Editorial

Një dënim për Sali Berishën, një mundësi për PD dhe një sinjal për Metën

Lulzim Basha tani do të duhet të moderojë fushatën e tij me takime nëpër rrethe me bazën e Partisë Demokratike. Nuk është çudi në mos t’i anullojë për disa ditë, sepse nga sot e në vazhdim do të duhet të flasë edhe për vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ndaluar hyrjen në SHBA të Sali Berishës dhe familjes së tij.

Jo se ky është ndonjë problem i madh për kryetarin aktual të PD-së, që njihet për xhonglimet dhe devijimet sa herë duhet të komentojë ngjarje  të përmasave të mëdha. Por deklarata e sekretarit Blinken nuk ishte thjesht një vendim ndalimi, por akt akuze për korrupsion për Sali Berishën dhe kërkesë për drejtësinë e re shqiptare të hetojë ish Presidentin, ish Kryeministrin dhe ish Kryetarin historik të PD-së.

Vendimi i SHBA-ve për Sali Berishën ka ardhur si rrufe në qiell të hapur, jo sepse nuk pritej, jo sepse nuk qarkullonte në ambjentet politike e mediatike të Tiranës se për të ishte marrë një vendim i tillë, por thjesht dhe vetëm për kohën, mënyrën kur ai erdhi. Publik, i drejtëpërdrejtë, me emër dhe me akuza të forta.

Një vendim i tillë do të ketë pasoja të mëdha së pari në Partinë Demokratike, në një moment delikat për këtë parti që sapo ka humbur zgjedhjet e treta dhe që formalisht ka hyrë në një proces zgjedhjesh për kryetar.

Ndonëse si ai që mban vulën dhe ata që kërkojnë të ia heqin tregohen shumë të kujdesshëm të mos sulmojnë Sali Berishën, madje ta mbajnë mirë me të, vendimi i SHBA do të trondisë nga themelet PD-në, në fushatë, në zgjedhje, dhe pas tyre.

 Eshtë njësoj si rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në 1991, që ndau në dy pjesë Shqipërinë, atë që shihte nga e ardhmja dhe atë që kishte mbetur peng i së shkuarës.

E ngjashmja pritet të përfshijë si cunam edhe PD-në, efektet e plota të të cilit do të shihen në ditët, javët dhe muajt në vijim. Por nga sot, PD nuk do të jetë më si më parë, me rrezikun se baza e PD-së mund ta shohë këtë si një padrejtësi që i bëhet partisë dhe liderit të tyre historik. Ajo njeh më shumë se Bashën, Sali Berishën edhe sot, dhe një vendim i tillë mund të nxisë një valë anti perëndimore dhe antiamerikane që do të vërë në trysni për momentin lidershipin, kushdo qoftë ai pas zgjedhjeve të 13 qershorit.

Nga ana tjetër, ky lidership tani ka shansin, përgjegjësinë dhe misionin që këtë moment ta shfrytëzojë për ta çliruar një herë e mirë PD-në nga "berishizmi" dhe politika e konfliktit që përfaqëson Berisha. Jo menjëherë por në mënyrë graduale, ashtu sikurse Fatos Nano bëri me transformimin e PS-së, për të patur mundësinë që të fitojë zgjedhjet në 2025. Këtë rradhë Lulzim Bashës nuk po ia lyp Edi Rama ndarjen nga Berisha dhe Meta, por vetë SHBA.

Shpallja e Sali Berishës "non grata" nga ana tjetër është një sinjal edhe për Ilir Metën, një ditë pasi ambasadorja amerikane e tha qartë se çdo deklaratë dhe qëndrim ndaj tij është konsultuar në Uashington, në Departamentin e Shtetit.

Një paralajmërim se i dyti pas Berishës nuk ka se si të jetë tjetërkush veç tij. Problemi i vetëm është çështja e detyrës. Do të ishte e rëndë për Shqipërinë nëse do të kishim një President në detyrë "non grata" në SHBA dhe me akuza si ato të Berishës, e ndoshta prandaj, nëse ndodh, do të ndodhë kur Meta nuk do të jetë më President.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë