Njerez

Në “foletë” e meshkujve-Pse femrat shqiptare nuk luajnë dot playstation?

Sapo hyra në një qendër lojërash elektronike  zonën e Bllokut në Tiranë, papritur u ndesha më 4 palë sy që më vështronin ngultas. Vetëm pyetja  mungoi “po kjo çfarë do të bëjë këtu?!”. Aty isha për të pyetur se pse vajzat i shikojmë shumë rrallë në këto qendrat e lojërave elektronike  ( shumica dërrmuese  Playstation), por nga shikimi i djemve kryesisht adoleshentë, e mora përgjigjen. Teksa ata e humbën të gjithë lojën, duke u përqendruar vjedhurazi  në bisedën time me menaxherin, mua më erdhi ndërmend historia e bashkëmoshatares time në gjimnaz gati 10 vite më parë. Ajo quhej Ervisa dhe ishte një vajzë që adhuronte të luante futboll. Në atë kohë futbolli për femrat ishte një temë delikate, sepse për shumicën  kjo lojë i takonte meshkujve. Por, ky nuk ishte paragjykimi i vetëm  me të cilin ajo hasej. Në sytë e mijërave nxënësve aso kohe ajo etiketohej si “ k**va ”, pasi shpesh herë shkonte të luante playstation. Vitet kaluan dhe ndoshta atëherë neglizhenca, nuk më bënë t’i jepja rëndësi epitetit që ajo merrte, por shikoj se edhe sot një playstation i cili shërben vetëm për t’u argëtuar është një “fole meshkujsh”.

Sociologu Ergys Mërtiri thotë për gazetën “Si” se në përgjithësi ka një prirje për ndarje gjinore dhe sigurisht moshore të mjediseve që njerëzit frekuentojnë. Ai ka sjellë si shembull për gazetën se ka një prirje, për të parë një prani më të madhe dhe të gjatë në kohë të vajzave dhe grave nëpër parukeri, sallone bukurie etj, ndërkohë që burrat i kalojnë orët e tyre me shume nëpër mejhane, qendra llotosh etj.

Të rinjë duke luajtur playstation në një nga pikat në Tiranë

 Ndërsa, kontrollova në disa  qendra për të parë dhe pyetur nëse vajzat luanin aty, u përballa me reagime shumë të çuditshme, si “ a e ke seriozisht ti”, ose “ po ky është vend çunash mi”.  Për një moment u ndjeva përsëri në gjimnaz, aq sa dhe kur i tregova ngjarjen miqve të mi djem, më panë me habi sikur të kërkoja një gjilpërë në kashtë.

Por ky paragjykim nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Në një nga këto ditë një vajzë me origjinë nga Kina ishte e parë në botë e cila fitoi një kampionat videolojrash. “Bëri histori” do ta cilësoni në titujt kryesor edhe mediat më të njohura ndërkombëtare për faktin se ishte femër.  Vajza kineze quhej  Xiaomeng “VKLiooon” Li  dhe  në konferencën për shtyp pas fitores, ajo tha  se dy vjet më parë kur donte të regjistrohej në kampionat, një burrë i kishte thënë se “vajzat nuk kanë vend këtu”.

“Është në natyrën njerëzore që shumë gjëra të bëhen konform përkatësive tona kulturore, ku përfshijmë edhe moshën, gjininë, prejardhjen etj. Ne argëtohemi, vishemi, sillemi,  në përputhje me kategori të tilla. Ka një prirje ideologjike sot, përfshi këtu edhe shume aktiviste të lëvizjeve feministe, për të shuajtur dallime te tilla,” shprehet Mërtiri.

Vajzat nuk pëlqejnë videolojërat , apo vajzat nuk i lejojnë të pëlqejnë videolojërat?

Kjo është një pyetje e cila duket se nuk do të marri përgjigje kurrë në ndarjen e steriotipeve.
Për sociologun realiteti tregon se kudo, dallimet gjinore në sjelljet tona janë prezente. Ai shprehet se natyrisht, kjo shfaqet edhe në mënyrën e argëtimit, apo kalimit të kohës së lire. Si problem sociologu shikon një fakt tjetër.

“Grumbullimet e te rinjve, dhe madje, edhe femijeve, ne mjedise të izoluara, larg vëmendjes se të rriturve, janë gjithmonë problematike,” shton Mërtiri.

Një vajzë duke luajtur lojrat e realitetit virtual tek Virtual Games Lounge

Në Tiranë është hapur një qendër e re argëtimi me lojëra dhe përvoja të realitetit virtual ose siç njihet ndryshe VR.      Quhet Virtual Games Lounge. Eshtë pjesë e kategorisë së lojërave e-Sports, por teknologjia që ofrohet është më e avancuara dhe argëtimi kërkon përqendrim dhe impenjim fizik më të madh sesa Playstation. Aty femrat luajnë çlirët dhe pa pikë droje. Menaxherja e qëndrës është femër. Majlinda na tregoi se aty shkojnë edhe grupe vajzash. “Por edhe meshkujt e dhënë pas Playstation, kur i provojnë lojërat virtuale e thonë menjëherë  “do sjellim edhe të dashurat’.  Ndoshta fakti që janë lojra që luhen  e pëlqehen në grup , janë të teknologjisë më  të fundit dhe secili ka hapsirën e vetë i ka bërë femrat të mos ndihen vetëm. “Në fakt janë barrierat e meshkujve ato që janë thyer” na thotë Majlinda, e cila pasi e pyeta ti si femër pse zgjodhe këtë llojë biznesi me pak nënqeshje më tha a “pse ku është ndryshimi?”  

Më vjen në mend ajo vajza në gjimnazin tim, që vishej me epitete negative sepse nuk e fshihte çfarë i pëlqente dhe “luante si çunat”. Ndoshta ajo mund të mos jetë bërë futbolliste. Po koha i dha të drejtë asaj dhe sot ajo mund të jetë një futbolliste e zonja. Paragjykimi që na ndrydh, do të na lerë pa mësuar mësuar aftësitë tona për të kuptuar se edhe aty në qendrën e foles së meshkujve femrat mund të dalin fituese

 

Më Shumë