Editorial

Panairi i kotësive i Ministrisë së Shëndetësisë

Tani nuk çuditemi më me idetë e Ministrisë së Shëndetësisë në sipërmarrjen e saj disa herë donkishoteske për të detyruar qytetarët për t’u vaksinuar.
Ndaj nuk na çuditi as ideja e fundit e hedhur në Parlament nga ministrja e Shëndetësisë, zonja Manastirliu, për të vendosur green pass (pasaportën e vaksinimit) nëse qytetarët do të duhet të frekuentojnë baret apo restorantet.
Megjithatë, këtë kotësi të fundit ia vlen t’ua shpjegosh njerëzve që të mos besojnë çdo gjë që dëgjojnë.
Ne kemi disa arsye të forta që kjo nismë edhe nëse merr formë ligjore, është e pazbatueshme, sepse të tjera nisma të ngjashme (penalitete) për të pavaksinuarit nuk kanë funksionuar.
U tha se nuk do të lejohen studentët e pavaksinuar të hyjnë në auditorë, por sot pakkush i ndalon. Sot nga rreth 124 mijë studentë, vetëm 14 mijë janë të vaksinuar. E imagjinoni dot ju që rreth 110 mijë të tjerë ose 88% e tyre nuk shkojnë në universitete se u është ndaluar hyrja se nuk janë të vaksinuar? Nëse do të ishte e vërtetë, ky do të ishte një dështim i vitit akademik dhe dështim qeverisjeje në arsim. Por nuk është kështu, në universitete hyjnë pa teklif plot të rinj të pavaksinuar. Pra, kemi një vendim pa asnjë vlerë.
Komiteti i Ekspertëve ka kohë që ndalon grumbullimet mbi 50 veta, por në “Air Albania” dyndjet e tifozëve mbushën plotësisht kapacitetet e stadiumit në ndeshjen e Kombëtares ndaj Polonisë.
Sot kemi rreth 100 mijë qytetarë që punojnë në administratë, por probabiliteti i shifrave zyrtare që tregon se deri më sot vetëm 37% e popullsisë është e vaksinuar, na çon në logjikën se plot prej tyre të pavaksinuar dhe në kontakt me publikun, gëlojnë në zyrat e shtetit.
Janë këto dy raste flagrante që tregojnë fare qartë se janë institucionet shtetërore dhe publike ato të parat që nuk e zbatojnë ligjin, nuk munden në disa raste dhe tallen në disa raste të tjera. Me pak fjalë, as rojet, as policia, as frika nuk mundën t’i zmbrapsin të pavaksinuarit, duke e bërë qesharak një vendim për sa kohë ai nuk zbatohet.
Tani na propozohet një nismë tjetër: Që zbatimin e ligjit dhe rregullin meqë nuk e bën dot shteti, ta kontrollojnë pronarët e lokaleve. Do të jenë ata që nuk do të lejojnë të pavaksinuarit të hyjnë në ambientet e bizneseve të tyre. Por kjo (ndjesë për gjuhën kaq folklorike që po përdorim) nuk do as mendtë e Ministrisë dhe as kalemin e saj që nuk ka për të ndodhur. Ne renditëm disa arsye, por shumë prej jush që po lexoni, mund të jepni edhe 100 të tjera. Ndaj, nuk ia vlen më tej ky diskutim.
Ministrja dha shembullin e vendeve të respektuara europiane, por këtu i thonë Shqipëri ku shkalla e zbatimit të ligjit është ndër më të ulëtat. Është vendi ku shteti dhe të zgjedhurit e publikut janë të parët që i shkelin ligjet dhe rregullat. Të besosh se rendin ta delegosh nga shteti tek individët, do të thotë të dorëzohesh. Por mos u shqetësoni! Moslejimi i qytetarëve në bare dhe restorante nëse nuk janë vaksinuar është një tjetër ide kot, që i shtohet gamës së panairit të kotësive që ka prodhuar që prej fillimit të pandemisë Ministria e Shëndetësisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë