjithashtu u kërkoi qytetarëve rumunë në Itali të respektojnë vendimet dhe rekomandimet që marrin nga autoritetet italiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë