Editorial

Një ndjesë për lexuesit, një falënderim për sulmuesit

Gazeta "Si" është vënë nga mëngjesi i së premtes në një sulm të fortë kibernetik. Në kushte normale ky shkrim do t'u drejtohej lexuesve tanë në formën e një ndjese. Jo se këtë radhë nuk kërkojmë ndjesë. Përkundrazi, kërkojmë ndjesë edhe më shumë se në rrethanat e një dite të zakonshme. Kërkojmë ndjesë te lexuesit tanë që sulmi ua ka vështirësuar praninë në faqen tonë sepse tregon edhe një herë e më shumë se ata janë të shumtë dhe se dikush, dy ditë përpara zgjedhjeve po mundohet që përmes kësaj forme të na errësojë faqen, të na ndajë nga ata të cilët janë motivi për të cilët ne punojmë çdo ditë, nga ata të cilët janë të vetmit që ne u shërbejmë: lexuesit tanë.
Ne lindëm si një gazetë për të thënë të vërtetën, pa asnjë dallim krahësh politikë, në pushtet apo opozitë. Atë të vërtetë siç ne e mendojmë, siç lexuesit tanë mendojnë se duhet thënë. Në një mjedis mediatik të politizuar, të shitur, të blerë apo të nënshtruar karshi kujtdo që nuk është e thënë të jetë në pushtet e në opozitë, por edhe jashtë tij, ne nuk synojmë të plotësojmë ambiciet e asnjë politikani. 
Me sa duket zëri ynë ka shqetësuar ata që mendojnë se fjala nuk duhet të shkojë te publiku. Kushdo qofshin nuk na intereson, ne do të vazhdojmë edhe më fort, edhe më shumë t'i shërbejmë pronarit tonë të vetëm: publikut. Prandaj pavarësisht se do të duket pak absurde, falenderojmë sulmuesit tanë sepse vërtetuan edhe një herë sepse po bëjmë gjënë e drejtë. E me këtë rast i kërkojmë ndjesë lexuesit, që jo për fajin tonë, u privuan nga aksesi në faqe. Vetëm me ndihmën e tyre ne do të vazhdojmë këta që jemi, duke u përpjekur të bëhemi edhe më të vlefshëm edhe më të mirë, për ta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë