Portofol

Paketa fiskale e “oligarkëve”

Sabina Veizaj - Nëse qeveria Rama do t'i qëndrojë besnike programit 2017-2021 për qeverisjen e vendit të miratuar një vit më parë në kuvend, ndryshimet e paketës fiskale do të jenë në favor të kapitalit, jo të krahut të punës.

Tipar ky për qeverisjet e djathta, jo të majta, që sipas ekspertëve, jo vetëm që janë incentivë elektorale, por të diktuara nga kasta e oligarkëve.  

Programi për qeverisjen e vendit 2017-2021, premton katër ndërhyrje në sistemin e taksimit: Uljen e Tatimit mbi të Ardhurat Personale për fashën e lartë në 18% nga 23 %; uljen e tatimit mbi dividentin në 6% nga 15%; uljen e tatimit mbi fitimin për prodhimin e teknologjisë së informacionit në 5% dhe; njohjen si shpenzime të zbritshme të interesave të kredive për shtëpi të marra nga familjet e reja për shtëpinë e parë.

Tatimi mbi dividentin është një tatim që paguajnë pronarët e aksioneve të korportatave të mëdha në momentin që korporata u shpërndan atyre divident nga fitimet.

Për ekspertin Zef Preçi kjo nismë është e pakuptimtë, sidomos, thotë ai, nëse marrim parasysh grupin shoqëror përfitues (kryesisht biznesin e madh) dhe normën ende shumë të lartë të informalitetit, që në kushtet e sotme duket i lidhur ngushtësisht me të. “Ky propozim, mendoj se duhet konsideruar edhe si një dëshmi e rritjes së presionit dhe të ndikimit të oligarkisë në vendimmarrjet e Kuvendit dhe të qeverisë shqiptare.”-sqaron Z. Preçi për gazetën Si.

Të njëjtën qasje ka edhe eksperti në fushën e taksave dhe tatimeve, Sherif Bundo.

Për profesor Bundon të ulësh tatimin mbi dividentin, pa  parë interesin e njerëzve  me të ardhura të ulta, do të thotë që bën politika në favor të kapitalit, jo të krahut të punës.

Ai i gjykon ndryshimet në fisk si nisma elektorale dhe që vijnë nga ajo shtresë “që opinioni e ka quajtur oligarki, se sa politika logjike të platformave politike të partive që e kanë në natyrën e tyre këtë lloj filozofie, strategjie. Është elektorale dhe në favor të biznesit të madh,”

Të dhënat e Ministrisë së Financave për tatimin e dividentit të paguar kanë qenë 635 milionë lekë në 2015-ën. Në rast se qeveria i qëndron programit të miratuar një vit më parë ku tatimi mbi dividentin do të zbresë në 6% nga 15% që është aktualisht, përfituesit do të kenë një ulje të faturës fiskale prej rreth 3 milionë euro në vit, që është e papërfillshme në të ardhurat e përgjithshme të buxhetit të shtetit, që vetë biznesi e kundërshton pasi nuk i sjell gjë ekonomisë.

Për Arben Shkodrën të Dhomës së Bashkimit të Prodhuesëve, qeveria nuk duhet të përdor fiskun për fushatë elektorale.

Biznesi, thotë Shkodra, është në krizë sepse nuk bën dot vendimmarjje dhe investime sepse nuk parashikon dot. “Mbi çfarë takse, tatimi, tarifash ta bëjmë planbiznesin? Mirë bankat janë të paparashikueshme me intersat e tyre, por edhe qeveria me taksat?!”

Shkodra gjykon se qeveria duhet të ndërmarrë incentiva për prodhuesit dhe të ndërtojë një pakt ekonomik që në të shtyllë kryesore të jetë fisku i menduar mirë e që të mos ndryshojë për 10 vjetë. “Duam që paketa fiskale të ketë një vëmendje të shtuar drejt prodhimtarisë. Nuk mund të kemi një paketë fiskale që i trajton njësoj importuesit me eksportuesit., lojërat e fatit me prodhuesit. Nuk mund të marrësh të njëjtën tarifë leje ndërtimi apo ndikimi në infrastrukturë për ndërtim pallati me atë që ndërton kapanon për të prodhuar dhe për të rritur numrin e të punësuarëve. E gjithashtu duhet gjetur një mekanizëm që qeveria qëndrore të ndikojë, jo urdhërojë pushtetin vendor, që taksat, tatimet, tarifat ti kthejnë në shërbime”- thotë Shkodra.

Biznesi në këtë  kontekst kërkon gjithashtu të preket Ligji për Procedurat Tatimore që sipas Shkodrës është arrnuar 9 herë në këto 9 vite dhe është me ngjyra-ngjyra dhe ka gjëra të atilla që nga tatimorët përkthehet tia nxijmë jetën biznesit. “Ne duam vlerësimin e të tërës. Të ketë sa më shumë lehtësira proceduriale.”-vazhdon ai.

Ulja e dytë e premtuar në programin qeveritar 2017-2021 i përket fashës së sipërme të tatimit mbi të ardhurat nga paga. Aktualisht, shqiptarët me paga mbi 130 mijë lekë, paguajnë tatim mbi të ardhurat personale në masën 23% për të ardhurat mbi këtë nivel. Sipas programit pritet ulja e pragut të sipërm në 18%. Janë vetëm rreth 10 mijë persona të punësuar në Shqipëri që kanë paga më të larta se kjo shumë.

Megjithëse e vlerëson si incentivë elektorale në prag zgjedhjesh, eksperti Preçi e shikon uljen e tatimit mbi pagën 130 mijë lekë si nismë pozitive.

“Përfaqëson një masë të drejtë e të pritshme (janë më pak se 20 mijë vetë që kanë qenë të penalizuar gjatë  tre viteve të fundit nga ky nivel tejet i lartë tatimi). Sepse tashmë nuk është më sekret se sistemi ynë fiskal gjatë pesë viteve të fundit, në emër gjoja të “taksimit të ndershëm” ka ndryshuar nga 10% taksë e sheshtë deri më 2014, në 15% mbas këtij viti me disa përjashtime në rritje (siç është rasti i tatimit mbi të ardhurat personale për të punësuarit me pagë mbi 130 mijë lekë) dhe disa favorizime të pajustifikuara me investimet në turizëm (hotelet me pesë yje), si dhe shërbimet turistike me 6%, etj. Po kështu, mendoj se në uljet e propozuara është pozitive që qeveria mendon të stimulojë prodhimin në vend të teknologjisë së informacionit, por mbetet për të parë se cili do të jetë kufiri i aplikimit të kësaj takse, dmth synon të stimulojë rritjen e shkallës së përdorimit të teknologjisë së informacionit, apo është thjesht një vendimmarrje favorizuese për lobistë të caktuar importues të tyre. Dmth ka kuptim nëse stimulohet prodhimi në vend i këtyre pajisjeve, apo futja e teknologjive të caktuara, por që në kushtet e sotme është e pasaktë sepse mungojnë standardet perkatëse dhe askush nuk mund të thotë se cilat do të jenë këto teknologji.

Por masa më e rëndësishme ndër uljet fiskale të përcjella nga shtypi deri më sot për vitin 2019 duket se është njohja si shpenzime të zbritshme të interesave të kredive për shtëpi të marra nga familjet e reja për shtëpinë e parë. Mendoj se kjo masë sociale është plotësisht e justifikuar dhe do të kontribuojë në lehtëismin e barrës së jetesës së familjeve të reja në vendin tonë.”-argumenton Z. Preçi.

Edhe pse Ministria e Financave thotë se paketa fiskale nuk është përfunduar ende dhe biznesi po punon mbi një matricë  për propozimet e veta të kërkuara nga qeveria, duket se Kryeministri Rama me deklaratat e tij ne rrjetet sociale është i  bindur deri në fund të mbështesë të mëdhenjtë me lehtës fiskale, pavarësisht të qenit qeveri e majtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë