Lajme

Ngërçi kushtetues, edhe SHBA tregon me gisht Venecian. Biseda 30-minutëshe Meta-Palmer

Propozimi i radhës që klasa politike shqiptare t’i drejtohet Komisionit të Venecias për të zgjidhur krizën për emërimet në Gjykatën Kushtetuese mbërrin nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias. Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit”, thotë përmes një deklarata Ambasada e SHBA në Tiranë.

https://www.facebook.com/usembassytirana/posts/10156836467680838

Ideja “Venecia” u hodh për herë të parë nga ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo. Ai tha se çështje mund të zgjidhej shpejt, nisur nga fakti që Komisioni do të zhvillojë në dhjetor seanca plenare, ku në rend të ditës mund të futet edhe ngërçi kushtetues në Shqipëri.

Në lidhje me këtë propozim nga mazhoranca nuk ka patur ende një qëndrim zyrtar, ndërkohë që Presidenti Ilir Meta tha se nuk ka pse të shkohet në Venecia, pasi Kushtetuta është e qartë në këtë pikë.

Presidenti Ilir Meta ka pasur një telefonatë 30 minuta mbrëmjen e së mërkurës me të dërguarin e posaçëm të Departamentit të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer. Burimet pranë ambasadës së SHBA bënë me dije se në fokus të bisedimeve mes tyre kanë qenë përplasjet për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe situata politike në Shqipëri. Në fakt bisedën do e konfirmonte përmes rreshtave edhe zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi gjatë një postimi të mëparshëm, duke mos e përmendur me emër. “Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit”, do të shprehej në statusin. Presidenca do të reagonte vetëm pas publikimit të lajmeve në media, duke dhënë edhe detaje të tjera mbi bisedën me zyrtarin e DASH, që është emëruar si i dërguari i posaçëm i Trump në Ballkan.

“Interesimit tuaj për një lajm, që siç më vutë në dijeni, ja u ka konfirmuar z.Guri Lekloti dhe ju ka sugjeruar t’ia u konfirmoj edhe unë, ju sqaroj : Po, është e vërtetë që mbrëmjen e djeshme ka patur një bisedë telefonike rreth 30 minuta mes Presidentit  Ilir Meta dhe Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer, me kërkesë të këtij të fundit. Qëndrimet e Presidentit Meta të shprehura gjatë kësaj bisede telefonike kanë qenë mjaft të qarta, transparente dhe shteruese”, shkruan Blushi.

Ndërsa ka ftuar edhe në një sfidë ambasadën e SHBA-ve që nëse bie dakord të publikohet transkripti i bisedës 30 minutëshe mes Metës dhe Palmer. “Megjithatë nëse z.Lekloti, bie dakord me ambasadën e SHBA në Tiranë, dhe na autorizon ta publikojmë të plotë transkriptin e kësaj bisede telefonike, ne jemi gati ta vëmë atë të plotë në dispozicion të opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar. Presidenti Meta nuk ka asgjë për të fshehur! Konfirmojmë se marrëdhëniet tona strategjike me SHBA janë të forta, të qëndrueshme dhe transparente, si asnjëherë!”, thekson Blushi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë