Editorial

Nga tani dikush duhet të përgjigjet

Secili duhet të paguajë çmimin e lirisë që kërkon

Ditët e lumtura për kryeqytetin pa asnjë të infektuar morën fund shpejt. Që prej ditës së martë të kësaj jave, ishin vetëm dy ditë, tjetrën shpërthyen plot raste, si në ditët më të errëta që kur nisi karantina.
Ky fakt, ku shifrat luhaten kaq thellë, nuk është kaq i lehtë për t’u kapërcyer, sepse po tenton të na tregojë se masat shtrënguese janë fare të brishta për t’u thyer dhe ndoshta rastësia është edhe një nga arsyet që nuk duhet neglizhuar si faktor që ka shpëtuar deri tani Shqipërinë.
Karantina, distancimi social dhe kufizimi drastik i lëvizjeve kanë bërë të tyren dhe e sigurt tanimë që numri i të infektuarve nëse këto masa nuk do të ishin kaq të forta, do të kishte qenë shumë më i lartë. Por ngjarjet e fundit nuk na japin mundësinë të ecim më shpejt drejt lirisë së premtuar, që ndonëse e cunguar është më e mirë sesa një javë më parë. Diçka nuk shkon siç duhet?! Për sa kohë nuk kemi shpjegim shterues dhe të argumentuar nga institucionet, dyshimi se karantina jonë është e brishtë dhe rastësia po na mbron, mbetet legjitim për shkak të fakteve.
Ministria e Shëndetësisë, si gjithnjë gjatë këtyre ditëve, ishte edhe sot lakonike në njoftime, duke u kujdesur, ndoshta qëllimisht, të përqendrohej te numrat në total. Ajo u kujdes të tregojë se si është situata në spitale, por askush nuk kupton dot nga ajo gjuhë e drunjtë shifrash të thata se si është dinamika në terren dhe sa e garantuar është që kur më shumë njerëz të dalin në punë, nuk do të kemi më shumë raste.
Kemi arsye të dyshojmë sepse pikërisht sot në njoftimin zyrtar mësuam për dy raste që nuk mund të humbasin lehtë nga vëmendja, përkundrazi sot duhet të ishin çështje debati dhe hetimi.
Rasti i parë ishte një që kryeinfermierja e Pediatrisë në QSUT është infektuar me koronavirus, pasi ishte në një varrim jashtë Tirane. Ne ende nuk e kuptojmë se si mundet një mjek jodosido, po pikërisht kryeinfermierja e fëmijëve në spitalin më të madh të vendit, pavarësisht statusit arrin të largohet nga Tirana, kalon çdo postobllok policie, shkon në një varrim ku vështirë të zbatosh distancimin fizik e më pas nuk vetëkarantinohet për të paktën 14 ditë. Atë, në gjithë këtë rrugëtim, askush nuk e kontrolloi as policia, as ndërgjegjia e saj njerëzore e as detyrimi profesional.
Rasti i dytë në burg. Aty ku policia është struktura e ngarkuar drejtpërdrejt për të kontrolluar dhe për të mos lejuar grumbullim njerëzish. Ndodhi në objektin më të sigurt dhe të kontrolluar dhe ku hyrjet e daljet e njerëzve janë shumë të kufizuara në ditë normale. Ministria nuk dha shpjegime mbi këtë rast, duke bërë sërish legjitime dyshimet.
Stafi mjekësor, policia, njësoj si shitësit e supermarketeve janë kategoritë më të rrezikuara për shkak të trafikut dhe pranisë më të dendur të njerëzve, sepse distancimi fizik është i vështirë e ndaj potencialisht janë më të ekspozuar ndaj virusit.

Por, rënia kaq shpejt dhe kaq lehtë e dy prej kullave tona të presupozuara më të forta në kalanë e ngritur në betejën kundër virusit vdekjeprurës është zhgënjyese dhe duhet t’i marrim faktet më shumë në konsideratë.
Po në kohën kur më shumë njerëz do të shkojnë në punë dhe oraret e liri-daljes të zgjaten, sa të sigurt jemi që do të ndiqen e zbatohen rregullat e sigurisë dhe se rastet nuk do të jenë më shumë siç ndodhi sot në Tiranë apo siç ndodhi befas në fasoneritë e Krujës kur siç tregojnë punonjësit mungonin kushtet më elementare të higjienës dhe distancimit?
Kryeministri Rama, para disa ditësh, kur lajmëroi një hapje më të madhe të karantinës, tha se në këto kushte duhet të ndiqen protokollet me rigorozitet. Pyetja është sa të njohura janë për bizneset dhe institucionet këto protokolle? Cilat janë përgjegjësitë e atyre që duhet t’i ndjekin dhe kush kontrollon në terren zbatimin e protokolleve? Policia dhe stafet mjekësore nuk ia dalin dot më. Në këtë situatë, siguria në punë duhet të marrë një dimension tjetër, përtej një rregulloreje, ndoshta edhe pjesë të Kodit të Punës.
Dhe kur vjen çështja tek përgjegjësitë tani, ato janë edhe penale. Me ndryshimin e Kodit Penal, përgjegjësia nuk duhet fshehur pas buletineve ditore me numra të infektuarish nga Ministria e Shëndetësisë. Nuk duhet të ketë më përgjegjësi kolektive apo morale. Ajo duhet adresuar individualisht në çdo rast.
Vullnetet njerëzore në këtë situatë nuk mjaftojnë, por duhet të veprojë edhe ligji. Sa më shpejt që të duam të shkojmë drejt hapjes së karantinës, aq më shumë institucione dhe forma të tjera të organizimit shtetëror dhe shoqëror duhet të jenë përgjegjëse dhe të përfshira. Nëse duam të kthehemi ashtu si dikur, përgjegjësia nuk i mbetet vetëm qeverisë, por ligjit. Tani secili duhet të paguajë çmimin e lirisë që kërkon. Ndoshta ka ardhur koha që dikush të shkojë edhe në burg!

Më Shumë