Editorial

Nëse vdekjet nga COVID-19 trukohen, Ogerta Manastirliu ka përgjegjësi para ligjit

Ka dyshime se raportimet për numrin e vdekjeve nga COVID-19 po trukohen duke manipuluar fluksin e rasteve nga njëra ditë në tjetrën.

Edhe pse duket si diçka e pamundur të kontrollosh vdekjen, ritmika e njëjtë çdo ditë të lë përshtypjen e një rregullsie të diktuar që mund të jetë edhe  rastësi. Numri i vdekjeve, mund të jetë më i ulët në një ditë, mund të jetë edhe më i lartë, por rregullsia e shifrave i ka çuar mendjet edhe në një tjetër drejtim.

Gazeta “Si” nuk ka asnjë të dhënë, asnjë provë se kjo është e vërtetë. Sepse nëse do të ishte e tillë, atëherë ky është një krim dhe përgjegjësia ligjore e penale i takon drejtpërsëdrejti Ministres së Shëndetësisë, që sot është Ogerta Manastirliu.

Ky përfundim i yni është i mbështetur në ligjin “Për Parandalimin dhe Luftimin e Infeksioneve dhe Sëmundjeve Infektive”. Në pikën 1. të nenit 5 të këtij ligji, pjesa për njoftimin dhe raportimin e sëmundjeve infektive thuhet shprehimisht:

“Sëmundjet infektive janë objekt i raportimit periodik dhe të detyrueshëm. Ministri përgjegjës për shëndetësinë miraton, me urdhër, listën e sëmundjeve infektive dhe udhëzuesit përkatës për raportimin në mënyrë të detyrueshme nga institucioni publik apo jopublik shëndetësor në organet përkatëse”.  

Është mjaft e qartë që sipas kësaj pike të ligjit që përgjegjësia është e ministrit të Shëndetësisë, sepse raportimi miratohet me urdhër të tij.

Që pas hapjes së karantinës numri i vdekjeve është rritur. Në një kalkulim të tij të shifrave, mjeku Erion Dasho konstaton se në qershor pati mbi 30 vdekje nga COVID-19, pothuajse aq sa tre muajt e parë të epidemisë.

Kjo shifër në rritje, edhe pse deri diku mund të ishte e pritshme, ka nisur të shtojë dyshimet. Mjaft mjekë të fushës, me integritet njerëzor dhe profesional, janë shprehur se mjekësia dhe shqiptarët kanë nevojë për më shumë të dhëna se një raportim të thatë të shifrave, për të kuptuar sa më realisht se çfarë po ndodh.

Në një intervistë për Gazetën “Si”, epidemiologu Ilir Alimehmeti kur u pyet se “Çfarë po ndodh që kemi shumë vdekje, sepse kemi pasur raste sporadike të vdekjeve dhe tani po arrijmë me dy pse tre në ditë?”; u përgjigj se “…një gjë duhet të kemi të qartë se ne nuk kemi të dhëna individuale, pra të dhënat tona janë të agreguara”. “Kur themi që 80 raste, 60 raste e të tjerë, nuk kemi informacion çfarë janë këto raste, nga erdhën, nuk kemi një informacion paraprak sa vjeç janë, nga çfarë sëmundje vuajnë, vendi ku janë infektuar dhe duhet të marrim parasysh që kush është infektuar në spital është automatikisht më rëndë sepse ka të paktën një sëmundje që ka ardhur në spital. Në fakt jo të gjitha vdekjet janë raste në spital, por sa është numri i tyre nuk është thënë kurrë dhe sa janë komunitar, por shumë prej tyre janë raste që kanë qenë rëndë në spital për arsye të tjera, që u shtohet kjo problematikë sipër”, tha Alimehmeti.

Edhe për këtë shqetësim të zotit Alimehmeti, i njëjti ligj shprehet qartë që ky lloj raportimi kaq specifik që kërkohet sot të kemi nga institucionet është i detyrueshëm me ligj.

Ligji thotë se standardet e raportimit përcaktohen nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës Epidemike (as shumica e mjekëve nuk e dinë që ekziston). Gazeta “Si” pyeti nëse ata kanë të dhëna, por u shprehën se vetëm që “struktura po funksionon shkëlqyeshëm”, por ende nuk kemi parë një produkt nga ana e tyre.

Gjithsesi, ligji aty është dhe çdo dyshim të çon vetëm në një drejtim që tregojnë titullarët nëse nuk e zbatojnë atë.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë